Berisha:Greva e të përndjekurve
politike,opozita është një kënetë

Berisha:Greva e të përndjekurve <br />politike,opozita është një kënetë
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat, u shpreh i hapur për të dhënë përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarëve dhe të pranishmëve në sallë. Kryeministri Berisha e ka cilësuar si të motivuar politikisht grevën e urisë të ish-të përndjekurve nga regjimi komunist. I pyetur nga Shqiptarja.com, se përse nuk shkon t'i takojë grevistët, Berisha shpjegoi se nuk negocion me kë zhvillon greva politike.

Ndërsa interesimit të Shqiptarja.com mbi përdorimin nga ana e tij të fëmijëve për qëllime politike, Kryeministri tha se përdersia fushata elektorale s'ka filluar ligjërisht, s'mund të quhet përdorim i tyre. Berisha shtoi se do të vazhdojë edhe në ardhmen me këtë strategji. Duke u fokusuar tek rivalët e tij politikë, Berisha akuzoi Ramën se po mbledh fundërrina për ta luftuar, ndërsa opozitën me të cilën do të përballet në zgjedhjet e ardhshme, Kryeministri e cilësoi një kënetë. Pyetjes së A1Report mbi dallimet e mëdha mes Qeverisë shqiptare dhe FMN-së mbi rritjen ekonomike, Berisha iu përgjigj duke pohuar se mes tij dhe Fondit Monetar ka një histori 6-vjeçare diskordancash. Kryeministri pohoi se FMN gjithsesi nuk ka monopolin e të vërtetës, por ka të mirën se e korigjon gjithmonë veten.

Duke qëndruar te temat ekonomike, A1Report pyeti Kryeministrin Berisha nëse do të pranojë kërkesën e kryesocialist Edi Rama për të hequr taksën mbi biznesin e vogël meqënëse edhe ai vetë e ka pranuar se ka qenë një dështim. Shefi i Qeverisë e cilësoi kërkesën e Ramës spekulim dhe shpjegoi se po të hiqej taksa e biznesit të vogël rrezikohet të shkaktohet një dëm më i madh nga informaliteti.

SHQIPTARJA.COM PER ISH TE BURGOSURIT, BERISHA: NUK NEGOCIOJ ME GREVA POLITIKE
I pyetur nga drejtorja e gazetës së përditshme SHQIPTARJA.com, Anila Basha, në lidhje me grevën e urisë së ish të burgosurve politikë, e cila vijon prej 13 ditësh në ambient të hapur të Komuna e Parisit, Kryeministri u shpreh se ndaj kësaj shtrese janë shpërndarë miliarda lekë dhe se janë bërë përpjekje politike, ndryshe nga si veproi Partia Socialiste në 8 vite qeverisje (pas viteve 97’).

“Shqipëria është një vend i lirë. Në këtë vend janë të garantuara protestat paqësore të çdo lloji. Kjo parti i ka aleatë kryesorë në epiqendër të axhendës së vet. Janë bërë përpjekje me mijëra apartamente, me bursa studimi dhe janë bërë në kushtet më të vështira, janë shpërndarë miliarda lekë privatizimi. Kjo ishte politika deri në vitin 1997. Tetë vite në pushtet PS, në mentalitetin e vjetër të partisë së origjinë, nuk ju dha asnjë qindarkë. I privoi nga të gjitha të drejtat ligjore. Ajo që ne bëmë ishte e bazuar mbi ligje të miratuara në Parlament. PS përdori disa kukulla për makijazh, u ofroi ndonjë post në mënyrë që të përçmonte të gjithë të tjerët”, u përgjij kryeministri Berisha.

Në lidhje me këtë pyetje, kryeministri sqaroi më tej se janë mbi 11 mijë dosje për ish të përndjekurit dhe se për secilën prej këtyre dosjeve janë dhënë këstet e para.

“Qeveria ime do t’i qëndrojë deri në fund detyrimit ndaj ish të burgosurve. Ata po thonë një të pavërtetë të madhe ndaj meje. Secili prej tyre ka marrë këstin e parë. Ligji thotë që këstin e dytë do e marrin ata mbi 60 vjeç, ndërsa nuk kanë marrë asgjë ata që nuk kanë dorëzuar dokumentat në kohë”, -vijoi Berisha. Më tej, kreu i qeverisë tha se grevistët mashtrojnë kur thonë se nuk kanë marrë asnjë këst, ndërsa shtoi se “nuk negocioj kurrë me greva urie politike”. Ata zgjodhën studiot e Kristaq Ramës”, tha Berisha.

SHQIPTARJA.COM PER PROPAGANDEN ME FEMIJET, BERISHA: I FOLA PER ENDRREN EUROPIANE

Në pyetjen e dytë, drejtorja e gazetës së përditshme SHQIPTARJA.com, Anila Basha, i referohet deklaratave propaganduese të kryeministrit përballë fëmijëve në disa shkolla 9-vjeçare në vend, ku i ftoi ata të ndjekin Parlamentin dhe faktin se si, sipas tij, kryesocialisti Rama bllokon procesin e statusit. Sipas Kryeministrit Berisha kjo nuk është një fushatë elektorale, pasi ajo fillon në maj, ndërsa thekson se i foli fëmijëve “për ëndrrën e tyre evropiane”.

