Sa efektiv ka qenë “ligji anti-mafia”? 17 vite pas miratimit të një prej nismave më të forta për parandalimin dhe goditjen e Krimit të Organizuar, Kuvendi i Shqipërisë kaloi për herë të parë në sitë rezultatet që ka sjellë.

Ligji iu nënshtrua një kontrolli post-legjislativ nga Kuvendi duke kërkuar vlerësime e të dhëna nga 17 institucione nga SPAK, KLGJ, KLP, Avokati i Popullit, AMF, AIF, deri te Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. 

Kryetari i Komisionit të Ligjeve tha se ky ishte një proces i vonuar, ndërsa efektivitetin e ligjit e konsideroi lehtësisht të matshëm me sasinë e madhe të aseteve e parave të sekuestruara.

"Fakti që Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara prodhon të ardhura nga asetet në sekuestrim e shoh si zgjerim të portofolit dhe efektiviteit të punës së SPAK. Vetëm për 5 mujorin e parë të 226 agjencia ka marrë në administrim mbi 1 miëj pasuri të sekuestruara dhe ka nevojë për një rol tjetër të agjencisë. Ato pasuri duhet të gjenerojnë të ardhura, ekonomi. Jam dakord që përfituesit e parë të këtyre pasurive të jenë bashkitë, instiucionet, e në fund pse jo ankandi" tha Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit të Ligjeve. 

Por për opozitën panorama është krejt tjetër. Ligji nuk ka dhënë efektet e pritshme dhe këtë sipas PD-së e tregojnë flukset e parave të krimit në sektorin e ndërtimit.

"Shqipëria është bërë një vend për riciklimin e parasë që vjen nga trafiqqet, nga krimi ndërkombëtar. Duke mbyllur sytë se nga vijnë këto burime, sidomos në sektorin e ndërtimit, ndodh vetëm kur shteti ta lejon. Ligji antimafia nuk përbën më problem… ky tehu i mprehtë është i drobitur ose është biçak" tha Oerd Bylykbashi.

"Paqja fiskale formë e pastër e pastrimit të parave dhe bankat e nivelit të dytë. Kemi mundësinë të kontrollojmë pastrimin e parave përmes bankave të nivelit të dytë. E ka guverntori këtë detyrim që të bëjë auditimin, AMF dhe agjencitë e tjera. Shohim një kullë, shkojmë tek noteri që ka bërë kontratat e shitblerjes.. S’kemi nevojë të ndjekim individin… të merremi me fenomenin e pastrimit të parave që shihet me renien drastike të euros" tha deputeti Arjan Ndoja.

Klodian Braho, drejtuesi i SPAK, tha se propozimet e tyre se janë marrë parasysh në hartimin e draftit vlerësues, duke u ndalur vecanërisht tek palët e treta që preken nga sekuestrimi i pasurive të dyshuara kriminale.

“Forcimi i garancive procedurale… edhe ky është element i rëndësishëm. Në nenin 12 të ligjit që ka nevojë përmirësohet dhe të reflektohen të drejtat e palëve të treta  që sipas kësaj dispozite mund ti sekuesrohet pasuria pa qënë e pranishme në seancë dhe pa patur dijeni. Kemi adresuar edhe pengesat praktike të hetimit pasuror, sic është heqja e pagesës për marrjen e dokumentacionit" tha Braho

Raporti evidenton gjithashtu nevojën për krijimin e një mekanizmi të posacëm shtetëor për identifikimin, sekuestrimin, dhe administrimin e pasurive në kriptovaluta të cilat janë kthyer në sfidën e radhës për autorietet.

55% e procedimeve pasurorë të raportuara nga SPAK sipas raportit rezultojnë të jenë iniciuar mbi bazën e informacioneve nga autoritete të huaja, prandaj kërkohet forcimi i kapaciteteve vendase për identifikimin, gjurmimin dhe inicimin proaktiv të hetimit pasuror. 6 gjetje të raportit orientojnë kuvendin drejt ndryshimeve ligjore, për të cilat Manja kërkoi edhe ndihmën e SPAK.