Përdorimi i fëmijëve në protesta politike siç ndodh rëndom në tubimet e Sali Berishës i cili i 'armatos' ata me molotovë për t'i hedhur kundër policisë është një fenomen i papranueshëm dhe i rrezikshëm sipas sociologut Gëzim Tushi.
Gjatë një interviste me Marsela Karapancon në emisionin ‘Frontline Interview’ në Report TV, Tushi tha se të miturit që dalin në vijën e pare të protestave, madje edhe përfshihen në akte të dhunshme me molotovë, janë viktima dhe të instrumentalizuar nga politika. Sipas tij, ata nxiten nga klima e ashpër politike dhe nga familja, ndërsa përgjegjësia duhet të bjerë mbi politikanët që i përfshijnë, jo mbi të miturit.
“ Gjëja më e rëndë është përdorimi i fëmijëve në protesta apo veprimtari politike. Ata 7-8 djem që ishin në protestën e Berishës, mund të kenë bërë veprime të dënueshme, por ata janë viktima dhe janë të përdorur. Adoleshenti është në moshën e guximit dhe aventurës por ai bën gjëra kur nxitet. Ata janë qenie të instrumentalizuara nga politika. Në vend që policia të marrë të miturit, duhet të marrë ata politikanë që i morën me vete në protestë. Ata fëmijë nuk ranë nga qielli, sidomos kur përdornin molotov. Agresiviteti i tyre është i nxitur ose nga familja ose nga partitë politike. Ne kemi 35 vjet që kemi një politikë të ashpër, të drunjtë që përdor çdo mjet.. Grindjet, dhuna, maskilizmi në politikë, gjuha e përdorur, të gjitha këto injektohen në shoqëri. Ata deputetët bëjnë teatër, por në jetën e përditshme dhuna është e vërtetë. Politika ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë morale dhe penale. Nuk janë fëmijët fajtorë, janë viktima” tha ai.
Në këndvështrimin e sociologut përfshirja e të miturve në aktivitete politike si “lëndë e parë militante” është një nga deformimet më të rënda të tranzicionit. Dhe sipas tij, kjo tregon se politika shqiptare po ndikon thellë në formimin social dhe moral të rinisë.
Pas protestës së dhunshme të 10 shkurtit të Sali Berishës u ndaluan shtatë të mitur, të akuzuar për hedhje molotovësh, gurësh dhe fishekzjarrësh ndaj policisë, ku mbetën të lënduar 16 efektivë. Gjykata vendosi “detyrim paraqitjeje” dhe ata do të paraqiten një herë në muaj në Prokurori.
Komente











