Beqiri në Report Tv: Për 21 janarin ka prova të reja, Berisha urdhëroi krimin! Çoi truprojën me 300 mijë euro te familja e Hekuran Dedës që t’i blinte heshtjen

Vëllai i protestuesit të vrarë më 21 Janar, Hekuran Deda, u pyet sot (28 janar) në SPAK, teksa pritet nesër dëshmia e vëllait tjetër. Po ashtu do paraqitet dhe të japë llogari edhe ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi.

Provat e reja kanë çuar në thellimin e hetimeve për ngjarjen, teksa pyetja që ngrihet në opinionin publik është nëse do dënohen urdhëruesit. 

Debatet për dosjet e nxehta të SPAK dhe situata në Gjykatën Kushtetuese, fondet e pezulluara nga SHBA a do të kenë ndikim te SPAK, ishin disa nga temat e diskutuara sot në emisionit “Studio Live” të Report TV, të moderatorit Arbër Hitaj. Të ftuar ishin avokatët Idajet Beqiri dhe Fatmir Merkoçi. 

“Po, ka zhvillime të reja. Sot e patë që shkoi vëllai i Hekuran Dedës, nesër do shkojë edhe tjetri. Kjo është në kuadër të hetimeve dhe memories që i kemi bërë SPAK-ut, ku kemi përcaktuar rrethin e dëshmitarëve dhe provave, deri tani gjysma që kemi thënë në memorien tonë janë pyetur nga SPAK dhe një tjetër nga këto fakte është që shoqëruesi i Sali Berishës i ka shkuar me valixhe me 300 mijë euro që t’i shkonin gjoja për homazh dhe që të mos kërkonin vrasësin se nuk ishte Sali Berisha pas vrasjes, t’i blinte heshtjen dhe bindte që të mos thoshin se e bëri ai. Do dëshmojnë edhe të tjerët, do thirren dëshmitarë nga më të fortët për procesin. Por edhe për t’i fiksuar dëshmitë e tyre, për ekzekutorët, nga i morën urdhrat që bën atë krim shtetëror. Do shkojë ish-presidenti i republikës, Bamir Topi, ish-Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, dhe ish-kryeministri Edi Rama, që ka qenë në opozitë. Krimet janë të rënda. Sajuan prova, i zhdukën, ngritën alibi të ndryshme, kapën dhe sulmuan gjykatat e prokurorinë. Strasburgu i dha zgjidhje që e cilëson si vrasje shtetërore, edhe Gjykata e Lartë e njëjtë në vendim”, tha avokati Beqiri. 

Më tej ai theksoi se këtë krim shtetëror e ka pranuar edhe vetë ai që është urdhëruesi, ish-kryeministri Sali Berisha, aktualisht prej më shumë se një viti nën akuzë dhe i pandehur nga SPAK për aferën në dosjen “Partizani”.

“Tre veprat penale që janë dhënë vërtetohen, po ashtu krimi shtetëror, me në krye Sali Berishën si kryeministër dhe Lulzim Bashën si ministër i Brendshëm, që dhanë urdhër për atë krim. Shteti u lidh, presidenti dhe kryeprokurorja u sulmuan, u penguan, çështja u ndoq ndër vite në Strasburg dhe Gjykatën e Lartë dhe derisa u arrit. Ai është krim shtetëror. Autori kryesor i krimit, i atij që ishte kryeministër i vendit, e ka pranuar vetë. E ka pranuar me zë dhe figurë, ka thënë se do vriste edhe 300 të tjerë. Nuk kishte pse prishte provat, pse prishte serverat, kamerat e të tjera”, shtoi avokati.

Më tej ai shpjegoi edhe procedurat hetimore dhe se çfarë pritet të ndodhë me hetimet e dosjes, teksa për kaq vite u vijua me një betejë sepse hetimet u penguan, kurse tani ka një drejtësi të re.

“Vasja e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës kanë mbetur pa autorë ende, do dalin edhe urdhëruesit dhe ekzekutuesit e tyre. Te vendimi i Strasburgut analizohet me detaje veprimi i kryeministrit të vendit Berisha dhe bandës së tij. U ndërrua qeveria më 2013 por nuk u ndryshua drejtësia, prokuroria, gjykata, ndaj u bë reforma në drejtësi. Me krimin ishin të lidhur ata me Saliun në krye. I hoqi Vettingu të korruptuarit në drejtësi, u ngrit SPAK dhe GJKKO me atë reformë. Tani burgjet janë plotë, me ish-presidentin e vendit, me Saliun që vete në SPAK shpesh dhe do hyjë brenda”, nënvizoi ai, duke iu referuar ecurisë së drejtësisë së re.

Por nuk ishte dakord me këtë mendim avokati tjetër, Fatmir Merkoçi. Ai pretendoi se provat e 21 Janarit i prishi kryeministri Edi Rama sapo erdhi në pushtet. Ai u shpreh se ky hetim duhet të bëhet i plotë, nga ish-presidenti dhe deri te roja, sepse duhej hetuar i plotë.

21 Janari fillon më 2013 kur Rama mori pushtetin. Bëri rikonstruksionin e vendit të krimit. E dyta, ndërroi komandantin e Gardës dhe të tjerët, i liroi nga ndikimi i mëparshëm. Ai atë ditë duhet të thërriste prokurorin e përgjithshëm dhe presidentin e të bënte hetime. Zonjës kryeprokurore t’i kërkonte të vazhdonte hetimin. Pse e prishi vendin e krimit, bëri rikonstruksionin e godinës. Ky e prishi provën, ky e bëri. Kur u bë gjyqi duhet të ishin prezent edhe presidenti, edhe kryeprokurorja, të shkonin atje ta ndiqnin. Është turp, kanë 13 vjet shkojnë me lule, bëjnë homazhe me shamia të zeza dhe ikin”, u shpreh ai ndër të tjera.

Merkoçi pohon se Strasburgu e ka quajtur vrasje shtetërore 21 Janarin dhe se të gjithë duhet të jenë nën hetim.

“Strasburgu ka thënë vrasje shtetërore, të gjithë të jenë nën hetim, pa përjashtim. Ai që i solli, ai që e bëri, po presidenti, po prokurorja e përgjithshme pse nuk veproi kur nuk u zbatua urdhri. Me viktimat u tallën. Hetimi sipas Strasburgut duhet të nisë nga Presidenti i asaj kohe dhe deri te roja”, përfundoi avokati.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:02
SPAK kërkon sekuestrimin e pronave të Ervis Martinajt, Beqiri: Nëse s'do fshihej pas tezes së tij Liri Berisha, s’do kishte bërë këto që ka bërë! Me lidhje politike

Avokati Idajet Beqiri komentoi në ‘Studio Live’ edhe vendimin më të fundit të SPAK që i kërkon GJKKO konfiskimin përfundimtar të 35 pasurive të Ervis Martinajt dhe familjarëve të tij, që janë të sekuestruara tashmë.

Ai shprehet se drejtësia po vepron dhe se krimi i organizuar ka marrë goditje të rëndë, duke evidentuar se ka pasur lidhje me politikën.

Madje ai shton edhe një detaj, se Martinaj, i cilësuar si ‘mbreti i kumarit’ dhe i zhdukur pa gjurmë prej 8 Gushti 2022, ku fati i tij mbetet ende mister, ka pasur mbështetjen politike, veçanërisht të Liri Berishës, për të cilën tha se është ‘tezja e tij’.

“Krimi i organizuar ka marrë goditje të rëndë, ose me arrestime, burgje përjetë, të kërkuar, ka marrë goditjen e duhur, se ka qenë i veshur me politikë. Ju thatë Ervis Martinaj, por nëse pas tij nuk do ishte tezja e tij Liri Berisha, familjar i saj, u sekuestruan, gjykata ka dhënë vendimin dhe është provuar se është e rrugës kriminale.  Nëse nuk do të fshihej pas tezes së tij Liri Berisha, nuk do kishte kaq fuqi, të bënte gjithë këto gjëra që po bën. Ka lidhje familjare me Liri Berishën, e di gjithë Shqipëria, nuk flas kot”, u shpreh Beqiri për Report TV.

Ora 19:35
Beqiri paralajmëron dosje të tjera të ‘nxehta’ për Berishën: Së shpejti edhe 7 ‘Partizanë’ të tjerë, KQZ duhet t’ia hiqte mandatin! Ahmetaj, kriminel që kërkon azil

Avokati Idajet Beqiri paralajmëroi dosje të tjera të nxehta për kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha, familjarët e tij dhe persona të tjerë në skandale dhe abuzime financiare të ngjashme me atë të aferës në dosjen “Partizani”.

Por duke mos dhënë detaje nga këto çështje për shkak edhe të sekretit, ai nënvizoi në emisionin “Studio Live’ të Report TV, se janë po aq të forta sa dosja që ndodhet në GJKKO. Beqiri foli edhe për denoncimin e radhës që i ka bërë Berishës në SPAK për çështjen e falsifikimit të datëlindjes, që nuk e ka deklaruar këtë ndryshim në formularin e Dekriminalizimit në dy raste. Sipas ligjit, ai sqaroi se duhet t’i hiqet mandati i deputetit nga KQZ.

“Ka ndryshuar dhe falsifikuar ditëlindjen nga 1 korrik, në 15 tetor, falsifikoi datëlindjen, kallëzimi i bërë dhe regjistruar në SPAK. Nuk është vetëm falsifikim, por edhe mosdeklarim në formularin e Dekriminalizimit, që duhet ta kishte bërë dy herë. Ne nuk kemi KQZ, por po të kishim do ndodhte si me kryebashkiakun e Shkodrës, edhe ky e ka bërë dy herë të njëjtën gjë e duhet t’i hiqte mandatin. Kam akte zyrtare për këtë, nga Gjendja Civile, të firmosura dhe të vulosura, nuk janë fjalë”, u shpreh ai sot në Report TV.

Por më tej shpjegoi se këto çështje nuk janë asgjë para të tjerave që po vijnë dhe do bëhen të ditura së shpejti.

