Berat- Shfrytëzonte në mënyrë sistematike prej kohësh 36-vjeçaren për prostitucion, arrestohet për herë të dytë dhe për të njëjtën vepër penale 32-vjeçari nga Berati. Në pranga ra edhe gruaja që ai e shfrytëzonte si punëtore seksi.
Policia vendore bëri sot me dije (17 Janar) se si rezultat i një hetimi disajavor, me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, u ndalua A.K., banues në Berat dhe A.H., 36 vjeçe, banuese në Memaliaj.
I riu akuzohet se e shfrytëzonte të renë për prostitucion në Berat dhe në Lushnjë.
“32-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për shfrytëzimin e të njëjtës shtetase, për prostitucion në Shqipëri dhe në Greqi”, njoftoi policia.
Ndaj edhe operacioni është koduar "Precedenti", në zbatim të masës së sigurisë “arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Beratit. Ndaj dy të arrestuarve rëndojnë akuzat “shfrytëzimi i prostitucionit“ dhe “prostitucioni”.
Pas veprimeve paraprake, dosja për hetime të mëtejshme i kaloi Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.