Ndërsa kombëtarja e Brazilit synon lavdinë në Kupën e Botës 2026, një nga figurat më të afërta me yjet e Seleçaos ka zbuluar disa detaje interesante nga jeta e përditshme e skuadrës. Bëhet fjalë për Yuri Alexandre Santos, berberin zyrtar të Brazilit, i cili kujdeset jo vetëm për futbollistët, por edhe për trajnerin Carlo Ancelotti.
Në një intervistë të veçantë për 'Corriere', Yuri tregoi se rrugëtimi i tij me kombëtaren nisi në Botërorin e vitit 2022, falë Rodrygos, me të cilin ka një miqësi të hershme.
“Gjithçka nisi me Rodrygon. E njoh që kur ishte 15 vjeç dhe jemi miq prej shumë kohësh. Më vjen keq që nuk është këtu, sepse është një djalë me zemër të madhe dhe një talent i jashtëzakonshëm”, u shpreh ai.
Sot, Yuri është pjesë e pandashme e ekipit kombëtar dhe shoqëron skuadrën pothuajse në çdo aktivitet.
Një nga klientët e tij më të veçantë është Ancelotti, i cili, sipas berberit, ka krijuar një raport të ngushtë miqësor me të.
“Që nga takimi ynë i parë në shtator 2025, ai i pret flokët vetëm tek unë. Madje, Vinicius bën shaka duke thënë se trajneri i ka ‘vjedhur’ berberin”, rrëfen Yuri.
Trajneri italian preferon një stil klasik, por me një prekje braziliane. Gjithashtu, seancat e prerjes së flokëve shoqërohen shpesh me muzikë italiane.
“Në sfond dëgjohen gjithmonë këngë italiane. Janë këngë që i dëgjoja edhe me mamanë time kur isha fëmijë. Duket sikur gjithçka ishte e shkruar”, tha ai.
Sa i përket futbollistit më të kujdesshëm për pamjen e tij, Yuri nuk ka asnjë dyshim, është Vinicius Junior.
“Ai vjen tek unë çdo tre ditë. Pavarësisht nëse ka ndeshje apo aktivitete marketingu, flokët e tij duhet të jenë gjithmonë perfektë”, zbuloi berberi.
Nga ana tjetër, lojtari më gazmor i grupit është talenti i ri, Endrick.
“Çdo herë më thotë se pamja e tij e bukur nuk është meritë e imja, por e tij. Më thotë: ‘Yuri, unë jam i bukur nga natyra’”, tregoi ai mes të qeshurash.
Yuri nuk fshehu admirimin e tij edhe për Neymar, të cilin e konsideron idhullin e tij më të madh.
“Të punoj me Neymarin është një nder. Po pres me padurim debutimin e tij”, deklaroi ai.
Në fund, berberi i Kombëtares Braziliane pranoi se triumfi i Seleçaos në Botëror do të ishte edhe realizimi i ëndrrës së tij personale.
“Nëse Brazili fiton Kupën e Botës, do të ishte diçka e pabesueshme. Një djalë tek i cili askush nuk besonte, që bëhet berberi i Brazilit kampion bote. Do të ishte një ëndërr”, përfundoi Yuri Alexandre Santos.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente





