Berat Gjimshiti, kapiteni i Kombëtares është lojtari më i vlefshëm te Atalanta këtë sezon. Klubi bergamask po bën mirë në Champions League, ndërsa në tre ndeshje nuk ka pësuar gol dhe rrjedhimisht as humbje.

Të mërkurën italianët barazuan 0-0 në shtëpi kundër Celtic dhe Gjimshiti ishte ndër më të mirët në fushë, duke luajtur minutat e plota. Pas ndeshjes ai foli për mediet duke thënë se "çelësi" i ekipit është mbrojtja.

“Unë mendoj se shifra zero në kolonën e golave të pësuar nga ekipi ynë tregon shumë mbi repartin tonë dhe pikën e fortë të Atalantës. Edhe në ndeshjen kundër Celtic nuk e kishim të lehtë që të ruanim portën të paprekur.

Celtic është një ekip i shpejtë, i cili pret momentin për të goditur me kundërsulm. Si kolektiv kemi bërë një punë të mirë pasi kemi mbuluar zonat boshe”, tha Gjimshiti pas barazimit.