TIRANE- Spitalet këtë vit do të kenë më shumë barna në shërbim të pacientëve, po kështu edhe laboratorët më shumë kite dhe reagentë për të kryer analizat. Ndërkohë që procesi i tenderimit të këtyre barnave dhe materialeve mjekësore pritet që të përfundojë në muajin maj dhe më pas për të gjithë pacientët të sigurohet një furnizim normal për pacientët. Ky fakt është pohuar nga vetë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dje gjatë prezantimit të listës së barnave spitalore. Sipas tij, në spitale do të ketë më shumë ilaçe, pasi ato janë blerë me çmime më të lira se në vitet e kaluara.

“Kemi nisur një proces që në rastin normal nga mesi ose fundi i majit fillon furnizimin e plotë. QSUT dhe spitale të tjera janë në proces negocimi për të bërë furnizimin gjatë këtyre javëve“, tha Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë. Sipas tij, shumë shpejt do të ketë ndryshime ligjore edhe përsa i përket përfitimit të barnave kur je i shtruar në spital. “Ka një rregull që kur je i shtruar në spital, nuk përfiton barna me rimbursim nëse je i sëmurë i tillë.

Këtë vit, besoj se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave do të vijmë me një ndryshim të rregulloreve tona, në mënyrë që edhe kur je në spital, të mund të vazhdosh të marrësh barna sepse ti shtrohesh në spital sot, por ke një sëmundje tjetër kronike që nuk ka lidhje me atë që je shtruar, por ke nevojë edhe për ato barna”, ka theksuar kreu i shëndetësisë. Por, sipas Beqaj sërish do të ketë pacientë të cilët do të dalin me recetë në dorë për të blerë medikamente jashtë, pasi shumë shërbime janë ambulatore, që do të thotë, pacienti kryen vizitën dhe mjeku jep recetën e kurimit në kushtet e shtëpisë.

“Por ende do të ketë në spitalet tona njerëz që marrin një recetë në dorë dhe kërkojnë që këto barna t'i blihen. Sepse në radhë të parë spitalet tona bëjnë edhe vizita ambulatore që do të thotë që merren receta, barnat e të cilave duhet të merren në farmaci. I merr me rimbursim 100 % ose e merr me rimbursim të pjesshëm kjo është një skemë tjetër”, tha Beqaj.

Monitorimi
Por një pikë e fortë këtë vit, tha ministri Beqaj, do të jetë dhe forcimi i sistemit të monitorimit mbi gjendjen e farmacive të spitaleve. Çdo medikament i mbetur stok, do të përdoret aty ku ka nevojë. Nga ana tjetër, këtë vit një vëmendje e madhe i është kushtuar dhe laboratorëve, pasi sipas Beqaj një bazë më e mirë laboratorike, që i jep informacion shumë më të plotë dhe më të shpejtë mjekut, e bën që edhe ai vetë të përdorë me më shumë efektivitet ato barna që kanë në shërbim.

Nga ana tjetër, drejtoresha e QSUT-së Ogerta Manastirliu tha se buxheti i QSUT-së është rritur nga 1,7 miliardë në 2,2. Ndërkohë që ka patur shtesa në medikamente në pavijonet e onkologjikut, kardiologjisë , hermodinamikës, pediatrisë dhe të gjitha urgjencave. “Planifikimi është përqendruar në dy drejtime, së pari në plotësimin e nevojave për shportën bazë të medikamenteve dhe materialeve mjekësore për urgjencat, reanimacionet, sallat operatore.

Së dyti, barnat specifike, ku kemi dyfishuar sasitë për linjën e parë të citotatikëve për onkologjinë krahasuar me vitin 2013; citostatikët për anko-hematologjinë për fëmijët dhe adultët për herë të parë në QSUT”, ka pohuar Manastirliu. Kjo e fundit ka deklaruar se do të forcohet edhe kontrolli për barnat, në mënyrë që të garantohet që ato të shkojnë te pacienti dhe jo të ketë rrjedhje gjatë shpërndarjes së tyre.
 
 Shkrimi u publikua sot (14.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)