Ben Andoni: Tani që Basha mbeti vetëm, e cilësojnë… kryetar!

Ben Andoni: Tani që Basha mbeti vetëm, e cilësojnë… kryetar!

Lulzim Basha

Shqipëria po përballet me një nga situatat më absurde të saj politike. Përballë një maxhorance që po bëhet gjithnjë e më shumë cinike kemi dy lloj opozitash: një syresh zyrtare, e cila ka zënë për inerci vendin e opozitës së dikurshme, pas largimit nga parlamenti dhe tjetra, ish-opozita parlamentare e cila zhvillon jetën e saj jashtë sistemit. Pa i gjetur dot ngjashmëri të afërta në dy dekadat e fundit si fenomen, vendin tonë e shqetëson një problem i madh për të ardhmen: Nëse do të punohet ndonjëherë si duhet për Kodin Zgjedhor!

Për shqiptarët është bërë e qartë se problemi nuk janë thjesht procedurat zgjedhore, që gjithsesi kanë një rol të madh dhe duhen ndryshuar medoemos por edhe sistemi zgjedhor, i cili ka treguar se nuk funksionon për asnjë logjikë. Specialistë të ndryshëm kanë afruar logjikshëm asistencë përmes shkrimeve analitike por edhe kanaleve të tjera, teksa duket qartë se të dy të fuqishmëve politikë të vendit, respektivisht PS dhe PD nuk i intereson. Së pari, bie struktura e tanishme ku çdo gjë kalon përmes dorës së Njëshit dhe klaneve afër tij, së dyti status quo-ja e tanishme mes tyre nuk është se nuk ia vlen për ta.

Problemi duket se mund të marrë jetë dhe të zgjidhet nga zhvillimet që mund të bëjë Opozita jashtë parlamentare. Që do të thotë se Lulzim Basha ‘ka arritur’ fitoren e madhe të parë në gjirin e partisë së tij. Çdo dështim ia mveshin atij dhe vetëm atij, aleatët një nga një po tregojnë se ai u nxitua, kurse Sali Berisha, presidenti i nderit i PD-së dhe ai që besohet/ej se ishte kryetari i vërtetë, është tërhequr (Kuptueshëm prej energjisë dhe moshës) duke konfirmuar se ai është… luajal me kryetarin Basha.

Le të shkëputemi fare pak: Dihet mirë se çdo herë pas viteve zgjedhore palët akuzojnë dhe pastaj pasi e harxhojnë një legjislacion të tërë me akuza dhe kundër-akuza ulen me një komision bi-partizan për rishikimin e Kodit Zgjedhor. Ky i fundit si zakonisht i shtyn punimet pa fund deri sa afrohemi te zgjedhjet e reja dhe kuptohet se bëhet zgjidhja më e mundshme e kënaqshme për të dy partitë që lë me gisht në gojë partitë e vogla. Raporti i radhës së OSBE/ODHIR e përsërit gjithçka nga fillimi përmes gjuhës karakteristike: Pati zgjedhje, por duhet një Kod Zgjedhor më i përshtatshëm…!

Vetëm se këtë herë duket se Reforma Zgjedhore është vënë kusht i padiskutueshëm dhe një nga njerëzit e Administratës së lartë amerikane ua bëri të qartë shqiptarëve. Por a do mundet ky Kod i ri, i cili duhet të ketë bashkëpunëtorë një maxhorancë dhe dy opozita paralele të funksionojë?! Të vegjlit kanë filluar nuhatjen se diçka nuk shkon kurse Bashën kanë filluar ta braktisin në tonalitetet e larta. Mediu, Duka dhe sidomos LSI po marrin kthesa sepse u duhet të jenë në sistem, mu në atë që Basha, jo pa bekimin e Berishës, i çoi në Ferr duke i larguar pa i pyetur. Anipse, kjo për Bashën ndoshta për herë të parë ka mundësi të jetë shumë pozitive, pasi mund ta ndjejë veten kryetar de jure dhe de facto përkundrejt dhe akuzave të lodhshme si shtojcë e Berishës nga kundërshtarët dhe ato nënzë nga kinse aleatët.

A do mundet apo a duhet të ulet me Ramën në një marrëveshje të dytë?! Pas ardhjes së gjykimit të Venecias për presidentin Meta, në mesin e muajit Tetor, do fillojnë lëvizje shumë të mëdha, për integrimin në sistem. Ndërkohë, që i vetëm Lulzim Basha duhet t’i dërmarrë që tani. Fillimisht të lëshojë te Kodi për hir të të vegjëlve dhe të godasë realisht sistemin, mu atë që e mban ende në një post, për të cilin duhet të provoj për publikun e gjerë se realisht e meriton. Veçse që tani që i kanë sytë të gjithë tek ai dhe e cilësojnë me plot gojën kryetar, Basha e ka nisur me frikë sikur të jetë në hapat e para. Duket e vështirë të mbash një trashëgimi të madhe si PD dhe për këtë duhet justifikuar. Veçse duket më e vështirë të mbash një post që e ke marrë pa bekimin e shumicës…ndaj Lulzim Basha mbetet gjithnjë i vetëm dhe pa busull. (Javanews)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë