BERAT- Një i moshuar i ka dhënë fund jetës pasi ka hapur varrin e tij. “Lë amanet që të më varrosni në gropën që kam hapur vetë”. Këto fjalë janë gjetur në letrën e shkruar prej 78-vjeçarit Tafil Bufi, dje pak para se të vetëvritej në banesën e tij në fshatin Roshnik të Beratit. Pasi është braktisur nga familja dhe është mbytur nga probleme të shumta ekonomike, i moshuari i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë me armë zjarri në banesën e tij.

Pranë trupit të pajetë të 78-vjeçarit është gjetur një letër ku ai kishte shkruar shkaqet e vetëflijimit dhe amanetin e fundit. “Bratisja dhe kushtet e rënda ekonomike më shtyn të vras veten. Jeta ime është bërë e padurueshme. Lë amanet që të më varrosni në gropën që kam hapur vetë pranë të afërmve të mi” mësohet se kishte shkruajtur në letrën e fundit i moshuari. I moshuari jetonte i vetëm pasi dy djemtë e tij punojnë prej vitesh në Greqi.

Policia e njoftuar për ngjarjen, mbërriti në banesën e të moshuarit për të bërë këqyrjen e provave. “Tafil Bufi ka qëlluar veten me një armë zjarri. Fqinjët ndërhynë për t’i shpëtuar jetën, por ka qenë e kotë pasi ai kishte ndërruar jetë. Policia mori në pyetje të afërmit e viktimës për të zbardhur rrethanat e ngjarjes ndërsa sekuestroi letrën e fundit që i moshuari kishte shkruajtur pak para se të vetëvritej” thanë për gazetën burimet policore.

Shkrimi u publikua sot (04.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)