Ka një ngarendje të madhe për të akuzuar për çdo gjë opozitën e sotme që përfaqësohet nga Partia Demokratike. Është një garë sesi të përçudnohet roli i saj. Nuk ka faj, i cili nuk i mbivendoset asaj. Për hir të së vërtetës shpesh përfaqësuesit e saj ia japin një mundësi maxhorancës që drejtohet nga kryeministri i sotëm Rama.
Në tollovinë që bëjnë në parlament, zhurmnajën, por më shumë nga të gjitha arsyetimin për përgjegjësinë lidhur me ndryshimin. I gjithë diskursi publik, orientuar prej tyre, merret me problemet e brendshme të vogla për kryesinë e partisë dhe të ardhmen e pamundur të Sali Berishës, liderit historik të saj.
Ky i fundit i vetëdijshëm për këtë rol, por aspak për të ardhmen e partisë së tij, pasi do t’i duhej të mendonte për fatin e saj në dekada në advancë e ka zbritur shumë diskutimin e brendshëm, bashkë me atë të ideve dhe mbi të gjitha ndryshimin. Përdryshe, për këtë ka shërbyer edhe puna e maxhorancës duke ia hequr lehtazi dhe ëmbëlsisht tullat ngrehinës së PD-së. Një grup i vogël njerëzish të PD-së sot mundohen të artikulojnë dhe të përqasin ide dhe probleme, por vazhdimisht përballë kanë murin e maxhorancës që nuk i lë për asgjë. Mbi të gjitha u ka zhvlerësuar fjalën. Jehona në kthim e adresimeve të tyre ka tollovitur vendin që është në një krizë morale dhe autoriteti besimi.
Në një situatë, gati të ngjashme, por në kushte të tjera, një nga krerët e opozitës shqiptare, Luigj Gurakuqi tregonte mundësitë e opozitës dhe arrogancën e maxhorancës së asaj kohe. Jemi në kohën, kur Ahmet Zogu është vetëm kryeministër dhe e shpërfill hapur opozitën: “Po të ndigjojmë shumicën e madhe t’anëtarvet të qeverisë, të gjitha të metat, të gjitha fajet e kësaj kundrejt atdheut e popullit, e kanë burimin në sjelljen e keqe t’opozitës. Për të mirën e Shqipnisë, për përparimin e begatinë e popullit duhet pra t’a shuejmë opozitën, këtë shtrigë të keqe e fatzezë, shkak mjerimesh e të vishtirash”.
Tallja therëse e Gurakuqit rëndon jo vetëm mbi Zogun por edhe shumë personalitete të asaj kohe që nuk e kuptojnë rolin e opozitarizmit. Mes tyre dhe Musa Jukën, asokohe bashkiak i Shkodrës. Dhe, mësimi i tij që sot e kanë të vështirë ta adaptojnë në opozitë për t’ia përcjellë maxhorancës: “Njeriu nuk mund të kënaqet vetëm me bukë, por ka nevojë edhe për gjellën e shpirtit. Buk’ e punë kishim, ndoshta me gjetun edhe nën thembrën e të huejit, por do t’ishte bukë e mbymyeme me turp, do të ishte punë me djersë gjaku. Ma mirë le të kënaqemi me pak, e të fërgohemi në vojin t’ën, por t’ushqejmë e të forcojmë shpirtin me ideale të nalta, që nuk vdesin kurrë”.
Dhe, kërkesa e tij është e mbetet për idealizimin, atë që i duhej asokohe Shqipërisë dhe që opozita mëton se po e përcjell pa asnjë përfitim. Këtë i kërkojmë sot opozitës tonë dhe ndryshimit, përpjekjen për një Shqipëri të thjeshtë dhe normale…me njerëz si… Luigj Gurakuqi. …kjo mbetet një thirrje në eter. Pak muaj më vonë nga shkrimi i këtyre rreshtave, personalitetin e njohur do ta vrisnin me një atentat në Bari. Ky mesazh u shkrua një të Shtunde, 3 Nanduer, 1923…shtoi në fund. Akoma shpresonte.
Komente












