TIRANE- Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka marrë pjesë sot në forumin e hapur të biznesit të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për tregun farmaceutik. Duke u ndalur tek situata në të cilën e ka gjetur këtë treg, ministri Beqaj tha se institucioni që ai drejton do të garantojë lirinë e tregut dhe konkurrencën e ndershme, duke eliminuar monopolet. Kreu i Shëndetësisë ngriti shqetësimin se çmimet e barnave në vendin tonë shpeshherë janë më të larta se në vendet e BE, duke u shprehur se do të ulet çmimi i shitjes së tyre.
 
“Çmimet e barnave janë shpesh më të larta se në vendet e BE. Në zonat rurale shërbimi farmaceutik mungon. Ne do të ulim çmimin e shitjes së barnave në Shqipëri. Nuk do të ketë asnjë produkt farmaceutik të regjistruar që do të shitet në vendin tonë me një çmim më të lartë se në vendin e tij të origjinës. Ne do të rrisim cilësinë dhe sigurinë e barnave, duke shtuar kujdesin për indikacionet, në përputhje me standardet evropiane dhe njëkohësisht, do të rrisim kontrollin e cilësisë gjatë të gjithë zinxhirit të shpërndarjes së barnave”, tha Beqaj.

Ministri tha se të gjitha kompanitë farmaceutike që nuk i përgjigjen kërkesave të spitaleve për barna për dy vjet do t’u hiqet autorizimi në Shqipëri, për t’iu hapur rrugë kompanive të tjera.
 
“Ende nuk kemi mbuluar 100 përqind me barna QSUT. Nga prilli deri tani në shtator , për QSUT-në nuk është arritur të prokurohen 88 barna, nga të cilat 39 barna janë të regjistruara. Nëse kompanitë farmaceutike nuk i përgjigjen kërkesave të spitaleve për dy vjet u hiqet autorizimi”, tha Beqaj.
 
Për të rritur cilësinë e shërbimit farmaceutik, ministri Beqaj tha se do të krijohet një sistem gjurmimi për kontrollin e barnave në mbarë vendit.
 
Ndërkaq, Ministri e Shëndetësisë thotë se Qendra e Kontrollit të Barnave do të shndërrohet në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Materialeve Mjekësore
 
Duke u ndalur tek pullat postare, ministri Beqaj tha se në 9 muaj të 2014-ës janë emetuar 34 779 549 pulla, 10 % më shumë se në të njëjtën periudhë të 2013, ku u emetuan 31 564 157.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)