Avokati i Ilir Beqajt, Ermail Yzeiraj, i ka dërguar një kërkesë Drejtorisë së Burgjeve që klienti i tij të mos qëndrojë më në kafazin e sigurisë.
Në një postim në rrjetet sociale, ai e ka quajtur të drejtë dhe në përputhje me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kërkesën e Beqajt. Yzeiraj thekson se kjo është lehtësisht e realizueshme pasi niveli i sigurisë në GJKKO është maksimal.
Avokati nënvizon se kërkesa e drejtuar fillimisht gjykatave nuk është realizuar pasi shprehen se kjo çështje nuk lidhet me to, ndaj tani pritet reagimi nga Drejtoria e Burgjeve.
“Së fundmi, Z. Ilir Beqaj, në të dyja proceset gjyqësore të iniciuara ndaj tij, i ka kërkuar gjykatës që gjatë seancave të mos qëndrojë më brenda kafazit të sigurisë, por në sallë, pranë meje si avokat mbrojtës.
Kjo kërkesë nuk është thjesht e arsyeshme, e drejtë dhe në përputhje të plotë me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut por, mbi të gjitha, është praktikisht edhe lehtësisht e realizueshme. Sidomos në kushtet e Gjykatës së Posaçme, ku niveli i sigurisë është maksimal.
Në praktikë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka hasur asnjë vështirësi për të garantuar shoqërimin e lirë të personave të paraburgosur kur ata paraqiten si palë apo dëshmitarë në Kuvendin e Shqipërisë (rasti i Z. Ilir Beqaj në komisionet e posaçme të kuvendit), apo në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën Administrative (rasti i Z. Veliaj). Paradoksalisht, i vetmi institucion ku një shoqërim i tillë jashtë kafazit bëhet “i pamundur” është pikërisht Gjykata e Posaçme — gjykata më e sigurt në vend.
Të dyja gjykatat, me vendime të ndërmjetme, u shprehën se kjo çështje nuk është në kompetencën e tyre, por i përket Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në këto kushte, më datë 10.04.2026 i kemi drejtuar këtij institucioni një kërkesë zyrtare për të mundësuar qëndrimin e Z. Ilir Beqaj në sallë, pranë mbrojtësit, dhe jo në kafazin e sigurisë.
Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një reagim.
Në të kundërt, lind një pyetje e thjeshtë: nëse shoqërimi jashtë kafazit të sigurisë kjo është i realizueshëm kudo tjetër pa asnjë problem sigurie, atëherë kafazi në sallën e Gjykatës së Posaçme nuk është çështje sigurie por çështje ndikimi në perceptimin se si i pandehuri duhet të shikojë veten, si gjykata dhe palët e tjera duhet ta shikojnë atë dhe se si duhet ta shikojë publiku dhe mediat”, shkruan Yzeiraj.
Beqaj ka thënë se ai mbahet në kafaz edhe në kundërshtim me disa nga vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që e kanë cilësuar këtë praktikë si një mënyrë që bën të perceptohet se i akuzuari, edhe pse i parrezikshëm, shfaqet si një “kriminel i rrezikshëm”.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente







