TIRANE- Ministri i Shëndetsisë Ilir Beqaj, gjatë analizës vjetore të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetsor, u shpreh se për herë të parë kemi uljen e barnave me 6-7%. “Kemi rimbursuar ndjeshëm më tepër, sepse për 9 muaj,  pra 3/4 e vitit ishim pa TVSH 10%, patëm përdorim të marzheve të diferencuara, por patëm edhe uljen e parë të barnave vjet në nivel 6-7%.

Kemi rimbursuar më shumë vitin e kaluar, por a duhet të bëjmë një analizë, përveç rimbursimit të disa barnave shumë të kushtueshme, që janë për sëmundje shumë të rënda, se sa efektiv kemi qenë me këto barna. Me barnat që shtuam për herë të parë në listë,  se vjet shtuam listën me 56 barna, apo edhe me efektivitetin e përdorimit të tyre, duhet të shtojmë presionin pozitiv edhe ndaj mjekëve në shërbimin parësor’, -  u shpreh Beqaj gjatë prezantimit të FSDKSH.

Ministri i Shëndetsisë kërkoi që edhe ndryshimin e recatave, pasi mjekët në disa raste japin receta të ndryshme për sëmundje të njëjta. “Në sëmundjet e zemrës apo në sëmundjen e diabetit na rezulton që recetat që japin mjekët, janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Në qoftë se bëhet fjalë për të njëjtën sëmundje, të të njëjtit sistem shëndetësor, nuk mund të kemi kaq shumë devijime në terapitë që përshkruajnë mjekët, në barin, në formëdozat apo në momentin kur fillon një bar i dytë, kur bari i parë nuk e dha akoma efektin’, - theksoi Ministri i Shëndetsisë.
 
Analiza
Gjatë analizës vjetore të FSDKSH-s, drejtori Astrit Beci theksoi se deri tani janë rreth 100 mijë persona që janë pajisur me kartë shëndeti, duke shënuar një nga sukseset më të mëdha gjatë vitit 2014. Një nga rritjet më të rëndësishme të FSDKSH-së këtë vit, ishte ofrimi i paketave të disa shërbimeve të nekrologjisë dhe kardiokirurgjisë, sipas kostove të përcaktuara drejt, si në spitalet publike ashtu edhe në ato jopublike’, - theksoi Beci. 

Sipas drejtorit të Fondit rreth 900 pacientë kryejnë dializën në 4 spitale publike dhe 3 spitale private. “350 ndërhyrje nga 1 dhjetori 2014 deri më sot të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, me financim 100% nga FSDKSH”, 12 transplante të veshkave të kryera me sukses në spitalet private, po ashtu me financim të plotë nga FSDKSH’, - përmendi Astrit Beci. gjatë vitit 2014, u konkretizua dhe një prej premtimeve madhore të Qeverisë: Kontrolli Mjekësor Bazë për popullatën 40-65 vjeç.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)