Bibliotekat e shkollave 9-vjeçare në Bashkinë e Beratit janë pasuruar me libra të rinj, falë nismës së klubit letrar-artistik “Në gjurmët e Dodonës”.

Aktiviteti u zhvillua në bibliotekën “Vexhi Buharaja”, në bashkëpunim me ZVA Berat dhe shkollat e qytetit.

Nxënësit shprehën mirënjohjen e tyre me një program artistik. Në ceremoni morën pjesë drejtues të arsimit, përfaqësues të shtëpisë botuese “Dituria” dhe anëtarë të klubit letrar. Presidentja e klubit, poetja Ana Tisi, theksoi rëndësinë e kësaj nisme për pasurimin shpirtëror të fëmijëve.

Në total, u dhuruan 94 tituj librash me 394 kopje, të cilat do t’u shërbejnë nxënësve të Beratit. Aktivitetin e përshëndetën edhe Prof. Drita Isufaj dhe mjekja Egriselda Allushi.