Berisha: Historia e vendit do të ndryshojë

Berisha: Historia e vendit do të ndryshojë
TIRANË - Në fakt për kryeministrin Berisha më shumë se situate politike, kryefjala e vitit 2012 do të jetë 100 vjetori i Shpalljës së Pavarësisë së Shqipërësi. Edhe sot ai tha se do të bëhet gjithçka për ta shndërruar në një ditë të mëdha, ndërsa përsëriti sërish nevojën e rishkrimit të historisë.
“Të dalim jashtë të gjitha skemave të monizmit dhe ta pasqyrojmë realitetin siç ka qenë. Stadi i zhvillimit të kombit, kthimi në komb urban, në 100 vjetorin e pavarësisë bën që këto të pasqyrohen me një qëndrim të ri dhe rivlerësim të shqiptarëve ndaj vetes së tyre. Disa kanë pasion patologjik ta shajnë e nxijnë këtë vend. Ky fakt ekziston tek një pjesë e vogël e shqiptarëve. Përmendin fjalën krizë, kur vendi nuk e ka njohur. Këtij vendi i veshin çdo record të zi dhe kështu vendi ynë del në histori me rekorde të zeza”, deklaroi kreu i qeverisë në takimin e parë me kabinetin qeveritar.
Ai më pas renditi vrasjen e kundërshtarëve të regjimit apo luftën ndaj institucioneve të kultit si disa prej fenomeneve që njollosin edhe historinë e vërtetë të shqiptarëve.“Shqiptarët kanë 1 mijë arsye për të vlerësuar veten. Anjë komb nuk del nga varfëria me ate shpejtësi siç bënë shqiptarët. Ndaj duhe ta shdërrojmë në një ditë të madhe 28 nëntorin 2012. Ky vit duhet të na frymëzojë për një qëndrim të ri ndaj të shkuarës dhe të sotmet”, përsëriti kryeministri Berisha.
Ai tha se 12 muajt në vijim do të jenë histori suksesi për ekonominë shqiptare.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

Të nderuar zotërinj ministra,

Duke iu uruar edhe njëherë Gëzuar vitin Ri, dëshiroj tu uroj ju, bashkëpunëtorëve tuaj, ekipeve dhe të gjithë administratës së këtij vendi, një vit, për secilin prej tyre, plot gëzime, suksese, shëndet e mbarësi.

Dëshiroj të shpreh edhe njëherë falënderimin tim për punën që kanë bërë, por edhe kënaqësinë që nisim këtë vit, vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë më të qartë, më të vendosur, më optimistë, më të sigurtë se kurrë në histori dhe unë dëshiroj që të siguroj qytetarët shqiptarë që do të bëjmë gjithçka për ta kthyer këtë vit, në vitin e merituar të Shqipërisë, një vit siç e meriton Shqipëria në 100 vjetorin e pavarësisë së saj.

Të bëjmë një përpjekje të madhe për të nxjerrë ne pah të vërtetat e mëdha kombëtare të më shumë se 100 viteve e fundit, një përpjekje të madhe për një vështrim të qytetëruar të të gjitha zhvillimeve të këtij vendi, nga vitet ‘870 deri në vitin 1912, një përpjekje të madhe për ta shndërruar këtë vit në një stacion të ri, të madh për vizionin e 100 vjeçarit të ardhshëm të Shqipërisë.

Ndaj dhe është shumë normale që çdo gjë, gjithçka, në veprimtarinë tonë, ne duhet ta vështrojmë, të shqyrtojmë në këtë kontekst. Ky vit duhet të jetë viti i themelit të 100 viteve që vijojnë, i vizonit të Shqipërisë, për 100 vitet e ardhshme.

Ky vit duhet të jetë një vit, në të cilin qytetaret shqiptarë të ndihen me krenarë se kurrë, më të vlerësuar se kurrë, në historinë e tyre, të ndihen krenarë me ato që kanë realizuar ata vetë, paraardhësit e tyre, të ndihen krenare me vizionin që mbështesin dhe të ardhmen që janë të vendosur të ndërtojnë në integrimin e Shqipërisë në BE.

