Në një moment, gjatë paradites, pasagjerët të irrituar kanë tentuan të bllokonin Chekin dhe hyrjen e aeroportit.
Më pas Kompania shqiptare e fluturimeve “Belle Air”, e cila dje ka shpallur dje pezullimin e përkohshëm të fluturimeve ndërkombëtare për shkak të situatës financiare, njoftoi se do të kryente mbrojtjen e pasagjereve përmes kompanisë "Blue Panorama Airlines". Por kjo kompani që nga dita e djeshme vazhdon të jetë në pritje për marrjen e lejes nga Avioni Civil Shqiptar.
Drejtoria e Aviacionit Civil u mblodh për të sqaruar situatën pas pezullimit të fluturimeve ndërkohë që ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto përmes një njoftimi për shtyp akuzoi kompaninë për keqmenaxhim dhe mungesë transparence. Madje Haxhinato tha se qeveria ka bërë përpjekje maksimale për të evituar ditën kur kjo kompani të mos ishte e aftë të realizonte detyrimet ndaj qytetarëve. Për këtë ishte arritur një marrëveshje ndaj autoriteve tatimore të kompanisë me qëllim që të ristrukturohej detyrimi i saj dhe ajo vazhdonte të mbetej në treg, ndërkohë kjo kompani kishte marrë "vendimin e papritur të pezullimit të fluturimeve në dëm të qytetarëve". Haxhinasto: Belle Air u keqmenaxhua
Ajo që është më e rëndë është se megjithëse kompania ajrore “Belle Air”, kishte depozituar të premten, në datën 22 nëntor 2013, kërkesën për falimentim ajo vazhdonte të shiste bileta. Shumë qytetarë, pasagjerë në aeroportin e "Nënë Tereza" konfirmojnë se kanë prerë bileta tek kjo kompani deri mbrëmë vonë, pra dy ditë pasi kishte depozituar në gjykatë kërkesën për shpalljen e falimentit.
Janë mbi 20 fluturime të anuluara për ditën e sotme si fluturimet për në Malpensa, Ankona, Romë, Trieste, por dhe linja të tjera fluturimi me Greqinë.
Mesditën e sotme një pjesë e pasagjerëve, të cilët jetojnë në Tiranë, u larguan nga terminali, ndërsa vetëm në orët e mbrëmjes është bërë i mundur fluturimi në katër destinacione italiane me kompaninë "Blu Panorama".
ORA 20:15 - "BLU PANORAMA" KRYEN 4 FLUTURIME SOT NË MBRËMJE
Vetëm në orët e mbrëmjes është bërë i mundur transporti i pasagjerëve të parë drejt Italisë, përmes avionëve të kompanisë ‘Blu Panorama’. Përkundrejt pagesës shtesë prej 60 eurosh për segment, 168 pasagjerë kanë mundur të udhëtojnë nga Tirana drejt Bolonjës. Sipas burimeve zyrtare të aeroportit, siç referon TCH, në orën 19:00 u nis një tjetër avion me 168 pasagjerë drejt Milanos, ndërsa po gjatë mbrëmjes bëhet i mundur transporti dhe i pasagjerëve të linjave të Bergamos dhe Venecias. Pjesa tjetër e qytetarëve që do të udhëtonin të hënën drejt destinacioneve të anuluara nga ‘Belle Air’ do të bëhet i mundur të martën. Autoritetet e aeroportit konfirmojnë se kompania ‘Blu Panorama’ do të mbulojë fluturimet e ‘Belle Air’ përgjatë të gjithë javës.
ORA 14:00 - HAXHINASTO: U KEQMENAXHUA
Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto deklaron se nuk ka asnjë bllokim të llogarive bankare dhe se "Belle Air" ndodhet në këtë situatë për arsye të keqmenaxhimit dhe se vendimi për të pezulluar fluturimet është bërë në mënyrë të papritur dhe aspak në interes të qytetarëve. Haxhinasto: S'i bllokuam llogaritë
ORA 13:00 PASAGJERET TE INDINJUAR: S"DUHEJ TE KISHTE SHITUR BILETA
Për mikrofonin e A1 Report pasagjerët janë shprehur të indinjuar për veprimin e kompanisë Belle Air.
“Kam prerë biletën më 4 shtator. Dhe erdhëm 1 orë e gjysëm para. Në sportel na informuan se për arsye të kohës Belle Air nuk shkon sonte. “-thotë një pasagjer.
“Ne kërkojmë që të na kthehen lekët e biletës. Nëse kompania ishte në prag falimentimi nuk mund të shitej sërish bileta.”- thotë një tjetër.
“Kam fjetur në aeroport me shpresë se do niset pas dy orësh, më pas pas 3 orësh dhe më pas 4 orësh”- thotë pasagjeri tjetër.
ORA 12: 45: NE PRISHTINE KOMPANIA VAZHDON NORMALISHT PUNEN
Ndryshe nga çfarë ndodh Tirana, kompania “Belle Air” operimin e saj po e vazhdon pa problem në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari
“Fluturimet e parapara për datat e djeshme dhe të sotme, kompania po i realizon, madje edhe po pranon blerje të biletave për datat vijuese”, informon sot gazeta kosovare ”Zëri”
ORA 12: 30: KOMPANIA SHITI BILETA EDHE PASI KERKOI TE SHPALLEJ FALIMENTIMI
- Kompania ajrore “Belle Air”, ka depozituar të premten, në datën 22 nëntor 2013, kërkesën për falimentim. Kërkesa është bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, nga vetë përfaqësuesit e kompanisë. Por nëse kërkesa për falimentim është bërë të premten, njoftimi për pezullimin e punës, kompania e fluturimeve e ka bërë vetëm dje në datën 24 nëntor 2013, dy ditë më pas, duke prerë bileta për udhëtarët. Kompania kërkoi falimentin në gjykatë
(Në foto: Faksimile e padisë në Gjykatën e Tiranës)
ORA 12: 12: MINISTRIA E TRANSPORTIT NE 13:30 KONFERENCE PER SHTYP
Ministria e Transportit informon se në orën 13:30 do të mbajë një konferencë për shtyp në lidhje me njoftimin e pezullimeve te fluturimeve nga kompania ajrore Bell Air . Drejtoria e Aviacionit Civil, prej më shumë se një ore ndodhen në mbledhje në zyrat e DPAC-së, për të sqaruar situatën.
ORA 12: 08 BELLE AIR: BLUE PANORAMA AIRLINES DO MBROJE PASAGJERET
“Belle Air” përmes një njoftimi për shtyp informon se “Eshtë hera e parë që një kompani fluturimesh ofron mbrojtje të pasagjerëve te saj. Kompania që do të kryejë mbrojtjen e pasagjereve Blue Panorama Airlines vazhdon të jetë në pritje për marrjen e lejes nga Avioni Civil Shqiptar që nga dita e djeshme.”
ORA 10:25 TENSIONOHET SITUATA NE TERMINAL
Tensionohet situata në aeroportin "Nënë Tereza". Nga mëngjesi i sotëm, numri i qytetarëve që kishin prenotuar biletat me kompaninë e fluturimit "Belle Air" për udhëtimet e planifikuara, është shtuar, duke shkuar në rreth 350 pasagjerë. Ata nuk dinë se çfarë do të ndodhë me ta. ”Qytetarët të irrituar po tentojnë të bllokojnë Checkin e aeroportit madje dhe rrugën hyrëse.. Ata janë të revoltuar pasi askush nuk i jep një zgjidhje. Askush nuk i sqaron, dhe nuk i rimburson biletën.”- tha gazetari i tv A1 Report Ervin Koçi në orën 10:21 të paradites së sotme. “Pasagjerët duhet të paguajnë biletën nga e para. Nuk ka kalim në linja e tjera. askush nuk i sqaron askush nuk i rimburson”- shton ai.
(Në foto: Pasagjerët duke pritur në aeroport)
ORA 08:06: 100 UDHETARE PRESIN NE AEROPORT
Rreth 100 udhëtarë ndodhen në terminalin e aeroportit “Nënë Tereza” pasi kishin prerë biletat në kompaninë “Belle Air” për udhëtimet që ishin parashikuar për mëngjesin e sotëm drej Italisë
Njëri prej udhëtarëve, telefonoi në A1 Report për të shprehur shqetësimin se prej orës 05:00 ndodhen në aeroport dhe askush nuk jep asnjë informacion se çfarë do të bëhet me ta.
“Kemi prenotuar biletat në “Belle Air” për dy udhëtime, që ishin përcaktuar në orën 06:00 dhe në orën 07:00, njëri në Milano, tjetri në Venecia.
Kompania shqiptare e fluturimeve “Belle Air” ka shpallur dje pezullimin e përkohshëm të fluturimeve ndërkombëtare për shkak të situatës financiare. “Belle Air” njoftoi dje se janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare prej 18 ditësh. Përmes një njoftimi për shtyp kompania njoftoi të gjithë klientët se mund të përdorin biletat e blera për të fluturuar me kompaninë italiane “Blue Panorama”.
Por pasagjerët që ndodhen sot në mëngjes në terminalin e aeroportit thonë se askush nuk i ka njoftuar dhe nuk dinë se çfarë po ndodh.
“Jemi këtu prej orës 05:00. Kompania është e mbyllur, askush nuk na thotë asgjë. Nuk dimë çfarë po ndodh. Policia thotë nuk dimë gjë. Askush nuk përgjigjet. Edhe mbrëmë në orët e vona të natës kanë vazhduar të priten biletat “” – thotë Gjoni, nga Shkodra, një nga pasagjerët që presin në aeroport.
(Në foto: Udhëtarët në sportelet e Belle Air në aeroportin e Rinasit)
FAQJA ONLINE E BELLE AIR ESHTE E BLLOKUAR
Ndërkohë që sot në mëngjes faqja e Belle Air në internet është e bllokuar edhe qytetarët nuk kanë ku të komunikojnë.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)