.
Ndërkohë sot në mëngjes A1 REPORT! zbuloi dhe bëri publike foto të reja ku vërtetohet miqësia mes biznesmenit Arben Frroku dhe drejtues të lartë të Ministrisë së Brendshme. Bëhet fjalë për foto të muajit Maj 2012, konkretisht më 17 Maj 2012 ku Nikolin Bala me post Drejtor i Njësive Operacionale Speciale, (në Drejtorinë e Policisë së Shtetit) ka qenë sërish bashkë me Arben Frrokun kësaj here në një stadium duke parë ndeshjen Partizani- Tërbuni. Fotot janë shkrepur pikërisht në kohën kur konflikti mes kryekomisarit Dritan Lamaj dhe biznesmenit Arben Frroku kishte 4 muaj që kishte nisur.
Miqësia e biznesmenit është edhe më e zgjeruar. Në foto duket dhe Arian Ndoja (ne foto poshte, i rrethuar me të bardhë), ish-kryeprokuror i Durrësit dhe aktualisht Prokuror i Prokurorisë së Durrësit. Ndoja është akuzuar shpesh për lidhjet e tij me botën e krimit, ndërsa pasuria e tij në qindra mijëra euro ka qenë disa herë pjesë e hetimeve.
Fotot u publikuan një ditë pasi A1 REPORT publikoi e para fotot ku drejtuesit e lartë të policisë Agron Kuliçaj, Tonin Vocaj, Muhamet Rrumbullaku dhe Nikolin Bala shfaqeshin duke drekuar me të dyshuarin si vrasës të kryekomisar Dritan Lamajt, Arben Frroku. Drejtuesit e policisë gjatë intervistave telefonike në Tv A1 REPORT u përpoqën të deklaronin se fotoja ishte e rastësishme. Madje Nikolin Bala, i cili mban postin e drejtorit të Njësive Operacionale Speciale, në Drejtorinë e Policsië së Shtetit dhe Met Rrumbullaku, drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit gjatë intervistës dhënë dje për TV A1 REPORT! thanë se Frroku kishte ardhur rastësisht në tavolinë për të bërë një foto me ta teksa këta të fundit drekonin në një restorant në malin e Dajtit. FOTOT E PUBLIKUARA NE A1 REPORT
Por fotot madje dhe dëshmia e Arben Frrokut gjatë një interviste telefonike nga Drejtoria e Policisë së Sekanikut ku gjendej i arrestuar dhënë për një media shqiptare dëshmonrte se miqësia mes tyre ishte e ngushtë. FRROKU: FOTO RASTESORE? I KAM MIQ
BERISHA: FOTOT I HETON MINISTRIA E BRENDSHME
I pyetur sot paradite nga gazetarët për ndonjë koment për fotot e publikuara në media ku biznesmeni i dyshuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj po drekon me 4 drejtues të policisë mes tyre edhe Agron Kuliçaj ish truproja e tij dhe aktualisht mban postin e zv./drejtorit të policisë së Shtetit, Kryeministri u shpreh se ministria e Brendshme dhe prokuroria do të hetojë vrasjen e kryekomisarit.
“Ministria e Brendshme dhe Porkuroria e Përgjithshme, ka të gjithë mekanizmat për të zbardhur çdo të vërtetë rreth këtij krimi Kam besim se do të zbardhet."- tha Berisha.
I ngacmuar për herë të dytë nga gazetari i TV A1 Report, Arsen Rusta nëse në foto është "darka apo dreka e gabuar", Berisha përsëriti: “Edhe një herë theksoj Ministria e Brendshme ka të gjitha potencialet për të zbardhur çdo element rreth vrasjes në krye të detyrës së Kryekomisarit Dritan Lamaj”. Deklarata u bë pas homazheve në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë për nder të dy Dëshmorët e Atdheut Besnik Hidri dhe Leka Qokja ish-punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror(SHISH), të rënë në krye të detyrës në vitin 1997, në ngjarjen e njohur si masakra e Cerrikut.
RAMA: KUPOLA E POLICISE ORGANIZATE KRIMINALE
Pak minuta më pas nga selia rozë ka ardhur dhe reagimi i kreut të PS-së. Edi Rama doli sot në një deklaratë të ashpër për kupolën drejtues të policisë së shtetit, nxitur nga vrasja e fundit e kryekomisarit Lamajt dhe fotove të krerëve më të mëdhenj të policisë, me të dyshuarin për vrasje.
“Qeveria nuk siguron dot as jetën e policëve. Përkundrazi luan me jetën e policëve. Dihet botërisht se kupola e Policisë së Shtetit merr para për emërime në të gjitha nivelet e policisë. Por këtë herë ka të dhëna të tmerrshme se merren para edhe për shkarkime komisarësh, që flaken në rrugë dhe lihen në pritën e krimit."- tha Rama.
"Media shkruan se është paguar lartë në kupolë, për të larguar komisarin e sapo vrarë- vazhdoi me tej kreu i PS- Historia e fotografisë së djeshme është rrënqethëse. Jo vetë fotografia, që mund të ishte krejt e rastësishme si shumë fotografi në këtë botë. Por historia që pasoi me alibinë e turpshme të zv.Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë e me radhë të të tjerëve, është një kulmim i degjenerimit të shtetit ku realisht nuk gjenden më fjalë."