Uroj dhe shpresoj që ky vit të frymëzojë çdo shqiptar për një fillim të ri në qëndrimet e tij ndaj të shkuarës, ndaj të sotmes, ndaj vendit. E them këtë, sepse asnjë komb nuk e ka historinë tij pa dritëhije. Edhe ne shqiptarët nuk e kemi të tillë. Kjo është historia, por merita është që të vërtetat të thuhen dhe që ato të thuhen në një mënyrë të qytetëruar. Merita është që të dalin jashtë të gjitha skemave te demonizimeve dhe të pasqyrojnë realitetet ashtu siç ka qene. Natyrisht kur them demonizimet, jo më pak të pavlefshme janë hyjnizimet. Kështu që stadi i zhvillimit të kombit shqiptar, shndërrimi i tij në komb urban, 100 vjetori i Shqipërisë, e bëjnë te domosdoshme të pasqyrohen të gjitha këto, me një qëndrim te ri të shqiptarëve ndaj vetes së tyre dhe kur them ndaj vetes së tyre e them me bindjen me të madhe sepse shqiptarët kanë nevojë për një rivlerësim të vetes së tyre sepse kanë bërë shumë, sepse kanë arritur shumë. Ka një të vërtetë që, në qoftë se nuk përfill veten tënde, askush nuk ka pse të të përfillë. Kombet janë si individët. Në një kohë lirie, dhe ky është një fat i madh, janë të lirë zërat, të cilët kanë pasion patologjik të nxijnë dhe të shajnë çdo ditë. Dhe ata kanë patur dhe do të kenë të drejtë ta bëjnë këtë sepse një vend i lirë nuk bën censurë. Është fatkeqësi, por ky pasion ekziston tek një pjesë e vogël e shqiptarëve, të cilët duan të nxijnë me çdo kusht realitetin. Sa e sa herë e kanë përmendur fjalën "krizë" gjatë këtyre 5 viteve për këtë vend, i cili ka meritën e jashtëzakonshme se nuk e njohu krizën. Këtij vendi, ka fatkëqij, që çdo rekord të zi janë të gatshëm t’ja veshin dhe ky vend del në historinë demokracisë me rekordet më të zeza, sepse pati fatin të sundohej nga diktatori më i pashembullt, më mizor, i pas Luftës së Dytë Botërore. Në një drekë me Presidentin Gorbaçov po i tregoja se në këtë vend, numërohen 830 gra të ekzekutuara. Ai u rrënqeth. Po i tregoja se si diktatori porosiste që “të përshëndetej me një plumb pas qafe Zai Fundo” dhe këtë e shkruante me dorën e tij. Bashkëbiseduesi më thotë se këtë nuk e ka bërë asnjë diktator. Ata vërtetë kanë kryer të gjitha barbaritë, por me dorën e tyre nuk i kanë shënuar. Të gjitha këto, sigurisht që kanë hedhur baltë mbi ne. Barbaria që u krye ndaj institucioneve të kultit ishte unike në rruzullin tokësor. Ishte lëndim, fyerje, poshtërim maksimal për vendin, por ishte gjithashtu një lëndim për të gjithë besimtarët e Zotit kudo që ata ishin.

Zhvillimet e shqiptarëve në liri janë zhvillime ndër më të jashtëzakonshmet e një kombi të lirë, ndaj edhe shqiptarët kanë njëmijë e një arsye për të qenë krenarë, për të vlerësuar veten e tyre, për të nderuar vendin e tyre. Asnjë komb në histori nuk ka dalë më shpejt nga varfëria siç ka dalë kombi shqiptar. Asnjë komb nuk po ecën me shpejtësi të madhe drejt niveleve te larta të zhvillimit, siç po ecin shqiptarët. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithcka që të këtë vit ta shndërrojmë në vitin e vizionit të 100 viteve që vijnë, ta shndërrojmë vitin e një fillimi të ri për shqiptarët dhe për Shqipërinë.

Zotërinj ministra,

Për çdo qytetar shqiptar dua të informoj se të ardhurat tatimore dhe doganore me 31 dhjetor të viti 2011 ishin 295 miliard lekë, ishin 400 milion dollarë më shumë, se ne vitin 2009. Po i referohem vitit 2009, nuk mund të shkoj te viti 2004, kur në total ato ishin 97 miliard lekë. Pra, performanca e ekonomisë shqiptare në vitin 2011 ishte e atillë, që realizoi të ardhura më shumë se kurrë në historinë e vendit, realizoi 295 miliardë kundrejt 255 miliardë që kanë qenë në total, në vitin 2009, pra ekzaktësisht 400 milion dollarë më shumë, ekzaktësisht rruga Elbasan-Tiranë më shumë. Duke theksuar këtë, është në detyrën tonë që këtë vit ta shndërrojmë në një vit suksesi edhe më të madh.

