Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë intervistës për Report TV, u pyet edhe për mungesën e Sali Berishës në protestën pro ish-krerëve të UÇK-së. Ai tha se Këshilli Organizativ iu ka dërguar ftesa të gjitha partive politike në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa shprehu keqardhjen që lideri i PD-së, Sali Berisha nuk bëri qoftë edhe një deklaratë mbështetjeje.
“Unë e argumentoj me fakte se u kemi dërguar si këshill organizativ të gjitha partive politike në Kosovë dhe Shqipëri ftesat për të na mbështetur për protestën. Berishës ia kemi dërguar ftesën. Do të jetë në ndërgjegjen e Berishës pse nuk ka dalë me na mbështetur të paktën me një deklaratë në facebook apo në mjete elektronike. Kështu që nuk ka bërë mirë por do të jetë në ndërgjegjen e tij. Mua më vjen keq pse Berisha nuk ka dalë me na mbështetur ndërsa deputetë dhe njerëz të tij erdhën për të na mbështetur në protestë.”, tha Gucati.
Një ditë më parë, pas mbylljes së protestës, PD u mjaftua vetëm me një reagim pas protestës. Zyra e shtypit e partisë reagoi gjithashtu duke thënë se nuk ka pasur asnjë urdhër për të mos marrë pjesë në protestë, megjithëse më herët ishte vetë Berisha që me zë e figurë tha se vendimi për të mos marrë pjesë ishte politik.
Lajmi kryesor:
Protesta pro UÇK në Tiranë/ Gucati: Do mblidhemi edhe para Parlamentit Evropian! Deklaratat e Kurtit? Nëse s’do e donte Specialen, do kishte votuar kundër