E pra", - theksoi kryesocialisti, - "alibia e djeshme e Kuliçit famëkeq dhe deklarata e mëpastajme e Burgajt hileqar janë mishërimi i tradhtisë ndaj Policisë së Shtetit. Dorëheqja nga hetimi i të fotografuarve me njeriun e akuzuar për vrasjen e komisarit është një mënyrë shumë e padenjë për të fshehur të vërtetën. Atë të vërtetë që në fakt duket haptaz nga alibia vetdemaskuese e zëvendësdrejtorit për atë fotografi dhe nga deklarata vetdiskretituese e drejtorit për gjithë ndodhinë, ndërsa heshtja e Ministrit të Brendshëm është kapaku i një historie që duhet të vazhdojë me dorëheqjen e të treve minimalisht. Edhe të ministrit, edhe të drejtorit të përgjithshëm, edhe të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm."
Rama shkoi me tej duke thënë se kjo tradhti rrënuese ka bekimin dhe dijeninë e kryeministrit.
"Kjo trio është mallkimi i sotëm i Policisë së Shtetit. Kjo trio është fytyra e tradhtisë së përditshme që i bëhet Policisë së Shtetit. Kjo trio është dora e rrënimit të vazhdueshëm të Policisë së Shtetit. Kjo trio është truri i korrupsionit dhe i kontrabandës që e ka kalbur krejt Policinë e Shtetit. Kjo trio është veshi që merr fjalë nga krimi dhe goja që i çon fjalë krimit. Sigurisht që nuk kam asnjë iluzion dhe nuk duhet të ketë asnjë iluzion: kjo tradhti rrënuese ka bekimin dhe dijeninë e kryeministrit, i cili pasi u vra komisari bëri një deklaratë për teknologjinë 3G! Ndërsa sot priteni me siguri të akuzojë opozitën për kushedi se çfarë të zezash."
"Ja pse komisarët këputen rrugëve nga plumbat e krimit dhe asgjë nuk ndryshon.- tha Rama duke shpjeguar dhe arsyet e rritjes se krimit
"Jeta vazhdon njësoj si më parë, deri në vrasjen e komisarit të radhës. Ja pse është thyer ekuilibri në favor të krimit në fushën e betejës se shtetit me krimin, ku shteti është tërhequr dhe krimi ka marrë yrysh në bashkëpunim me kupolën drejtuese të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit. Ja pse krimi e ka zënë Shqipërinë për fyti dhe ja pse kur PD erdhi në qeveri evidentoheshin 8250 krime në vit, ndërsa në vitin 2012 u evidentuan 20 688 krime në vit. Ja pse diferenca në 7 vjet qeverisje është 12 438 krime më shumë, që do të thotë se vit pas viti progresioni i rritjes së krimit është 1500 krime çdo vit më shumë. Ja pse vetëm viti 2012 në raport me vitin 2011 evidentoi 3029 vepra penale më shumë".
Kreu i PS-së, Rama, e mbylli fjalën e tij me një thirje drejtuar qytetarëve shqiptare: “Ja pse sot është dita për të thënë: O shqiptarë, që ende shkoni symbyllaz si tifozë besnikë ndaj partisë në pushtet! Hapni sytë, se kjo nuk është lojë me top futbolli ditën e diel, po një lojë me jetën që po bëhet përditë dhe më e pasigurtë për të gjithë pa dallim, kudo, në çdo pjesë të territorit. Sepse partia në pushtet ka tradhtuar, jo ju që i shkoni pas symbyllaz, por ka tradhtuar dhe vetveten. Dhe qeveria që flet përditë për ju, po bën çdo orë dhe minutë vetëm punën e vet".
(Fotot e zbuluara sot nga A1 REPORT Arben Frroku dhe Nikolin Bala (me rreth te kuq) dhe Arjan Ndoja (me rreth të bardhë) bashke ne stadiumin Qemal Stafa)
Foto: Në rreth të kuq Arben Frroku, në krye të tavolinë me xhaketë të zezë Agron Kuliçaj, Tonin Vocaj me këmishë rozë ngjitur me Arben Frrokun me gotën në dorë, dhe Met Rrumbullaku ngjitur me Kuliçaj me xhaketë të zezë e kollare kafe dhe Nikolin Bala me xhaketë gri e këmishë bojëqielli
FUNKSIONET E PERSONAVE NE TAVOLINE
Aktualisht Vocaj, Kuliçaj, Balaj dhe Rrumbullaku mbajnë këto funksione të larta shtetërore në Policinë e Shtetit:
Agron Kuliçaj: Drejtor i Departamentit të Hetimit dhe zëvendësdrejtor drejtorisë së policisë (më herët ka qenë bodyguard i kryeministrit Berisha)
Tonin Vocaj: Drejtor i Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Hetimeve të Krimit
Nikolin Bala: Drejtor i Njësive Operacionale Speciale
Muhamet Rrumbullaku: Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike
(sg/ash/shqiptarja.com)