Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me një delegacion përfaqësuesish të Komisionit të Venecias, të përbërë nga anëtarët Oliver Kask, Sasa Zagorc, Laura Stefan, Michael Jenssen.
Në fokus të bisedimeve, ishte financimi i partive politike. Berisha për të justifikuar humbjen e thellë në parlamentaret e 11 majit, tha se PS përdori buxhetin e shtetit për të blerë zgjedhjet.
“Theksuam se çështja e financimit të partive është çështja më themelore e procesit zgjedhor. Konkretisht me fakte provuam se në këto zgjedhje në rrafshin e financimit nga paratë e buxhetit, diferenca mes dy partive kryesore, Partisë Demokratike dhe partisë në qeveri, ka qenë minimumi 700 deri në 1 mijë herë. Duke përjashtuar totalisht atë çka ligji përcakton për financimin e këtyre partive, jashtë përcaktimit ligjor, partia në pushtet organizoi në kohën e ndaluar nga ligji, 4530 ngjarje me një kosto nga disa qindra euro në 7 milionë euro, para buxheti siç ishte ‘Giro D’Italia’, një ditë para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve. Çdo pensionisti iu dha 100 euro dhuratë në fushatë elektorale, para buxheti, dhuratë për votë”, tha Berisha.
Berisha, gjatë prononcimit për mediat, mohon se ka një draft të propozuar nga Partia Demokratike dhe ajo Socialiste në Komisionin për reformën zgjedhore, që të jetë kundërshtuar nga Komisioni i Venecias. Ai thotë se po punohet mbi rekomandime të OSBE/ODIHR dhe se priten dhe opinione nga Komisioni i Venecias.
“Pra di që ODIHR ka sjellë rekomandime, do të thosha të shkëlqyera. Ka bërë një raport të shkëlqyer, të cilin pa diskutim që ne e përfillim dhe e marrim shumë parasysh. Natyrisht presim dhe rekomandimet e Komisionit Venecias. Nuk di asnjë lloj dakordësie gjer sot me, midis drejtuesve të komisionit të reformës, sepse nuk e kanë marrë materialin për shqyrtim. Presin të gjitha këto dhe pastaj do e shqyrtojnë”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Komisioni i Venecias në Tiranë/ Berisha: Gati të negociojmë depolitizimin e administratës publike! Balla: Financim partive me standardet e BE










