TIRANË – Zyrtarizohet marrëveshja mes PD dhe PDIU-së për përfaqësimin e kësaj të fundit në kabinetin qeveritar. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të kësaj të mërkure kryeministri Berisha ka firmosur dy emrat e parë si përfaqësues të PDIU në përbërjen e qeverisë. Sipas vendimit të zbardhur në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, Abaz Hado emërohet zëvendësministri i ri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Sipas informacioneve jo zyrtare, Hado të zëvendësojë në këtë post, Suzana Turkun, e cila së shpejti do të drejtojë TOB pas daljes në pension të drejtorit actual Zhani Ciko.

MINISTRIA E ARSIMIT
PDIU do të përfaqësohet edhe në ministrinë e arsimit. Ardian Tano është emëruar sot si zëvendësministër, ndërsa ende nuk bëhet e ditur nëse do të largohet ose jo, njëri prej dy zëvendësministrave të tjerë, Halit Shamata apo Nora Malaj.

MARRËVESHJA
Në paktin mes Berishës dhe Shpëtim Idrizit, PDIU më shumë se një vit më parë kërkoi që të ketë përfaqësim në të paktën 4 ministri. Konkretisht në Ministrinë e Arsimit, Kulturës, Ekonomisë dhe Drejtësisë.
Sot, kryeministri ligjëroi emërimet në vetëm dy prej ministrive të lakmuara nga PDIU, ndërsa nuk ka ende informacion nëse do të vazhdojnë emërimet edhe në Ministrianë e Drejtësisë dhe atë të Ekonomisë, kjo e fundit e drejtuar nga LSI.

(aq/shqiptarja.com)