Beqir Meta: Jo rishikimit të
historisë nga ish-pushtuesit

Beqir Meta: Jo rishikimit të<br />historisë nga ish-pushtuesit
TIRANE - Që nga Janari i këtij viti, debati për rishikimin e Historisë së Shqipërisë, për sa u përket marrëdhënieve me Perandorinë Osmane ka precipituar në një debat absurd politik e diplomatik, ku për fat të keq përfaqësues të institucioneve shtetërore në Shqipëri e Kosovë më tepër i përafrohen mendimit të rishikimit të kësaj historie që turqit të mos shihen si ish-pushtues. Ndryshe mendon historiani i njohur Beqir Meta, autor i dhjetëra librave që prekin temat e reprezaljeve 100-vjeçare shoviniste dhe grabitjes së kufijve nga fqinjët tanë grekë, serbë, etj. Historiani Meta përpjekjen për rishikimin e historisë nën mbikëqyrjen e Turqisë e quan një qëndrim të paprecedent të politikanëve shqiptarë e turq, të cilët dalin kundër mendimit shkencor historik e akademik.
 
Zoti Meta, ende nuk është bërë i qartë qëndrimi i institucioneve shqiptare për çështjen e rishikimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoriteteve turke. Nisur nga shumica e debateve që kemi ndjekur, del se përfaqësues të institucioneve tona pak a shumë e aprovojnë kërkesën e turqve, po ju si studiues i historisë çfarë mendimi keni?
-Unë mendoj se ka nisur të fryjë në vendin tonë një propagandë ish-pushtuesish, duke përfituar nga heqja e izolimit të vendit tonë. Kjo propagandë e ish-pushtuesve tanë që thonë se kanë qenë jo pushtues ka nisur të fryjë jo vetëm nga vendet e Europës, por edhe ato të Ballkanit. Shtete të ndryshme kohët e fundit kanë kërkuar që të ridimensionohet rishkrimi i historisë sonë kombëtare, sipas konceptit të tyre. Kjo është një çështje delikate për t’u trajtuar, kur gjithsesi ne si historianë iu kemi dhënë një përgjigje konkrete, korrente kësaj çështjeje, duke gjykuar për të gjitha shtetet në mënyrë të barabartë. Ka kërkuar Turqia rishikimin, e ka kërkuar Serbia. Por historiografia shqiptare nuk shihet nga këndvështrimi i ish-pushtuesve sepse kjo do të ishte absurde. Historiografia kombëtare bazohet në argumentin shkencor të ngjarjeve dhe fakteve, por në peshimin e këtyre ngjarjeve dhe në përcaktimin e tyre ajo niset nga një qëllim dhe nga një bosht dhe ky është sesa këto ngjarje dhe si këto ngjarje kanë ndikuar në afirmimin e kombit shqiptar, më mbijetesën e tij, në zhvillimin e tij, më konsolidimin  e tij, në ndërtimin e shtetit të tij dhe të pavarësisë së tij. Nuk mundet politika otomane të shikohet në një optikë tjetër nga shqiptarët.
 
Pra, teza e ministrit turk të arsimit se ka fjalë fyese për turqit si pushtues nuk qëndron?
-Se çfarë kanë qenë turqit për shqiptarët mund ta shikonte vetëm Perandoria Otomane po të ishte gjallë. Ajo nuk ekziston më, dhe historia tregon se qëndrimet e shqiptarëve përputhen me interesat e ekzistencës së shtetit shqiptar. Ky është thelbi. Nuk janë  turqit e sotëm ata që do të gjykojë historinë e kaluar, se Turqia e sotme është shtet që ka dalë, është shkëputur nga perandoria osmane, nuk është shteti osman. Këtë duhet ta kenë të qartë, dhe studiuesit turq dhe intelektualët turq. Ata që janë të formuar e të avancuar e kanë shumë të qartë, por në Turqi po fryn një erë neo-Otomanizmi, i cili kërkon dhe ka pretendimet e veta, kështu që nuk mund të prekin historiografinë shqiptare. Historia shqiptare ka objektivat e veta, formatin e vet botëkuptimor dhe mbi atë bazë duke mos shtrembëruar të vërtetën historike dhe ajo ka si qëllim themelor që të tregojë sesi ky komb arriti deri në ditë tona, sesi ky komb arrtit të dalë nga Perandoria, çfarë marrëdhëniesh pati me Perandorinë Osmane. Pse doli, pse derdhi gjak që të dilte i pavarur, për mirë apo për keq. Pra analiza është në përputhje me lirinë e kombit shqiptar, në përputhje me ekzistencën e tij, nuk mund të shkojë historiografia shqiptare kundër të drejtës së ekzistencës së kombit shqiptar, s’ka logjikë, këtu do të ketë diskutime.
 
Dhe diskutimet duket sikur peshojnë nga ana e turqve...
-Historia është shkencë, por duke qenë shkencë humane duhet të zbatojë këto parime. Një historian shqiptar nuk mund të shkruajë si antishqiptar. Ne si komb duhet të prodhojmë historinë tonë, do të shikojmë kohët tona të formimit si komb, rrethanat historike, kush na ndihmoi, kush na pengoi dhe nuk duhet të ndikohemi nga këto ndërhyrje, aq më tepër që shkrimi I historisë është një proces akademik, aq më tepër që gjëja themelore e këtij procesi shkencor është liria akademike. Liria akademike nuk mund të cenohet as nga politika brenda vendit, as nga politika jashtë vendit. Po hyri politika në këtë mes si jashtë vendit dhe brenda vendit është e njëjta gjë, që s’kemi të bëjmë me një kërkim shkencor, por kemi të bëjmë me një propagandë të orientuar deri në limite që jeton x apo y fuqi politike, kjo e bënë të pavlefshëm ndërhyrjen e shteteve të huaja, në kërkimin tonë akademik historik shkencor. Ne kemi bërë para ca kohësh një konferencë ku kemi thirrur aty, turq, grekë serbë. Grekët erdhën, por serbët jo, refuzuan të vijnë. Pse refuzuan serbët, se janë miq me ne? Kemi thirrur bullgarë, maqedonas, italianë, 8-9 studiues turq dhe ata kanë qenë të lirë të shprehin të gjitha pikëpamjet dhe kemi marrë edhe pikëpamje pro dhe kundër. Kjo konferencë ishte gjëja më e mirë, sepse dhanë mendime për të diskutuar historianë të njohur dhe studimet e tyre do të botohen të paprekura dhe ka edhe pikëpamje që do t’i botojmë kur të vijë ku flitet për marrëdhëniet e shqiptarëve me xhonturqit, ku shtrohet një pyetje: Kush tradhtoi dhe kë?! E shumë e shumë gjëra të tjera, ku turqit hedhin këndvështrimet e palës së tyre. Por, liria akademike është themelore dhe ne i pranojmë për diskutim, por kjo nuk do të thotë që duke rrahur nëpër dokumente të përafrohet qëndrimi me me atë të politikanëve.   
 
Po përpjekjet e kohëve të fundit për çmitizimin e simbolit të luftës kundër pushtimit otoman, Skënderbeut, kanë lidhje me atë që thatë ju se “po fryn era e neo-Otomanizmit”?
-Koncepti i mitizimit, qoftë edhe koncepti tendencioz i demitizimit, sigurisht që në të dy rastet bëhet që të shtrembërohet e vërteta. Në të dyja rastet cenohet shkenca, cenohet profesionalizmi në trajtimin e ngjarjeve historike, apo edhe të sotme. Për shembull po marr rastin e Oliver Shmitit në librin e Skënderbeut. Ai kuptohet është studiues shumë i mirë, di shumë gjuhë të huaja, punëtor etj, etj, por ai u nis në këndvështrimin e figurës së Skënderbeut nga një këndvështrim shumë tendencioz, që ta çmitizonte atë. Ndërsa në fakt historiani nuk niset kurrë nga një pozicion i tillë. Niset nga pozicioni i trajtimit objektiv dhe i sapoballancuar i ngjarjeve. Çdo lloj këndvështrimi tjetër është i detyruar të shtrembërojë metodën dhe të deformojë metodën e analizës. Ka një tendencë më mediat e sotme edhe nga njerëz të veçantë që duan patjetër ta çmitizojnë figurën e Skënderbeut. Ky është gabim. Qëllimi i vetëm duhet të jetë të japim në dimensionet objektive dhe aty hyjnë edhe kontributet individuale me pluset edhe minuset e veta.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'