Për fat të keq isha i bindur se Hashim Thaci dhe shokët e tij do dënoheshin.

Edhe vetë Hashimi e dinte.

Kur pashë fytyrën e tij prej guri në momentin që u shpall vendimi, kuptova se dhe ai nuk kishte asnjë dyshim.

Do dënohej sic u dënua.

Por ndërkohë që trishtimi nuk do i largohet më kurrë nga sytë, Hashimi e ka një ngushëllim.

Hashim Thaci nuk u dënua si vrasës, por u dënua si politikan.

Nuk u dënua nga gjykatësit e Hagës, por nga disa njerëz që nuk ishin fare aty.

Dyshimet, faktet, provat, dëshimtarët, mbrojtja dhe raportet ndërkombëtare nuk kanë asnjë rëndësi për këta njerëz.

Ata nuk japin vendime nisur nga provat, por nisur nga interesat globale.

Që kur Hashim Thaci është futur në burg bota ka ndryshuar shumë.

Pothuajse nuk njihet.

Rusia ka pushtuar Ukrainën,Izraeli ka pushtuar Gazën, Amerika ka sulmuar Iranin.

Evropa është më e dobët, Rusia më e egër, Amerika më e përcarë.

Luftërat e brendshme e kanë ndarë perëndimin më shumë se kurrë.

Liberalët janë kundër Rusisë dhe Izraelit, konservatorët janë pro.

Evropa është me gjysmën e Amerikës, kundër gjysmës tjetër.

Duket sikur rendi liberal po falimenton.

Demokracia nuk siguron më progres dhe unitet ideollogjik.

Vendimi që mori Gjykata Speciale e Hagës është pasqyrë e ndarjes së thellë ndërkombëtare.

Gjysma e Evropës dhe Amerikës e donin Hashin Thacin në burg si aleat të gjysmës tjetër.

Vrasjet e pretenduara,torturat e civilëve dhe shtëpia me gjethe nuk u provuan,sepse dënimi nuk u bazua asnjëherë mbi prova.

Për cfarë duheshin provat?

Kur Hashim Thaci u nis në Shtëpinë e Bardhë për të takuar Trumpin,libelarët nuk kishin nevojë për prova të tjera.

Nëse Hashim Thaci ka bërë një gabim në jetën e vet, ky ishte i vetmi gabim.

Prandaj u arrestua.

Megjithatë nuk duhet të jetë pishman.

E kush nuk do ta bënte këtë gabim?

Por ndërkohë që u nis si një hakmarrrje,vendimi kundër Hashimit ndryshoi rrugës.

Ai i ngjan pak atyre rasteve kur shtrigat që të kanë marrë peng, ta shtojnë dozën e helmit duke parë lëvizjen e reve.

Sa herë Rusia avanconte në Ukrainë, Hashimit ia shtonin dënimin,sa herë Izraeli vriste në Gaza dënimi dyfishohej,sa herë liberalët humbnin zgjedhjet, akuzat kundër Hashim Thacit forcoheshin.

Pasi u rrëmbye nga tavolina e Donald Trumpit, Hashimi u përdor për të trembur dy armiqtë më të mëdhenj të liberalëve.

Putinin dhe Netanyahun.

Është komike të mendosh se futja e një zogu në kafaz, mund të trembë tigrat dhe arinjtë e një pylli të cmendur, por gjuetarët përdorin të njëjtat mjete kundër të gjitha kafshëve.

Kafazët.

Ky krahasim cinik e bën dhe më të dhimbshëm rastin e Hashim Thacit.

Ndërkohë që ai cliroi vendin e vet, u krahasua me dy njerëz që kanë pushtuar vende të tjera.

Sado të krahasohet me tigrat dhe arinjtë, zogu mbetet zog edhe kur ha një milingonë.

Prandaj nuk është rastësi që Haga ka nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar për të tre.

Hashimi do ishte arrestuar kudo, kurse në Rusi dhe në Izrael Gjykata Ndërkombëtare nuk ka juridiksion.

Dhe pavarësisht se Gjykaka Speciale e Kosovës nuk është pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, arkitektura e Hagës është po ajo.

Parimi mbi të cilin ngrihet kjo ngrehinë juridike parashikon që trupa gjykatësish ndërkombëtarë të dënojnë kur gjykatësit vendas nuk munden.

Për këtë shkak mandati i Hagës që arrestoi Hashim Thacin i ndjek nga pas edhe Putinin edhe Netanyahun të cilët nuk shkelin dot në shumicën e vendeve të botës.

Megjithëse Trumpi ka thënë disa herë se nuk e njeh Gjykatën e Hagës,liberalët dhe demokratët perëndimorë e përdorin si armën e tyre të fundit.

Gjykaka Ndërkombëtare është forca e tyre.

Liberalët i mbajnë kollonat juridike të Hagës me thonj, sepse ajo e mbron rendin liberal nga armiqtë që e kërcënojnë.

Kjo është arsyeja pse Hashim Thaci u sakrifikua në themelet e kësaj gjykate.

Nëse Hashimi lirohej, Gjykata dobësohej.

Ky është thelbi i këtij vendimi.

Kjo është arsyeja pse Perëndimi nuk i dëgjon fare thirrjet për luftën e Kosovës.

Perëndimi ka hallin e vet.

Ai kërkon të bëjë shembuj.

Perëndimi kërkon ta përdori Gjykatën e Hagës për tu mbrojtur.

Prandaj isha i sigurt se Hashim Thaci do dënohej.

Horoskopi i luftës ishte i gjithi kundër tij.

Nëse Donald Trumpi nuk do kishte ardhur në pushtet, Hashimi do ishte në punë, nëse bota do ishte në paqe,Hashimi do ishte president,nëse qeveritë e shkundura të Evropës nuk do ishin duke rënë, Hashim Thaci do ishte i lirë.

Prandaj megjithëse është i vrarë, ai duhet të jetë i qetë.

E di që do kishte zgjedhur të ishte dëshmor i Kosovës, por fatkeqësisht është dëshmor i rendit liberal që e cliroi Kosovën.

Si në legjendat greke ai po flijohet nga perënditë që e ndihmuan të bëhej i pavdekshëm.

Hashimi nuk u dënua për atë që ka bërë por atë që mund të bëjë.

Botës nuk i duhej si president i një vendi të vogël, por si peng i një gjykate të madhe.

Prandaj duhet të jetë i qetë.

Ai nuk u dënua për dje por për nesër.

Nuk u dënua si vrasës por si politikan.

Dhe si politikan do lirohet.