"Shqiptarët do thonin u legenos, për një funksion, një kolltug, karrige, u legenos në kuptimin e mirëfilltë të fjalës". Ky është komenti i Ervin Salianjit, pasi u la jashtë garës së 23 majit për kreun e PD-së.

Për të, refuzimi i kandidimit, ka vetëm një arsye frika e Sali Berishës nga ndëshkimi i demokratëve.

“Berisha nuk e ka mbështetjen e demokratëve. Është një frikacak që i shmanget përballjes me demokratët dhe uzurpon PD. Nëse do kishte mbështetje, Berisha do hynte në garë dhe do të mundte me garë.

Me vendim të Kryesisë së PD, dënimi im është quajtur dënim politik. Vetë Berisha ka thënë që jam martir i gjallë i demokracisë dhe i fjalës së lirë. Berisha për shkak të asaj që quhet regjim, ka problematika shumë më të mëdha me drejtësinë se sa unë. Nuk ndalohesh në parti për shkak të ligjit të dekriminalizimit”, shprehet Salianji në intervistë për Report Tv. 

Salianji nuk do ta dërgojë partinë në një betejë të rradhës në gjykatë. Për procesin farsë të zgjedhjeve për kryetar thotë se do njoftojë ambasadat dhe familjen e partive të djathta europiane.

"Kam komunikuar dhe do të komunikoj gjatë javës me të gjithë faktorin ndërkombëtar për këtë palaçollëk që po bëhet në PD. Do të njoftoj PPE për shkak se PD është pjesë e PPE dhe e kam shmangur pjesën e dërgimit në gjykatë pasi gjykatat kontrollohen nga regjimi Rama-Berisha. Do jepnin vendim në favor të regjimit, por edhe nuk dua ta çoj PD në këtë përplasje. Duhej të zgjidhej me votë çdo konflikt. Vota dhe mbështetja është ajo që e ndan një politikan nga një palaço", thekson ai. 

Pavarësisht vetë-përjashtimit, Salianji thotë se do të vijojë të jetë deri në PD-derisa "të çmontoj Berishën si një segment të regjimit të Ramës dhe bashkë me Berishën edhe Edi Ramën."

Vijimi i drejtimit të PD nga Berisha për Ervin Salianjin është një shpërblim edhe për qeverinë e Ramës.

"Ku ka shërbim më të madh për Edi Ramën se sa të ketë njerëz që i ka shqepur në zgjedhje që nga viti 2013 kur ka qenë në pushtet. Unë e kam mundur Ramën, si i shërbej Ramës? Duke bërë burg, duke fituar në Kavajë, Korçë, duke kërkuar të pëmrirësohet PD“, vijon Salianji.

Ish deputeti ka nisur prej muajsh tashmë një lëvizje kundër Sali Berishës dhe lidershipit demokrat duke i akuzuar se ata nuk mund ta bëjnë opozitën fituese duke shuar shpresat për ndryshim qeverisës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:51
‘E përjashtoi pas intervistës në Report Tv’, Salianji: Mereme Sela kandidaturë serioze, Berisha iu tremb

 

Ervin Salianji vlerëson kandidaturën e Mereme Selës, e cila po ashtu u përjashtua nga gara për kreun e PD-së. Salianji thotë se Berisha e përjashtoi sepse i është trembur popullaritetit të saj dhe deklaratave që dha në intervistën për Report Tv, se nëse do të zgjidhej kryeministre Berishën nuk do e bënte pjesë të kabinetit pasi duhen figura të reja.

“E ka refuzuar për shkak se tha që Berishën se marr as drejtor apo zv.ministër se duhen djem të rinj. I është trembur popullaritetit të saj. Në raport me Berishën ishte kandidaturë shumë serioze”, thotë Salianji.

Ora 18:34
‘Këto akuza nuk i bëjnë as gomerët’, Salianji i përgjigjet Nokës: Agasi, lidhje e afërt e Berishës! Pse heshtni?

 

Ish-deputeti Ervin Salianji e krahason Flamur Nokën me gomerët, ndërsa u përgjigjet akuzave që janë artikuluar ndaj tij se i shërben krimit të organizuar dhe Ergys Agasit, biznesmeni i shpallur në kërkim nga SPAK për abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Në intervistën për Report Tv, Salianji artikulon publikisht akuza se Ergys Agashi është lidhje e afërt e Sali Berishës dhe për këtë arsye kurrë nuk është denoncuar nga PD, deri në momentin që u shpall në kërkim nga SPAK.

Salianji ngre pyetjen se përse në PD heshtin, jo vetëm për Agasin, por edhe për personazhe të tjerë që dalin në dosjen e AKSHI-t, si biznesmeni tjetër në kërkim Ermal Beqiri. Madje, ish-deputeti i thotë Berishës se ai nuk ka guximin të përmendë as grupin kriminal të Troplinëve, që sipas tij ishin klani që e involvuan Agasin në politikë.

“Është idiotësia e ngritur në monument. Është ky zotëria, një prej arsyeve përse PD humb, është sepse llumi në përgjithësi bie në fund, ndërsa PD e ka ngjitur sipër. Këto janë akuza që edhe gomerët nuk i bëjnë, ndjesë gomerëve që po i krahasoj me këtë. Unë e kam denoncuar dhe e denoncoj Agasin. Agasi është lidhje afërt me njerëz të afërt të Berishës, për të cilin nuk ka folur deri në momentin që u shpall në kërkim nga SPAK. Dosja e AKSHI-t është një dosja skandaloze, në të cilën Berisha nuk përmend as Troplinët dhe as Ermal Beqirin. Madje për shkak të burgosjes sime, nuk ka dërguar në SPAK raportin e komisionit hetimor të TIMS për shkak se në atë raport dilte që ishin njerëz të Agasit, ishte i përfshirë Ermal Beqiri”, shprehet Salianji për Report Tv.

Ora 18:25
E përjashtoi nga gara, Salianji për Report Tv: Berisha frikacak, zgjedhjet farsë për të uzurpuar funksionin e kryetarit të PD

 

Vendimi i Partisë Demokratike për ta përjashtuar nga gara për kryetar, për Ervin Salianjin ekspozoi para shqiptarëve faktin se nuk ka garë. Në një intervistë për Report Tv, Ervin Salianji thotë se Sali Berisha është një frikacak që po i shmanget përballjes dhe se po organizon një farsë për të uzurpuar funksionin e kryetarit të PD në shkelje të statutit.

“Më vjen mirë që kam ekspozuar para shqiptarëve atë që të gjithë e dinin, por mbuloj me narrativë të gënjeshtërt, që në PD ka demokraci dhe ka garë. Pra nuk ka garë, e vërteta e bërë publike është se Berisha po organizon një farsë për të uzurpuar funksionin  e kryetarit të PD në shkelje të statutit. Ligjit dhe kushtetutës. Nga shtatori, Berisha ligjërisht nuk është kryetar i PD dhe s’ka të drejtë të rikandidojë. Jemi në kushtet e uzurpimit të funksionit. Jemi në një regjim Rama-Berisha. Rama ka probleme me zgjedhjet e përgjithshme. Berisha i ka fshirë fare zgjedhjet dhe demokracinë e brendshme. Rama përfiton pushtet politik, Berisha pushtetin opozitar dhe benefite të tjera.

Berisha nuk e ka mbështetje tek demokratët. Është frikacak që i shmanget përballjes me demokratët dhe uzurpon PD. Nëse do kishte mbështetje, Berisha do hynte në garë dhe do të mundte me garë”, thotë Salianji.