Berisha e Vasili rrezikojnë të mbeten jashtë listave! Ju është refuzuar viza nga SHBA?!

Ka një ngurrim të shtuar të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për të vendosur “kokat” e listave të kandidatëve për secilin qark, për zgjedhjet e 25 prillit. Kur kanë mbetur vetëm tre muaj nga data e përballjes elektorale me kryeministrin Edi Rama, PD dhe LSI jo vetëm që nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për të dalë me një koalicion të përbashkët me një listë unike në zgjedhje, por kanë probleme dhe brenda vetes.

Basha ka rënë në hall me “mentorin” e tij politik Sali Berisha, i cili deklaron se ende nuk i është mbushur mendja se ku do të kandidojë, një formë presioni ky mbi liderin demokrat.

Por nga ana tjetër deklarata e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim ia ka “prerë” krahët Lulzim Bashës në lidhje me kandidimin e Sali Berishës për zgjedhjet e 25 prillit, duke e vënë në një pozitë shumë të vështirë, sa nuk di se ku duhet ta “mbytë” ish liderin e PD.

Por çfarë deklaroi ambasadorja Yuri Kim në takimin me kreun e KQZ Ilirjan Celibashi që e ka stopuar Bashën dhe detyruar të zvarrisë ecurinë e formatimit të listave të kandidatëve të PD.

Yuri Kim deklaroi publikisht se, pavarësisht ndryshimit të pushtetit në SHBA, një gjë nuk lëviz, “lista e zezë” për personat “non gratta” që ka shpallur qeveria amerikane dhe se këto përcaktime mbeten në fuqi.

“…duke kujtuar letrën e saj të 31 gushtit drejtuar kryetarëve të partive, ambasadorja kujtoi KQZ-në për përgjegjësinë e saj për t’u siguruar që kandidatët të jenë në përputhje me ligjin shqiptar. Ajo nënvizoi mbështetjen e SHBA për përmbushjen e kërkesave të popullit shqiptar për politikë më të pastër, duke filluar nga politikanë më të pastër.

Në këtë drejtim, ajo përmendi se Sekretari Amerikan i Shtetit ka përcaktuar publikisht individë të caktuar për korrupsion madhor.

Këto përcaktime mbeten në fuqi. Ata ranë dakord që KQZ-ja duhet të marrë të gjitha masat e mundshme, jo vetëm për të mundësuar ndjekjen penale të shkeljeve, por së pari për t’i parandaluar shkeljet, përfshirë duke zbatuar masa për të parandaluar blerjen e votave dhe manipulimin e votave.

Shtetet e Bashkuara mbeten një mbështetës i palëkundur i Shqipërisë dhe popullit shqiptar ndërsa ata punojnë për një demokraci më të mirë, udhëheqës më të mirë dhe një të ardhme më të mirë” shkruan ambasada e SHBA-së në Tiranë”, thuhet në deklaratën e dalë nga ambasada amerikane dhe publikuar në adresën e saj në rrjetin social.

Dhe Basha është në dilemë, pasi ende nuk ka diçka publike për ish kryeministrin Sali Berisha, për të cilin akuzat janë se i është refuzuar viza për të udhëtuar në SHBA. Madje dhe familjarëve të tij, duke filluar nga djali.

Akuzat publike kanë ardhur nga kryeministri Edi Rama, i cili më se njëherë e ka sfiduar ish kryeministrin Berisha, nëse udhëton dot në SHBA apo jo. Po kështu dhe numri 2 i PS Taulant Balla e deri tek ish nënkryetari i KLD Kreshnik Spahiu, i cili shprehet i sigurtë se Sali Berisha është person non grata në SHBA dhe nuk mund të udhëtojë drejt këtij vendi.

Për hir të së vërtetës Sali Berisha ka shumë e shumë vite që nuk ka udhëtuar drejt SHBA-ve. Nga ana e tij, ai thotë se nuk ka aplikuar për vizë amerikane dhe nuk beson se do aplikojë, duke krijuar kështu alibinë për mundësinë e refuzimit të vizës amerikane, siç është përfolur.

Në një emision televiziv, i pyetur për për këtë çështje, Berisha më shumë u përpoq të krijoje alibi përmes mos aplikimit për vizë, se sa të sqaroje atë që është thënë.

“Nuk kam aplikuar kurrë për vizë dhe nuk kam pasur në plan të shkoj. Unë mund të shkoj kur të dua si turist në SHBA, por turizmi nuk është një pasion i imi. Unë mund të shkoj kur të dua dhe sa herë të dua në SHBA, por unë nuk përfaqësoj askënd.

Nuk më është refuzuar viza sepse s’kam pasur asnjë refuzim sepse unë nuk kam aplikuar. Nuk besoj që do të aplikoj sepse unë jam tërhequr nga aktiviteti politik. Kjo është një shpikje e Edi Ramës”, ka thënë Berisha kohë më parë publikisht!

Por burime të besueshme brenda PD bëjnë me dije se kreu republikan Fatmir Mediu, vite më parë i kishte siguruar një ftesë Sali Berishës për të shkuar në “Mëngjesin e Lutjeve” në SHBA, por ambasada e njoftoi që të mos aplikojë sepse atij do t’i refuzohej viza.

Megjithëse deklarim zyrtar nga ana e ambasadës së SHBA në Tiranë nuk ka lidhje me këtë fakt, përpos një deklarate të disa kohëve më parë ku thoshte se Sali Berisha nuk bën pjesë në listën e 170 zyrtarëve shqiptarë të cilët janë shpallur “non grata” në SHBA. Po s’përmendi refuzim vize!

Por fakti që, Sali Berisha tani deklaron se nuk do udhëtojë më në SHBA e bën fare të qartë se udhëtimi drejt SHBA për të ka qenë dhe është i pamundur!.

Çka e ka vënë në një vështirësi të pazakonte liderin e PD Lulzim Basha në lidhje me përfshirjen e Berishës në listat e kandidatëve për deputetë në PD, pasi gjendet mes dy zjarreve: SHBA-së dhe “mentorit” të tij politik, të cilit ka frikë madje dhe t’ia thotë si ide ndalimin e kandidimit.

Ndërkohë që Monika Kryemadhi, nëse i qëndron strikte kërkesës së SHBA për të pasur lista me kandidatë të pastër, e ka më lehtë ta lërë jashtë garës së 25 prillit nënkryetarin e LSI Petrit Vasili.

Refuzimi i vizës për Vasilit gati është pranuar zyrtarisht, pasi ka qënë “Zëri i Amerikës” media që e ka vënë në dijeni kohë më parë Kryemadhin se nënkryetari i LSI është person i padëshirueshëm në SHBA.

Gazetarja e VOA i tha Kryemadhit se “sipas burimeve tona nënkryetarit të LSI-së, zotit Petrit Vasili i është refuzuar viza” por kryetarja e LSI mohoi. Ajo tha se nuk e beson dhe se nëse ka një njeri pa probleme është ai. Megjithatë Kryemadhi shtoi se nuk e vë dorën në zjarr.

“Gazetarja: Sipas burimeve tona, nënkryetari i LSI-së Z. Petrit Vasili është refuzuar viza, mund tpola konfirmoni ju këtë gjë?

Kryemadhi: Jo, nuk besoj se i është refuzuar viza, z. Vasili, sepse në qoftë se ka njeri më me pa probleme është z. Vasili, megjithatë unë nuk e vendos dorën në zjarr as për fëmijët e mi dhe as për bashkëshortin tim.

Ajo që dua të them është që në çdo rast, çdo ndarje e informacionit në raste të tilla me ambasadën amerikane dhe me LSI-në ne do të jemi të gatshëm, por mos harrojmë vetëm një gjë që z. Vasili ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të mirë me z. Lu përsa i përket Reformës në Drejtësi dhe ka qenë një nga njerëzit, i cili ka nxitur dhe ka realizuar përfundimin e komisionit AD-HOC të Reformës në Drejtësi në Shqipëri”, ishte dialogu mes gazetares dhe Kryemadhit kohë më parë. Pra, as e pohoi dhe as e mohoi këtë fakt!

Tashmë si Basha ashtu dhe Kryemadhi gjenden para sfidës: të kandidojnë emrat e padëshirushëm nga partneri kryesor i Shqipërisë dhe të përballem me ftohtësinë e SHBA, apo të lënë jashtë listave emra të tillë si ish kryeministri Sali Berisha apo nënkryetari i LSI Petrit Vasili.

Dhe nuk e kanë këtë hall vetëm Basha dhe Kryemadhi! Janë dhe emra të tjerë që përfliten si “non grata” në SHBA. Madje dhe të shpallur zyrtarisht. Do hyjnë në garën e 25 prillit të gjithë këta emra të kontestuar nga partnerët tanë më të mëdhenj SHBA e BE. Të shohim./M.Nikaj-TemA

K.T./E.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Shifrat e të infektuarve dhe të vdekurve nga Covid-19 mbeten të larta! Çfarë masash duhen të marrin ekspertët?

Komento

Komente

  • Rruga Elbasanit: 17/01/2021 20:11

    Peco Vasili dhe Berish Tritoli non grata per USA ata jane per grope septike.

    Përgjigju


×

Lajmi i fundit

John

Ulet numri i testimeve, bien shifrat e të infektuarve me COVID, shënohen 764 raste të reja, ndërrojnë jetë 20 qytetarë