“Diskutimi me fëmijët është nga më interesantët, nga më inspiruesit në jetën time. Unë nuk i kam thënë fëmijëve se Edi Rama gënjen kur flet për 1 mijë të papunë. S’i kam deklaruar se Edi Rama disinformon. S’i kam deklaruar se ai mashtron për bizneset. Unë kam zgjedhur të diskutoj ëndrrën e tyre. I fola fëmijëve për ëndrrën e tyre evropiane. Rama mos të ketë frikë.”, u shpreh kryeministri Berisha.

NGA AI REPORT PER TAKSEN E BIZNESIT TE VOGEL, BERISHA: RAMA GENJEN VETEN
I pyetur nga gazetari i A1 Report, Indrit Maraku se nëse do ta pranonte ftesën e Ramës për të hequr taksën e biznesit të vogël, ku vetë sot Berisha pranoi se “nuk ka qenë një histori e suksesshme”, Berisha u shpreh:Rama si kryetar bashkie rriti në mënyrë më të egër taksën e biznesit të vogël, e cila sot në qeverisjen e taskultëve është 67 mijë lekë, dhe të cilën Rama e çoi në 147 mijë lekë.”

Sipas kryeministrit, Rama ka vendosur t’i thotë atyre se unë nuk jam Edi Rama, nuk jua dyfishova taksën. Kur gënjen për së dyti gënjen veten. Premtimi mashtrim që bën për heqjen e taksës është baraz me shkatërrim e sistemit fiskal”, u shpreh kryeministri i vendit, Sali Berisha.

NGA A1 REPORT PER SHIFRAT E NDRYSHME EKONOMIKE
MES FMN E QEVERISE, BERISHA: S'KA MONOPOLIN E SE VERTETES

Në pyetjen e dytë, gazetari i televizionit A1 Report, Indrit Maraku i referohet shifrave të ndryshme që ofron FMN dhe kryeministri sa i përket zhvillimit ekonomik, ku FMN e parashikoi këtë zhvillim 6 herë më të ulët se qeveria. Sipas jush, FMN vuan nga depresioni?, iu drejtua gazetari. Berisha u përgjigj se “FMN nuk ka monopolin e së vërtetës”. Kryeministri u shpreh se nuk është hera e parë që mes FMN dhe rritjes konkrete ekonomike ka pasur dallime. Më tej Sali Berisha tha se: “FMN në çdo rast është e ftuar të marrë të gjithë dokumentacionin dhe ta shqyrtojë, ka statistika mjaft transparente.”

PER STATUSIN E VENDIT KANDIDAT, BERISHA: NUK I DRUHEM

I pyetur mbi faktin se a i vendimit që do të jepet në dhjetor mbi faktin e marrjes apo jo të statusit kandidat, kryeministri u shpreh se “ky është një proces i angazhimit qeveritar, por duhet të jetë edhe i opozitës”.
“Shqiptarët duhet të meritojnë statusin. Qeveria ime po bën gjithçka për përmbushjen e detyrimeve. Opozita në vite ka ndjekur politika bllokuese.”, u përgjigj Berisha.

PER GJYKATEN E LARTE, BERISHA: RAMA PERDOR QARKUN E FIERIT PER TA NDIKUAR
Kryeministri Berisha vijoi më tej duke renditur një sërë bllokimesh që ka kryer sipas tij Edi, si tentativa për të bllokuar vizat, dhe Gjykatën e Lartë.
“PS rrethoi KQZ, tentoi të bllokojë vizat. Rama pasi votoi imunitetin, tani thotë më jep Fierin të çlirojë vizat. Gjykata e lartë ka rrezuar vendimet për Fierin. Nuk legjitimoj dot ato që ka hedhur poshtë Gjykata e Lartë.”, u shpreh Kryeministri Berisha.  Ai tha se Edi Rama po e përdor qarkun e Fierit për të ndikuar te vendimi i pritshëm i gjykatës.

TE ARDHURAT NGA ALBPETROL, BERISHA: VETEM PER QYTETARIN

Kryeministri u pyet gjithashtu se si do të përdoren të ardhurat e fituara nga privatizimi i kompanisë së naftës Albpetrol. Berisha tha se “destinacioni kryesor i këtyre të ardhurave do të jetë qytetari. Do shndërrohen në projekte të reja, ujë dhe kanalizime, rritje e re rrogash dhe pensionesh. Do shndërrohen në mbështetje të fuqishme të biznesit dhe zhvillimit rural. Paratë do të jenë mbështetje e madhe për arsimit dhe të rinjtë. Do shihet mundësia e ngritjes së një banke shqiptare të zhvillimit”., u përgjigj Kryeministri

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Tipologji e re e turizmit në Shqipëri', eksperti: Vijnë shumë të rinj! Jo për plazhe por për ture, Gjirokastra nga më të preferuarit

'Tipologji e re e turizmit në Shqipëri', eksperti: Vijnë shumë të rinj! Jo për plazhe por për ture, Gjirokastra nga më të preferuarit