BERAT – Rrjetit të shërbimit kombëtar të punësimit iu shtua sot, zyra më e re në Berat. Në inaugurimin e saj ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Beratit Fadil Nasufi, Presidenti i shoqatës së sipërmarrësve Biznes Albania dhe sipërmarrës lokalë, që mbështesin qasjen e re të qeverisë për zyrat e punës si një instrument ndërmjetësimi mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve.

Kryeministri i quajti zyrat e punës një rrugë e re më shumë për punësimin, që përkundrejt edhe skepticizmit të fillimit, çdo ditë po dëshmohen një instrument i vlefshëm edhe për sipërmarrësin si punëdhënës, edhe për punëkërkuesit, të cilët i largon nga skema e ndihmës ekonomike. Rama u shpreh se atyre personave që u ofrohet punë dhe nuk do ta pranojnë atëherë do t’u ndërpritet edhe ndihma ekonomike. Më tej ai shtoi se dëshiron që gjithkujt t’i ofrohet një punë.
 
““Zyrat e Punës që janë parë me skepticizëm dhe shpeshherë edhe me cinizëm. Sa herë dalim ne për një zyrë pune, na dalin të tjerët dhe na thonë “këta bëjnë zyra pune, po punë s’gjejnë”. Në fakt  këto zyra kanë treguar se janë një rrugë e re dhe një rrugë më shumë për punësimin. Më lejoni t’ju them se në se në periudhën janar-shtator, zyrat e punës, gjatë këtij viti kanë pritur, kanë regjistruar, kanë marrë në intervistë 50 387 njerëz. Ky numër është 10 herë më i madh se e njëjta periudhë e një viti më parë. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që njerëzit, ata që realisht duan punë, ata që realisht janë gati për punë, ata që realisht duan të jetojnë përmes një pune dhe jo të marrin pension duke siguruar një vend në administratë, për të ndenjur në kafe gjithë ditën, ata trokasin tek zyra e punës. Ne nuk duam një Shqipëri që jeton me ndihmë ekonomike. Ne duam një Shqipëri që jeton me punë. Ndihma ekonomike duhet t’u shkojë atyre që nuk kanë aftësi për punë, atyre që nuk kanë mundësi për punë, atyre që nuk kanë fuqi për punë. Ndihma ekonomike nuk mund  të jetë zgjidhja për familje ku çifti është 30 vjeç apo çifti është 40 vjeç. Për këto familje, zgjidhja është puna. Ajo që ne duam të bëjmë është që gjithkujt t’i afrohet një punë dhe gjithkush që ka një ofertë për punë, e refuzon ofertën për punë, nuk e merr më ndihmën ekonomike. Ndërkohë që, në qoftë se e pranon ofertën për punë, merr shumë më tepër sesa ndihma ekonomike.” tha Rama.

rama zyrat e punes

rama berat

Veliaj: Mbajmë premtimin, në 12 muaj, 12 zyra pune
Nga ambientet e Zyrës së re të Punës në Berat, ministri Veliaj u shpreh se janë shumë pranë premtimit se do të hapen 12 zyra të reja pune. Sipas ministrit Veliaj kjo është zyra e 9 e hapur në shkallë vendi. 

“Në një kohë rekord prej 9 muajsh, kemi arritur që të hapim 9 zyra pune në të gjithë Shqipërinë. Jemi shumë afër premtimit tonë që brenda vitit të parë qeverisës të hapim 12 zyra pune në të 12 qarqet e vendit. Projekti i zyrave të punës nuk është një ishull i veçantë, por është i lidhur me disa reforma të tjera. Ndaj, më vjen mirë që çdo drejtor i zyrës së punës është pjesë e bordit të shkollave profesionale, që nxënësit të cilët mbarojnë shkollat profesionale, të jenë të parët për mundësi punësimi nëpërmjet zyrave të punës”, deklaroi Veliaj gjatë përurimit të zyrës së punës në Berat.

rama zyrat e punes
rama zyrat e punes

Gjithashtu Veliaj u rikujtoi qytetarëve se duke derdhur kontributet dhe sigurimet shoqërore do të përfitojnë një pension më të lartë dhe dinjitoz.

“Përveç rezultateve që kemi pasur me zyrat e punës, modernizimi i tyre shkon krah për krah me reformën e pensioneve. Nga 1 janari 2015, nis zbatimin reforma e re e pensioneve, e cila është një reformë e ndershme që shpërblen ata që deklarojnë pagën e plotë dhe që paguajnë të plota sigurimet, e kështu do të kenë një pension më të lartë”, vijoi Veliaj, duke theksuar se me reformën e re në skemën e pensioneve është vendosur një sistem drejtësie, si në rastin e skemës për nxitjen e punësimit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)