Ben Andoni: Fikja e protestave dhe pse ato kanë fytyrën e njerëzve që i drejtojnë…

Ben Andoni: Fikja e protestave dhe pse ato kanë fytyrën e njerëzve që i drejtojnë…

Sali Berisha, Ilir Meta dhe kukulla e të voglës Jonada në Potam të Himarës

Në demokracitë hibride, siç është demokracia jonë, nevoja për të protestuar është e madhe dhe e nevojshme. Paçka, se flamurin e organizimit të tyre e marrin pak njerëz të kudo-shpesh-ndodhshëm që pastaj e shkrijnë të gjithën me interesat e ngushta politike.

Një gjë e tillë u pa dhe në orët e fundit, kur nevojës së madhe për të protestuar për fatin e trishtë të vajzës së aksidentuar në Himarë, iu bashkangjit grupi politik, i kudogjendshëm që tashmë përbën pjesën më të madhe të opozitës shqiptare.

Thirrjet e drejta për ndëshkimin, dorëheqjet apo apelet, iu ngjit pas pak vrulli i deklaratave të pafund politike për revansh. Për fat të keq, ashtu si në Kosovë, kemi krijuar traditë të mirë në protestën politike, ku qëllimi është të ngrihet kulti i udhëheqësit të ardhshëm, por asesi të atyre që lidhem me çështjet sociale.

Është ikonike një foto e protestave të vitit 1981 në Kosovë: po kundër-mësyjnë forcat serbe të armatosura me shkopinj gome, me helmeta dhe antiplumb dhe ndërsa e gjithë turma është në arrati, përballë u rri i ulur, në një pozicion mendimi alla-Roden një burrë i thjeshtë. Serbët duken të stepur para tij sepse “nuk e kuptojnë”, por është krejt e pakuptimtë ajo që po bëjnë para një njeriu, që mendon në mes të udhës, i ulur në tokë, e që duket sikur po u thotë: Jam në tokë timen, në mendimin tim dhe në qejfin tim. Çfarë dreqin doni?!

Ka disa arsye që njerëzit sot gjithnjë e më shumë e duan protestën jashtë shumë personazheve, që e shohin protestën thjesht e veç si revansh politik. Njerëzit duan të tregojnë dufin e problemave të mëdha. Dhe, protesta i identifikon me njëri-tjetrin, u tregon se nuk janë vetëm dhe bashkë me ta në të njëjtën gjatësi vale ka dhe shumë të tjerë. Bajagi shumë të tjerë.

Nëse pjesëmarrja është e madhe dhe zgjidhen dhe folësit, njerëzit mësojnë se ku ta orientojnë diskursin e tyre të ardhshëm. Përmes atyre që fliten, njerëzit mësojnë shumë më tepër por edhe kuptojnë sinteza, që nuk mund të bëhen dot nga të gjithë, qoftë për mundësie formimi, por edhe pamundësie burimesh.

Dhe, ka dhe një arsye , mbi të gjitha protesta të edukon dhe mbi të gjitha të tregon se ata që mëtojnë të afrojnë alternativa, se çfarë do të bëhet me ta në të ardhmen. Korrupsioni dhe keqqeverisja ka qenë emëruesi i përbashkët i të gjitha protestave pas vitit ’90, por në fund ata që kanë ardhur në fuqi janë bërë vetë objekt. Tek e fundit, publiku mëson se cilin ka përpara por edhe pse duhet t’i besojë apo jo! Protestat e 30 viteve na e kanë mësuar realisht.

Rama, si kryetar i opozitës, mundi të mobilizojë njerëz pa fund kur ishte në opozitë dhe mundi të përshfaqë një personazh krejt tjetër. Premtimet e tij sa i përket administrimit të vendit me kohë do të zvetënoheshin për shkak të gabimeve pa fund dhe emrave të ekzekutivit të tij, që në shumicën e rasteve ishin zhgënjyes edhe për vetë deputetët e Majtë. Opozita asokohe në Bashën, menjëherë pas ardhjes në fuqi të Ramës, mundi të bënte një nga protestat më të mëdha që do të shuhej pastaj, sepse sensi protagonist i Bashës nuk mund të shkonte kurrsesi me atë që besonin njerëzit, tek ai që mund të ndryshonte.

Meta si president mundi më 2 Mars, që falë Partisë Demokratike të nxirrte një masë të madhe njerëzish me të cilët krenohet deri më sot, duke ngritur një narrativë për keqqeverisjen dhe largimin e njerëzve, porse në thelb nuk mundi që këtë uragan siç thotë ta kanalizoj në udhë të përmirësimit të demokracisë sepse tek e fundit edhe lufta e tij është ngushtësisht për pushtet.

Kjo i ka bërë protestuesit, që tashmë edhe pse mblidhen më pak po për fat shpesh nga Shoqëria Civile, mundohen t’u tregojnë vendin marifetçinjve të politikës. Që u futën te studentët dhe kudo, duke ua prishur si iniciativa. Dhe, megjithëse kjo dredhë kuptohet, sërish ata janë gati. Ashtu, si ishin edhe të enjten e 4 Gushtit duke u munduar të instrumentalizonin dhe një protestë, ku duhej të merrte pjesë e gjihë Tirana e më gjerë. Sapo erdhën ata, shoqëruar me shpurat, dhe protesta do të fashitej, kurse njerëzit, sidomos protestuesit idealistë do të kuptonin, që marifetçinjtë janë gati edhe pse ata njësoj përgjegjës për këtë gjendje ku është vendi.

Më shumë akoma, të vjen keq, me një seri njerëzish të njëjtë për çdo kauzë, që mendojnë se e përfaqësojnë Shoqërinë Civile, por që i bien tam-tamave për të treguar se janë në pritje për ofertat e ardhshme politike. Sepse kështu ka ndodhur dikur edhe me kolegët e tyre të Majtë, që tashmë janë në pushtet. Protestat, zakonisht, kanë fytyrat e njerëzve që i drejtojnë dhe këto kanë treguar se dinë të përcjellin vetëm në kaos. Ja pse ajo fotoja e protestuesit të heshtur kosovar është ikonike, sepse tregon që individi proteston politikisht për idenë por jo për partitë politike. “E vetmja provë për të kundërtën ishte protesta e heshtur në kockat tuaja, ndjenja instinktive se kushtet ku jetonit ishin të patolerueshme dhe se në një kohë tjetër ato duhet të ndryshonin”, shkruan George Orwell tek “1984”

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë