TIRANË- Çështja e Avokatit të Popullit vijon të përplasë në distancë Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Sali Berisha e quajti Endri Shabanin avokat të kryeministrit Edi Rama, ndërsa procesin për zgjedhjen e tij vetëm me votat e PS e konsideroi të turpshëm. Në konferencën për gazetarët, Berisha aludoi se Taulant Balla deri në ditën para se të votohej Shabani, i ka thënë një përfaqësuesi të PD-së se ai vetë është kundër kandidaturës së Shabanit, por atë do e vendoste Rama.
Madje, Berisha pretendoi se në këtë proces është përfshirë edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato. Edhe këtij të fundit kreu i PD pretendoi se kryeministri Rama i ka thënë se avokat i tij do të jetë Shabani.
“Me aktin që kryen me avokatin e popullit, shkelmuan çdo parim të bashkëpunimit minimal. Rama zgjodhi avokat njeriun e tij, që hynte e dilte e bënte pazare në zyrën e tij. Rama zgjodhi avokat njeriun të cilit firmat i ishin dhënë për të qenë në listë. U tërhoqën që të gjitha me firmë nga autorët, por kjo nuk pati rëndësi, Rama zgjodhi avokatin që donte. Meqë ai doli sot me lavdërime, nuk është në natyrën time të nxjerr gjërat konfidenciale, por ky person kaq pa karakter, gjer në darkën e ditës para votimit, përfaqësuesit tonë i ka thënë se unë nuk jam për Shabanin, por këtë e vendos Rama. Kaq e vërtetë është kjo saqë se çfarë ka biseduar ky me ambasadorin e BE nuk e di, por di mirë se ambasadori ka komunikuar me Ramën, dhe Rama e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë, i ka komunikuar atij se avokati i tij do jetë Endri Shabani”, tha Berisha.
Ndryshe nga çfarë kanë artikular përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike, Berisha heziton që këtë çështje ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe mjaftohet duke u dërguar mesazh të gjithë demokratëve se firmat për Shabanin ishin tërhequr.
“Firmat janë tërhequr nga secili me formë. Janë bërë zero nga ata që kishin firmosur. Shabani kurrë nuk është zgjedhur me firmat e deputetëve demokratë, se çdo deputet ka tërhequr firmën në një kohë kur eksitoi një lloj kaolini për kandidaturën për kryetar bashkie të Tiranës. Kushtetuesja do një diskutim dhe do një konkluzion, nuk përbën asnjë lloj problemi, nuk ishte çështja këtu”, tha Berisha.
Për 22 janarin që Taulant Balla i dha si afat për t’u rikthyer në komisionet e reformave territoriale e zgjedhore, ka vetëm këtë koment.
“Me aktin që bënë me Avokatin e Popullit shkelmuan çdo parim të bashkëpunimit minimal. Taulant Balla është delikuent më kryesor sot në politikën shqiptare pas Edi Ramës dhe Lubi Ballukun”, tha Berisha.
Rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut, e quan një akt të rëndë të Gjykatës Kushtetuese të urdhëruar nga Rama.
“Vendimi i dalë nga zyrat e Edi Ramës mbyll çdo shteg, çdo mundësi për luftën kundër korrupsionit. Edi Rama kreu aktin më të pashembullt në historinë e një shteti për të mbrojtur paratë e vjedhura me Lubi Ballukun”, vijoi Berisha.
Lajmi në përditësim....
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi ndaj deklaratave të Sali Berishës lidhur me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke theksuar se procesi është zhvilluar tërësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin organik të institucionit.
“I lodhuri paska dalë e folur përsëri mbi zgjedhjen e Avokatit të Popullit, proçes i cili u zhvillua tërësisht sipas parashikimeve të Kushtetutës dhe ligjit të vet organik, duke nxjerrë fitues një kandidat të mbështetur me më shumë se 28 firma nga Partia Demokratike', tha ai.
Partia Socialiste, sipas tij, mbajti deri në fund qëndrimin për të mos propozuar asnjë kandidat të vetin, por për të mbështetur në seancën plenare një nga kandidatët e propozuar nga opozita.
“Nga gjashtë kandidatët e propozuar nga opozita, kandidati që siguroi 3/5 e anëtarëve të Kuvendit ishte kandidati Endrit Shabani. Kjo është e gjitha për sa na takon. Ndërkohë që nga ana e Partisë Demokratike u luajt hajgare, siç i thonë në Kosovë, me procesin dhe me vetë kandidaturat. Nga një anë firmosnin për një, nga ana tjetër firmosnin për një tjetër dhe nga një anë e tretë ia jepnin firmat edhe njërës apo edhe tre të tjerëve. Pastaj vinin e thonin: aman mos votoni për atë se ajo është e çmendur, jo atë se është i pabesë, jo këtë se nuk e duam. Ik njëri e hajde tjetri si kalamajtë e kopshtit, deri kur kaluan në kërcënime si fëmijët e nëntëvjeçares”, shkruan Balla.
