Ben Andoni: Pse idealizmi është kaq i huaj mes nesh?!

Ben Andoni: Pse idealizmi është kaq i huaj mes nesh?!

Tashmë në vazhdën e proceseve të brendshme të bashkimit te Rithemelimi dhe marrëveshjes me PS-në, fjala e para që të vjen ndërmend është morali. I kërkohet fillimisht Bardhit dhe Gjekmarkajt dhe u kujtohet lista e tyre e akuzave ndaj Berishës dhe familjarëve të tij apo mëtimeve të tyre patetike. U kërkohet tashmë morali i ujdisë grupeve të PS dhe Rithemelimit për marrëveshjen e fundit në parlament, që në fakt është përshëndetur nga i gjithë faktori ndërkombëtar. Marrëveshja, e cila me shumë gjasë ka dhe angazhime por edhe lëshime nga të dy palët (këto do merren vesh pak e nga pak dhe do kuptohen nga aktet politike të dy forcave), parashikon themelimin e dy komisioneve parlamentare hetimore. Kjo është pika që i ka “larë” fytyrën Rithemelimit se e detyroi maxhorancën por që i ka ‘dhënë’ oksigjen edhe PS-së në kërkimin e vazhdueshëm për normalitetin e munguar në parlament. Ndërkohë që marrëveshja parashikon gjithashtu krijimin e një grupi pune në kuadër të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, i cili do të diskutojë në lidhje me projektligje që kërkojnë shumicë të cilësuar. Tashmë, PD-ja Legale nuk duhet më për PS-në, kurse fati i Vulës së PD-së ka gjasa të marrë formë të paparashikueshme. Të kujtosh atë mal me akuza dhe të përfundojnë në asgjë, kjo ndodh me një situatë parapolitike siç ndodh rëndom në Shqipëri.

Por, lajmi i fundit më i freskët lidhej me Sazanin, ku të afërmit e ish-presidentit Trump do të kenë mundësi të ndërtojnë platformë turistike në ishullin tonë të fortifikuar në kohën e socializmit. Në fakt, të gjithë ardhjet e shqiptarëve të famshëm dhe të huajve sidomos janë përcjellë me histori krijimi biznesesh në vendin tonë. Por, për Ramën falë masës së madhe të propogandës, kjo nuk bën përshtypje as befasia sesi përplasen njerëzit me këto lajme. Për shqiptarët e thjeshtë tashmë po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë vendi i tyre dhe tejet cinik me masën e madhe të drejtorëve që qëndrojnë pas hekurave me akuzat për korrupsion. Apo politikanëve që lajnë duart si Pilati, pasi askush prej tyre nuk e dinte se çfarë bëhej ‘pas kurrizit’, mes tyre edhe vetë Rama.

Ky është momenti që njerëzit kujtojnë moralin. Morali është tejet i rëndësishëm në gjërat që përpiqemi të bëjmë. Mbi të gjitha njerëzit, ndryshe, nga të gjitha qeniet e tjera, i drejtohen vazhdimisht moralit. Tek e fundit, ligjet që drejtojnë një vend e kanë bazën tek morali, ku politika luan rolin kryesor sepse ajo i përshtat dhe i kthen në norma. Ndjenja e moralit duhet të reflektohet edhe të jetë në thelb tek politika. A është rasti shqiptar i tillë? Mungesa e idealizimit është një nga tiparet që e sheh me pak raste tek politika, por veprat e mëdha idealiste janë edhe më të pakta. Pasi qeveritarët tanë nuk mendojnë dot për Shqipërinë e të ardhmes, ashtu si drejtorët makutër të tyre, nuk e njohin se idealizmi është tipari më i madh, që frymëzon një komb. Konica e shtjellonte pak në formë baroke, por konstatimi nuk është se ka ndryshuar shumë prej atëherë:

“Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje. Do të kërkonte shumë kohë të shpjegohej përse Shqipëria nuk e ka fituar lirinë më herët. Akte të trimërisë e të devotshmërisë, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund ta bënin të dukej i rremë pretendimi im për mungesën e idealizmit. Por besnikëria e verbër ndaj traditave të ngulitura dhe kanuni qibar për nderin janë pothuaj akte mekanike, që nuk nënkuptojnë se dikush e rrezikon jetën për një ideal të zgjedhur lirisht”. Të mendosh është shkruar gati 100 vite më parë. (Javanews)

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë