BE-në do ta lehtësonte shuarja e Ballkanit të Hapur

BE-në do ta lehtësonte shuarja e Ballkanit të Hapur

Foto ilustruese

Paralajmërimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për shkrirjen e ideve të nismës Ballkani i Hapur në Procesin e Berlinit do të mirëpritej nga shumë qarqe në Bashkimin Evropian.

Deri më tash, Rama është shprehur vetëm në media se Ballkani i Hapur “e ka përmbyllur misionin e tij” dhe se idetë e kësaj nisme do të barten në Procesin e Berlinit.

BE nuk ka pasur reagime zyrtare rreth këtij paralajmërimi, por, jozyrtarisht, disa diplomatë evropianë thonë për Radion Evropa e Lirë se “kjo do të mirëpritej” dhe se “do të ishte një lehtësim i madh për forcimin e Procesit të Berlinit dhe të proceseve tjera”.

Nisma Ballkani i Hapur, e cila fillimisht është quajtur Mini Schengen, është ndërmarrë më 10 tetor 2019, në Novi Sad, dhe është nënshkruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nisma është kundërshtuar nga opozita në Shqipëri dhe është refuzuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Në kuadër të saj janë arritur disa marrëveshje, si për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë.

Lidhur me paralajmërimin e Ramës për shuarjen e saj, Vuçiç ka thënë se “nuk mund ta besojë se ai Rama e ka thënë një gjë të tillë”. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur ndonjë reagim.

Cili ka qenë qëndrimi i BE-së?

BE-ja ka qenë vazhdimisht e paqartë rreth kësaj nisme.Formalisht, nuk është shprehur kundër, sepse, në parim, mbështet çdo nismë që ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Por, në anën tjetër, shumë qarqe në BE e kanë parë atë si dublifikim i proceseve ekzistuese, si: Tregu i Përbashkët Rajonal, Procesi i Berlinit, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Marrëveshja për Tregti të Lirë - CEFTA e të tjera.

Në pyetjen se a e mbështesin nismën Ballkani i Hapur, në BE gjithmonë janë përgjigjur duke thënë se “mbështesin çdo nismë për bashkëpunim rajonal, e cila është gjithëpërfshirëse” dhe në të cilën janë “të gjashtë partnerët nga rajoni i Ballkanit Perëndimor”.

Marrë parasysh se në nismën Ballkani i Hapur, edhe pas disa vitesh, kanë mbetur vetëm tri vende anëtare: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, për të nuk mund të thuhet se është gjithëpërfshirëse.

Prandaj, shumë diplomatë në BE, jozyrtarisht, kanë shprehur qëndrimin se kjo nismë nuk e ka mbështetjen e plotë.Në vend të kësaj, nga BE-ja është bërë thirrje që vendet e rajonit të fokusohen në Procesin e Berlinit, edhe pse as ai proces formalisht nuk është në kuadër të veprimit institucional të Bashkimit Evropian.

Nismën Ballkani i Hapur, ndërkohë, e kanë mbështetur vende si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe Hungaria, të cilat kanë dërguar edhe zyrtarë të tyre në takimet e saj.

Edhe komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka folur në disa takime të Ballkanit të Hapur.Nga ana tjetër, Procesi i Berlinit ka fituar një mbështetje të plotë nga të gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ashtu si edhe mbështetje ndërkombëtare.

Qëllim i kësaj nisme ndërqeveritare është t’i lidhë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian dhe t’i ndihmojë ata të ndërtojnë marrëdhënie të ndërsjella mbi bazën e vlerave evropiane.

BE-ja ka qenë shumë aktive në mbështetjen e këtij procesi, duke u treguar e gatshme edhe për bashkëfinancimin e disa projekteve.

Procesi i Berlinit përfshin të gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke i cilësuar të gjitha si shtete, për dallim nga disa procese të tjera, ku BE-ja apo vendet e rajonit kanë rolin kryesor dhe ku - për shkak të Kosovës që nuk njihet nga Serbia dhe Bosnja - ato quhen “partnere” apo “gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor”.

Procesi i Berlinit është nismë gjermane, e mbështetur edhe nga shumë shtete të tjera të BE-së, si: Gjermania, Franca, Italia, Austria, Kroacia, Bullgaria, Sllovenia, Polonia dhe Greqia. Edhe pse nuk është më anëtare e BE-së, pjesë e procesit vazhdon të jetë edhe Britania e Madhe.

Të gjitha këto vende janë shprehur të gatshme të japin kontributin e tyre, për t’i ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre për zhvillim dhe afrim me standardet e BE-së.Në samitet e Procesit të Berlinit kanë marrë pjesë edhe liderët e institucioneve të Bashkimit Evropian, përfshirë presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Procesi i Berlinit ka nisur si ide e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel. Por, edhe pasardhësi i saj, Olaf Scholz, ka vendosur ta mbajë këtë proces si prioritet. Ai ka qenë mikpritës dhe organizator i një samiti, ku janë nënshkruar disa marrëveshje kyçe mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili edhe do të jetë mikpritës i samitit të radhës të Procesit të Berlinit, shihen nga shumë diplomatë në BE si mundësi për “rrugëdalje të ndershme”.

Sipas tyre, tri vendet e Ballkanit të Hapur do të mund të thonë se kjo ide “nuk ka qenë e kotë” dhe se ajo “do ta begatojë Procesin e Berlinit”.Ndërkohë, siç thonë diplomatët, do të hiqet edhe presioni ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës që t’i bashkohen një procesi, të cilit nuk i janë bashkuar deri më tash.

Në Kosovë, të gjitha qeveritë kanë qenë kundër Ballkanit të Hapur, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë ka pasur mospajtime të brendshme, për shkak të të cilave vendi nuk ka mundur të bëhet pjesë.

Qeveria e kaluar e Malit të Zi ka qenë kundër, ndërsa fituesit e zgjedhjeve të qershorit kanë shprehur gatishmërinë që ta shqyrtojnë pjesëmarrjen në Ballkanin e Hapur. Megjithatë, edhe në Mal të Zi kjo çështje ka krijuar ndasi në spektrin e brendshëm politik./REL

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës