Berisha, apo Rama...Rama, apo Meta

Berisha, apo Rama...Rama, apo Meta
TIRANE - Nesër qindra mijëra shqiptarë thirren në të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Për të zgjedhur. Do ketë në ato vota, mllef, urrejtje, dashuri, militantizëm, besnikëri, shitje, blerje, pragmatizëm, idealizëm, shpresë, apo thjesht abstenim.

66 emra që janë në krye të 66 subjekteve politike (në Vlorë dhe në Fier 67) nesër janë në treg. Në tregun më të shtrenjtë, atë zgjedhor. Milionat e eurove që u hodhën në këtë fushatë (e që si gjithmonë nuk do të mësohen kurrë), tash presin me ankth 24 orëshin e fundit për t’u “dëmshpërblyer” me vota. Por janë edhe katër vitet e shkuar, ç’është bërë e ç’nuk është bërë, që do të peshohen.

BERISHA-RAMA

Një betejë-inat që nis prej të largëtit vit 1991, kur sipas Berishës ai e përzuri Ramën nga PD, ndërsa sipas këtij të fundit, në dhjetë minuta ai e kuptoi se në duart e kujt kishte rënë PD. Ecja e tyre politike në Shqipëri ka qenë e ndryshme.

Teksa Berisha ka njohur majat më të larta, por edhe humnerat më të thella, për t’u ringjitur sërish, Rama ka njohur vetëm ngritje e më pas stanjacion. Të dy janë, janë përbaltur, janë akuzuar, janë goditur, janë përleshur, por asnjëherë në tetë vjet, në dy palë zgjedhje të përgjithshme nuk janë përballur.

Kanë ndërruar preferencat televizive, por nuk kanë gjetur një të mesme për të qenë përballë njerëzve. Pikët që mund t’i merrte njëri ose tjetri nga kjo paraqitje, vetëm mund t’i marrim me mend.

Berisha vjen nesër përballë votuesve me tetë vjet pushtet si kryeministër mbi shpinë. Realisht nuk është një gjysh që mezi mbahet në politikë, por një politikan që ka shfrytëzuar eksperiencën për të bërë gjyshër pensionistë, të tjerë më të rinj se ai, politikisht flasim.

Gjithsesi është një qeverisje e gjatë, ku hijet janë më të shumta se dritat, ku mbi gjithçka peshon Gërdeci i qeverisjes së parë dhe 21 janari i qeverisjes së dytë. E mbi të dyja këto, qëndron hija e madhe e borxhit, frika e rrënimit ekonomik.

Përballë tyre, Berisha ka vendosur tre arritjet e mëdha të qeverisjes 8 vjeçare, anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, ndërtimin e infrastrukturës, rritjen e pagave. Por pak shumë pak për katërvjeçarin tjetër.

Gati asnjë premtim që nuk është bërë më parë... Berisha është duke e përballuar i vetëm këtë fushatë, si rrallë herë. Të tjera figura të rritura prej dhe nën hijen e tij, këtë rradhë janë ndjerë pak ose aspak.

Madje edhe krybashkiakut të Tiranës, të cilit Berisha i ka lënë një korsi të lirë prej tetë vitesh në PD e në qeverisje, duket se është në ngërç. Të gjithë duket se po presin...

Rama vjen i kuruar në çdo detaj. Një shkëlqim për syrin dhe muzikë për veshin, por shumë pak entuziazëm për mendjen. Me vetëm dy vjet opozitë reale, mund të jetë pak e zorshme të gjesh thelbin pse duhet ndryshimi.

Megjithatë pjesa e parë e mandateve të drejtimit të Tiranës është një plus për kryetarin e PS-së. Ardhja e kohës për një shkundje në çdo qelizë të jetës shqiptare, po ashtu është në krahun e Ramës.

Vetë Rama është një pikëpyetje e madhe, si për ata që shpresojnë tek ai, si për ata që e i friken atij. Si do të sillet ai me vendin, me njerëzit, me kundërshtarët dhe mbështetësit?

Eshtë kjo e panjohur një lloj stepjeje për një pjesë dhe një dëshirë e madhe për ta zbuluar për pjesën tjetër. Por mbi programin, mbi ngjyrat, mbi daullet, mbi premtimet  është aleanca e tij e re, armiku i vjetër Ilir Meta, tre muaj më parë pjesë e qeverisjes.

RAMA, APO META

Shqiptarët e dinë kush është kabineti qeverisës nëse fiton Berisha. Por dinë pak se kush do t’i qeverisë nëse fiton e majta (vini re, fiton Berisha-fiton e majta).

Nuk kanë emrat e një kabineti të majtë, dhe duke u nisur nga vlerat e tyre të heqin edhe dyshimin e fundit për të shkuar për votim pro së majtës, ta bëjnë atë të djathtë, apo thjesht të shkojnë në plazh.

E përpos kësaj ka dhe një dualizëm në kampin e majtë, i cili sa më shumë përpiqen Rama dhe Meta ta minimizojnë aq më shumë rritet në sytë e qytetarëve. Kush e udhëheq të majtën, partia më e madhe, PS, apo partia që i siguron Ramës (sipas tij) fitoren, LSI?

Deri tani ato kanë vepruar të ndara. Janë gjashtë vjet (prej 2007), që militantët e të dyja palëve, e sidomos ata të PS-së, prej tetë vitesh në opozitë (duke akuzuar për çdo herë LSI) nuk mund t’i harrojnë dot për tre muaj.

Duket se aroma e pushtetit së ditës së nesërme (në fakt nesër janë vetëm votimet) i ka platitur sadopak inatet e vjetra. Por jo se ato nuk do të ngrenë kokë sërish. Si Rama, ashtu edhe Meta janë qeflinj të protagonizmit.

Sigurisht që nesër janë edhe të tjerë në garë. Shumë të njohur, të njohur e të panjohur. Që nga ish-presidentë të kohës së demokracisë e deri në ish-drejtues të Partisë së Punës.

Fushata e stërshtrenjtë dhe e zhurmshme, në fakt ka mbuluar një nga handikapet më të mëdha që ndërkombëtarët nuk lanë rast pa e përmendur e pa këshilluar, KQZ. As në vitin e lig 1997, Shqipëria nuk shkonte në zgjedhje me gjysëm KQZ.

Të urojmë që tymi nuk do të dalë më vonë. Mund të jetë herët që në Shqipëri  humbësi të urojë fituesin, por të paktën humbjen mund ta pranojë fisnikërisht.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë