Një përplasje e dhunshme mes bandave rivale shqiptare në qytetin Ans në Belgjikë ka shkaktuar vdekjen e një gruaje 43-vjeçare dhe plagosjen e katër të tjerëve. Sipas mediave belge dëshmitarët e kanë cilësuar ngjarjen si një skenë lufte.
Gruaja 43-vjeçare është futur mes personave të përfshirë në konflikt për të mbrojtur mikun e saj dhe për të shuar sherrin, por është përplasur nga një makinë e bandës rivale, duke i shkaktuar asaj vdekjen.
"Menduam se ishte një aksident", ka thënë një dëshmitar në vendngjarje. Bandat shqiptare kanë përplasur makinat me njëri-tjetrin dhe kanë hipur në trotuar duke aksidentuar njerëzit që po ecnin aty.
Personat e plagosur janë transportuar në spital dhe janë në gjendje kritike për jetën.
Disa nga personat që kanë marrë pjesë në sherr janë identifikuar por ende asnjëri prej tyre nuk është arrestuar. Policia po heton për ngjarjen dhe kapjen e autorëve.