BERAT - Hetimet e skandalit seksual në qendrën “Jetimet në Fokus”, ku kreu i saj, Maksim Liço, i kërkoi favore seksuale një të mituri, nuk mbyllen në këtë pikë, teksa një tjetër skandal po hetohet në degën e kësaj shoqatë në Berat.

Nën hetim është kreu e njëkohësisht mjeku i shoqatës “Jetimet në fokus” në degën Berat, Arjan Kamberi 39 vjeç, i cili së bashku më një anëtar të shoqatës I.K 40 vjeç dyshohet se kanë mashtruar në çift suedez, duke i marrë shumën prej 2800 eurosh.

Sipas policisë së Beratit, Kamberi dhe bashkëpunëtori i tij i kanë dërguar çiftit suedez një video për një familje që pretendohet se ka pësuar një aksident të rëndë rrugor dhe për mjekimin e pjesëtarëve të saj, shoqatës i duheshin edhe 2800 euro.

Kjo shumë është dërguar nga çifti suedez menjëherë sapo kanë parë videon e familjes së përfshirë në aksident. Por video dyshohet se është e manipuluar nga Kamberi dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët kanë improvizuar historinë e familjes së përfshirë në aksident.

Sakaq mësohet se menjëherë pas lajmit për përfshirjen në skandalin seksual të kreut të shoqatës “Jetimet në Fokus”, Maksim Liço, i cili kërkonte të kryente marrëdhënie të jetimët për t’i dhënë atyre statusin dhe anëtarësim në këtë shoqatë, Arjan Kamberi, ka dhënë dorëheqjen nga kryesimi i degës në Berat, çka rriti edhe dyshimin e hetuesve lidhur me veprimtarinë e tij.

Ndërkohe 39-vjeçari, Arjan Kamberi, rezulton të jetë edhe përfaqësues i institucionit të Avokatit të Popullit në qytetin e Beratit.

Institucioni i Avokati i Popullit, menjëherë publikimit të skandalit në shoqatën “Jetimët në Fokus” reagoi nëpërmjet një deklaratë për mediat ku thuhej se “izolimi i individëve të tillë nuk mjafton dhe se kjo është një ngjarje revoltuese e njëkohësisht një këmbanë alarmi.”

Ndërkaq lidhur me hetimet karshi përfaqësuesit të saj në Berat për skandalin e radhës Avokati i Popullit nuk ka reaguar ende.
 
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)