“Berisha i dha dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi me një firmë dhe vendim VKM 50 milionë euro. Nuk është vetëm çështja “Partizani” se si ai i fali tokat për dhëndrin e tij, por do shohin edhe 7 komplekse të tjera si ‘Partizani’, ku Argita Berisha, me mikeshën e saj, kunatin e Bashës dhe të tjerë, që kanë bërë 7 veprime të ngjashme, me lejet e ndërtimit, me faturat e të tjera, dhe se sa lekë u kanë marrë për to. Shumë shpejt do i dëgjoni. Tashmë shqiptarët do shikojnë si kompleksi “Partizani” edhe 7 komplekse të tjera “Partizani”. Që Argita, Jamarbëri dhe bashkëpunëtorë të tyre, Flutura Kola dhe kunati i Bashës, kanë marrë 7 vendime nga kryeministri Sali Berisha, se sa milionë i ka marrë njërit dhe tjetrit me vendime të Sali Berishës", thotë avokati.

Teksa i referohet edhe punës së SPAK, Beriqi mendon se ka arritur të arrestojë dhe akuzojë zyrtarë të lartë, përfshi edhe Sali Berishën, për të cilin shton se "po shkon shpesh në SPAK tani dhe do shkojë edhe në burg".

Në ndërhyrjen që bëri gjatë debatit në studio për deklaratat e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj nga arratia, avokati Idajet Beqiri e cilësoi atë si ‘kryekriminel’ që kërkon azil. 

“Ish-zv/kryeministri është një kriminel që nuk la gjë pa bërë, duke nisur nga implulset telefonike atëherë kur ishte në drejtim, me 20 mln euro dëm. Ai po i nxjerr këto se do azilin politik, por nuk do e marri dot. Nuk do e marrë sepse aferat që ai ka bërë me dhëndrin e Hajredin Celikut nuk llogaritet, po ia përmend edhe emrin këtu, çfarë nuk ka bërë ai njeri, ai është kriminel”, përfundoi avokati.

Ora 19:01
‘Studio Live’/ Prerja e fondeve nga SHBA? Beqiri: SPAK do fuqizohet më shumë me Trump! Merkoçi: Fondet janë prerë, Sorosi ka hyrë thellë në drejtësi

A do të ndikojë urdhri i presidentit amerikan Donald Trump tek drejtësia e re dhe veçanërisht SPAK? A priten fondet për Prokurorinë e Posaçme apo mbështetja amerikane ndaj drejtësisë shqiptare do të vazhdojë.

Për këto pyetje avokati Idajet Beqiri mendon se SHBA dhe administrata Trump do e fuqizojnë edhe më tej SPAK-un.

“Dorë e fuqishme e SHBA dhe BE që kanë investuar për drejtësinë e re, që me çdo kusht duan një shtet ligjor, të stabilizuar dhe për rrjedhojë do fuqizohet e më tej edhe nga administrata e Trump dhe do mbështetet më tej drejtësia shqiptare, do forcohet edhe më shumë. Në çdo zyrë të SPAK ka anëtarë të FBI-së. SPAK do fuqizohet edhe më shumë me fondet e Trump”, tha ai. 

Avokati nxiti drejtësinë e re që të kalojë në nivel tjetër, duke hetuar krimet më të rënda në Shqipëri në më shumë se tre dekada, që nga viti 1997, firmat piramidale, privatizimet e ndërmarrjeve shtetërore, abuzimet me mineralet, naftën, Gërdecin, 21 Janarin dhe të tjera.

“Ka pasur korrupsion e vjedhje të jashtëzakonshme, krime shumë të rënda si 21 Janari, Gërdeci, firmat piramidale me 4 mld euro e të tjera. Uzina dhe fabrika të shkatërruara, që mund të krijonin kushte në rrethana të tjera që shqiptarët të ishin si zengjinët e Europës. Ose ARMO, armët në ushtri, kromin etj. Miliarda e miliarda dollarë që i janë humbur Shqipërisë, SPAK po merret me këto të voglat tani. Ka ardhur koha që SPAK të seleksionojë punët dhe të japi përgjigje konkrete për këto ngjarje të rënda si 21 Janarit, grushtit të shtetit 1998, Gërdeci, 5 mijë vrasje në 1997, piramidat dhe të tjerat”, u shpreh sot avokati në Report TV.

Kurse Fatmir Merkoçi mendon se tashmë SHBA i ka prerë të gjitha fondet për 90 ditë dhe ky është fakt. Ky urdhër i Trump sipas tij përfshin edhe SPAK. Gjithashtu u shpreh se SPAK ka “kapur vetëm cironkat’ dhe nuk ka bërë asgjë në 7 vite.

“SHBA po heq ndihmën dhe fondet, e dha shenjën në Maqedoni. Ai ka ndërprerë fondet për 90 ditë. Tani janë të mbyllur. Nuk mund të flasim se çfarë do bëjë Trump më tej. Ai ka politikë tjetër, kundër Sorosit, se ai është që financon SPAK dhe reformën në drejtësi. Se si do futej Soros në Kushtetutën shqiptare. Soros i futur thellë në drejtësinë shqiptare”, nënvizoi avokati në ‘Studio Live’.

A.Q/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë