Në mbledhjen e Kryesisë së PD, Sali Berisha tha edhe njëherë se dhënia e firmave për Endri Shabanin si kandidaturë për Avokat Populli ishte një gabim nga çdo deputet demokrat. Ai tha se ishte akt i nxituar, por PD i tërhoqi firmat dhe se është votuar vetëm me votat e PS.
“Lidhur me aktin e Edi Ramës, vendimin e tij të fundit për të futur në dorë edhe një segment pushteti që kishte ngelur i ndarë përgjysmë, siç ishte Avokati i Popullit. Me këtë akt, ai mori në mënyrë absolute të gjitha pushtetet, që në fakt i kishte, por avokati ishte diçka e ndërmjetme, ajo zonja përpiqej t’u përmbahej objektivave apo misionit të saj. E mori me rrëmbim, me pasion. E gëzoftë.
Por këtu dy gjëra do them. Firmosja e Endrit Shabanit pa asnjë diskutim ka qenë një gabim i padiskutueshëm i çdo njërit që ka firmosur, ky ka qenë një akt i nxituar dhe një gabim i çdo njërit që ka firmosur. Edhe njëherë, dje kërkova ndjesë dhe përsëri kërkoj ndjesë përsëri për këto firma dhe këtë akt të nxituar të deputetëve të PD. Nuk mund ta bënin atë. Jo. Këto firma u dhanë në një periudhë kur u vendos një koalicion opozitar në mbështetje të kandidatit të bashkisë për Tiranën. Por nga ana tjetër theksoj këtu se firmat janë tërhequr me firmë. Pra, të gjitha firmat nga firmëtarët janë tërhequr me firmë, jo me deklaratë publike.
Dhe në mënyrë absolute në çdo parim dhe çdo ligj, ai nuk është kandidat i opozitës. Firmat janë tërhequr me firmë. Edhe gjer në momentin e fundit, propozuesi ka të drejtë të tërheqë propozimin. Kështu që pretendimi se ishin firmat ato që e zgjodhën, është i padrejtë. Ishte vendimi i Edi Ramës për të mos respektuar asnjë princip, asnjë rregull. Endri Shabani është emëruar pa asnjë firmë nga asnjë deputet, përveç dy që janë të një partie tjetër. Pra nuk ka pasur kurrë asnjë firmë nga PD në momentin që është votuar. Çdo koment tjetër është absolutisht pa asnjë bazë juridike dhe është thjesht një mbështetje e verbër për veprimin antiligjor, antikushtetues të Edi Ramës në parlament.
Po marr këtu vetëm anën teknike. Kandidatura e Endrit Shabanit është propozuar pa asnjë propozim nga PD, pasi çdo propozim i bërë me firmë, është tërhequr po me firmë. Dhe, vendimi, asnjë deputet i PD nuk ka votuar për Endrit Shabanin. Jo, gjer në momentin e votimit, propozimi mund të tërhiqet dhe ai ishte tërhequr ditë më parë”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
‘Bllokohen’ Zgjedhorja dhe Territorialja, Berisha mbledh Kryesinë: Tërhiqemi nga çdo proces dhe diskutim me PS! Më 22 dhjetor protestë kombëtare











