Kur më shumë se kaq, në pak vitet e fundit, nuk ka pasur shpresë nga PD-ja dhe aktorët e ndryshëm opozitarë për rikthimin e mundësisë për pushtet. Tashmë kanë nisur të mendohen, vetëofrohen (eterit diplomatik), propozohen dhe njerëzit e ri në postin e lakmuar të kryeministrit. I duhet njohur një meritë e jashtëzakonshme Ramës dhe që do jetë e vështirë të arrihet nga pasardhësit në ulësen e tij: Rritja e krediteve dhe lakmive të këtij posti. Ku mund të kesh në dorë gjithçka, të nënshtrosh institucionet, të ndjesh fuqinë e një pushteti të paarritshëm për zgjedhësit dhe, të udhëtosh, takosh e flasësh me personalitete të të gjitha fushave, dëshirë qoftë dhe e vockël që çdo intelektual ta mbante mend për të gjithë jetën.

Dhe, nëse gjërat projektohen ashtu si e mendon PD-ja, në fakt ata shpesh e referojnë fundin e Ramës te pragu imagjinar kohor, por ai del më i fortë dhe e zgjat dhe e shton më shumë pushtetin, vendi i Ramës do ‘lirohet’ për një nga mëtonjësit e shumtë. Tashmë ish-kryeministri Berisha pothuaj e shikon si ta ketë nga dritarja, postin kryeministror që mund të projektohet si një cak që do e përcillte në një lavdi personale të paimagjinueshme liderin historik demokrat. Megjithatë në këtë amulli sociale, korrupsioni të pafund, shpërdorim të pasurive publike, arrogancë e hajni të shumë personaliteteve të administratës, duket se tek PD-ja është një prag që duhet kaluar.

Ai është i lidhur me 8 Janarin, datën famëkeqe të vitit 2022 që e shkërmoqi historinë e kësaj force politike dhe ku sot personazhet e dy kampeve që iu kundërvunë njëra-tjetrës, presin njësoj pushtet. Megjithatë të kthyer në invers. Një figurë skajore si Salianji, por që atë ditë mbahet mend për një mjet në dorë dhe krenarimin ndaj kolegëve të cilët donin të shkallmonin dyert e PD-së dhe që përfaqësonin grupimin e atëhershëm pa tagër zyrtar “Foltore”, është kthyer në personazh të ndryshimit të opozitës.

Këta të fundit, nën drejtimin e Berishës (që sot jep njëherë në ditë konferencë shtypi në prani të gjithë medias kryesore vendase), duke përdorur për orë të tëra ofendimet, gurët, levat e hekurit, shkallët dhe shkopinjtë u vunë në punë për të hapur dyert, blinduar nga delfini i tij Lulzim Basha, (tashmë humbur në periferi të historisë sonë politike) ndërkohë që në disa momente u kryen edhe përleshje fizike mes dy palëve.

T’i harrojmë ato verbale. Kjo luftë civile brenda PD-së u mbyll me dashamirësinë e nevojshëm të policisë dhe gazin lotsjellës, kurse mbrojtësit kundër Berishës janë kthyer tashmë në mbështetësit më të mëdhenj patetikë të tij. Por, “8 Janari”, që pak muaj më vonë do të zgjidhej “normalisht” nga shteti e futi nga dera Berishën dhe të gjithë turmën kaotike të PD-së, por u la një cak të paarritshëm që sot e kësaj dite parashihet si Rubikoni i tyre. Për të kaluar atë, njerëzit e PD-së nuk u duhet ajo që bënë kohortat e Jul Cezarit në vitin 49 p.e. sonë por një gjë fare e thjeshtë.

Të paktën të silleshin me partinë e tyre, jo ashtu si është sjellë Berisha dhe aleati i tij në “demokraci” Edi Rama por të bënin zgjedhje në interes të forcës së tyre dhe kthimit të normalitetit demokratik në formacionin e tyre politik. Kalimi me forcë që bëri Cezari e ktheu në diktator të përjetshëm, kurse tek ne kjo politikë po rezulton gati një autokraci e lodhur. Ja pse PD-së i duhet të kalojë lumin e saj Rubikon, që është në mentalitetin e tyre, i cili duket se nuk ndryshon dot aq lehtë, të paktën pas 8 Janarit 2022./Javanews