Funksionimi i këtyre qendrave është cilësuar nga Beqaj si garanci dhe lehtësim për mbarëvajtjen e sezonit turistik. “Në bashkinë e Vlorës ne kemi 5 qendra shëndetësore, të cilat janë në mbështetje të mbarëvajtjes së sezonit turistik veror, dy prej tyre janë qendra shëndetësore, të cilat funksionojnë gjatë gjithë vitit, por në muajt e verës i kthejmë në shërbim 24-orë, siç është edhe QSH-ja e Orikumit, por ndërkohë kemi pikë shëndetësore në Radhimë, pikë shëndetësore në Zvërnec dhe një pikë tjetër në Plazhin e Vjetër në Vlorë. Ky është një shërbim që ofrohet për herë të dytë, pas vitit të kaluar. Besoj se ka lehtësuar mbarëvajtjen e sezonit turistik veror duke i dhënë mundësinë mysafirëve, pushuesve, vizitorëve, turistëve të marrin një shërbim shumë më pranë por besoj duke i dhënë edhe më shumë mundësi operatorëve turistikë që në paketat e tyre të kenë edhe garancinë e një kujdesi shëndetësor shumë më pranë vendeve ku ata kanë zgjedhur të pushojnë” theksoi kreu i shëndetësisë.
Sipas tij, përgjatë muajit gusht pritet që të ketë një rritje të numrit të turistëve në këto zona dhe për pasojë edhe rritje të numrit të pacientëve, të cilët do kërkojnë ndihmë mjekësore pranë këtyre qendrave. “Natyra e rasteve që kërkojnë shërbim mjekësor lidhet me problemet e stinës, qoftë infeksionet virale, problemet gastro-intenstinale, por edhe çështje që lidhen me rrezatimin e diellit apo pickimet e insekteve, me alergjitë. Ne kemi bërë një furnizim, besoj unë të mirë, në barna dhe materiale mjekësore. Sa i përket statistikave, rezulton se në të pesë qendrat e Vlorës kemi rreth 1125 raste të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë që nga fillimi i sezonit, por duket që do të kemi më shumë ngarkesë, pasi vetëm javën e fundit janë vetëm 390 raste që kanë pasur nevojë dhe kanë marrë shërbim. Sigurisht, kemi edhe një mbështetje me flotën e autoambulancave për raste që duhet të referohen më tej për në Spitalin Rajonal të Vlorës, apo në raste të caktuara me transport ajror apo tokësor drejt spitaleve universitare në Tiranë,” pohoi ministri Beqaj.
Për kryetarin e Bashkisë së Vlorës, funksionimi i pikave shëndetësore në bregdet tregon qëndrueshmërinë e politikave shëndetësore, të cilat janë shumë pranë pacientëve dhe qytetarëve.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com