Ai akuzon Partinë Demokratike se e ka shndërruar procesin në një farsë.
“Dhe për sa na takon pastaj bashkërisht, ua kemi bërë të qartë sa herë na është dhënë mundësia se me lojëra macja me miun apo kërcënime e presione ndaj nesh ta harrojnë se mund t’i marrim seriozisht.
Po të duan me rregulla loje e qytetari, hajde ulemi dhe të diskutojmë për çdo gjë. Përndryshe, ne nuk do t’i presim për asnjë moment. Sepse nuk kemi orë për të humbur, ditë, javë apo muaj jo e jo”, thekson ai.
Në fund të reagimit, Balla u uron deputetëve të opozitës festat e fundvitit me një mesazh.
"Gëzuar edhe deputetëve të opozitës festat e fundvitit, me urimin që pas bakllavasë dhe gjelit të detit të kenë nxjerrë edhe mësimin e duhur nga votimi me firmat e tyre e me votat tona, e të ecim përpara bashkërisht. Po të duan, natyrisht', tha ai.
Sali Berisha komentoi në mbledhjen e grupit të PD vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Belinda Ballukut në detyrë, deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit. Berisha tha se vendimi i Kushtetueses ishte goditja më e rëndë që ka marrë lufta kundër korrupsionit. Berisha tha se drejtësia është në kontroll total nga kryeministri.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte goditja më e rëndë që ka marrë lufta kundër korrupsionit, jo në Shqipëri, por edhe në Europë. Me këtë vendim Rama tregoi se është i aftë tu diktojë atyre gjykatësve padinjitet dhe integritet çdo lloj vendimi që dëshiron, i detyroi të heqin masës e sigurisë dhe t’i japin mundësi të prishë çdo provë dhe të shkatërrojë çdo dokument. Kontrolli i tij mbi drejtësinë është total. Rama u tha shqiptarëve tani do t’iu vjedh publikisht, jam qeveri dhe bëj ç’të dua me fondet tuaja, me pasuritë tuaja”, tha Berisha.
Berisha theksoi se rrugët e vetme për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama janë protestat.
Edhe në mbledhjen e grupit të PD, Sali Berisha foli për zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokat Populli. Berisha e akuzoi Ramën se emëroi një Avokat Populli që ditën paraqitej si opozitë dhe natën flirtonte me të, duke shtuar se kryeministri kapi edhe institucionin e fundit.
“Emëroi një kryetar partie që ditën që paraqitej si opozitës dhe natën flirtonte me të, por e emëroi duke shkelur çdo procedurë, kushtetuese dhe ligjore, e emëroi pasi të gjitha firmat e dhëna për të, për tu listuar në listën e kandidatëve që do shqyrtonte komisioni i ligjeve. Rama zgjodhi atë duke shkelmuar praktikën e mëparshme, por të themi edhe disa detyrime që rrjedhin nga procesi i integrimit të Shqipërisë, megjithëse ai kriteret dhe standardet europiane i përcakton vetë. Ato firma ishin një gabim.
U tërhoq çdo firmë para se kandidatura të vinte ne Kuvend, ajo kandidaturë nuk mund të paraqitej në Kuvend. E paraqiti Rama i cili donte ta merrte me çdo kusht. Rama i dëshmoi opozitës, se kurrfarë bashkëpunimi qoftë edhe minimal me të nuk shërben dhe nuk vlen. E vërteta është që Kryesia e PD vendosi të ndërpritet çdo lloj bashkëpunimi me narkoparlementarët socialistë dhe me Edi Ramën, ndaj edhe ne nuk marrim pjesë në asnjë kandidaturë, emër, do të ishte qesharake”, tha Berisha.
Në konferencën e sotme për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se opozita do të nisë protestat si e vetmja rrugë për të krijuar qeverinë teknike dhe rikthimin e votës së lirë.
Si çdo të hënë, Berisha zhvillon foltoren para kryeministrisë, por prej disa ditësh aty qëndron edhe Adriatik Lapaj.
I pyetur nga gazetarët nëse do të zhvendoset apo do t’i bashkohet protestës së Lapajt, Berisha tha: “Kjo foltorja para kryeministrisë ka filluar javë më parë. Adriatik Lapaj ka filluar një protestë që unë e përgëzoj, e mbështes protestën e tij dhe aktin e tij pa diskutim. Ai zotëri ka vendosur të bëjë maksimumin e asaj që mund të bëjë dhe po bën”.
Komente











Shpifës, Mashtrues, ipa fytyrë gënjshtarë Komunist ipa ndreqshëm.
Përgjigju