Në radhë të parë unë dua të garantoj opozitën se jemi të vendosur ti qëndrojmë marrëveshjes që arritëm pikë për pikë, sikundër theksoj dhe dua të theksoj se askush dhe për asgjë, nuk do të mund të marrë peng ecurinë e këtij vendi. Politika e pengut zgjati, por dështoi. Një vend i lirë nuk mund të merret peng kurrë. Një vend i lirë me besim tek liria, me besim tek ligji dhe kushtetuta e tij demokratike nuk mund të merret peng nga askush. Ndaj dhe ne qëndrojmë të vendosur dhe të hapur për një bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë, në interesin më të mirë të vendit, sikundër qëndrojmë të vendosur për zbatimin me rigorozitet të ligjeve dhe të Kushtetutës së këtij vendi. Uroj dhe dëshiroj që ato ligje që presin të votohen, me tre të pestat, siç është marrëveshja, uroj dhe dëshiroj dhe jam i vendosur të bëj çdo gjë për reformë elektorale të suksesshme.

Ky është viti i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ju garantoj se do të zgjidhet kryekëput dhe tërësisht në përputhje me Kushtetutën e vendit, por çdo përpjekje për ti imponuar Shqipërisë, për ti kushtëzuar asaj, dëshira suplementare, në raport me Kushtetutën, do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerat.

Uroj që të bëjmë përpjekje të mëdha për ti dhënë vendit një President në lartësinë e detyrave, në lartësinë e Kushtetutës dhe të ligjeve te vendit, me integritet të plotë.

Ky vit është një vit, në të cilin kriza ka marrë përmasa të mëdha në zonë e euros, çka tregon se nga ne kërkohet një vendosmëri shumë e madhe për të zgjeruar çdo ditë e më shumë frymëmarrjen dhe lirinë ekonomike. Ne nuk kemi alternativë tjetër për të mbajtur rritjen ekonomike, për të vazhduar me ambicie programet tona, projektet tona, përveçse performancës ekonomike.

Zotërinj ministra,

Në qoftë se ju lexoni ligjin e koncesioneve, i cili duhet të plotësohet me urgjencë me nenet e partneritetit publik, privat, në qoftë se vështrojmë potencialet e mëdha që kemi, ne, këtë vit mund të tejkalojmë qartësisht, pavarësisht nga kriza në rajon, objektivat tona ambicioze. Le të dërgojmë ne, mesazhe në të katër anët se në këtë vend investohet, se ky është një vend mikpritës për investitorët dhe investimet e huaja. Ne bëmë disa hapa shumë të rëndësishëm, ne shpallëm faljen, e cila nuk pati rikthimin e kapitalit që mund të rikthehej, por për ne, rëndësi të jashtëzakonshme pati fakti që fituan qytetarët më shumë se gjithë të tjerët. Deri më tani, 15 mijë familje kanë rivlerësuar pronat e tyre. 15 mijë familje bëjnë tani transaksione me pronat e tyre, duke paguar gjithësej 1 %, pra u krijua me këtë rast, një frymëmarrje e madhe të tregun e pasurive të paluajtshme sepse ishte një pengesë pagesa që duhet të bënin, ndaj dhe kjo për shkak të kërkesave të panumërta u shty deri më datën 31 mars. Uroj dhe dëshiroj që edhe biznesmenët të përfitojnë. Ne nuk e veçuam, e bëmë të plotë siç ishte, por e vërteta është që, motivi kryesor qenë qindra dhe mijëra kërkesa të qytetarëve për banesat e tyre.

Ne kemi shanse që të tejkalojmë këtë vit, objektivat tona shumë të mirëstudiuara. U fol, u ranë borive se kanë rënë të ardhurat. Doganat shqiptare e kanë mbyllur me 101 %. Tatimet kanë lënë 2 apo 3 % më pak . Në total, të ardhurat janë më shumë se asnjë vit, janë 400 milion dollarë më shumë se viti 2009. Eksportet e dhjetorit kanë shënuar rekord me 170 milion dollarë. Ky është modeli që funksionon, por ky model mund të funksionojë më mirë në çdo qelizë të tij, me angazhimin tonë të plotë.

Ky vit eshte viti i Shqipërisë dixhitale, prandaj zotërinj ministra, në axhendën tuaj të parë do të jenë Shqipëria dixhitale. Të gjitha projektet dixhitale dhe zbatimi i tyre me përparësi absolute, janë puna juaj e përditshme. Nuk ka shërbim më të madh që mund ti bëhet këtij vendi sesa në 100 vjetorin e tij ta bëjmë një vend dixhital.

Viti ka një apel të madh për ne, që të jetë ky, viti i sukseseve më të mëdha, i arritjeve më të mëdha, në mënyrë që të dëshmojë se jemi në një vit jubilar, se jemi mirënjohës pa kufij ndaj të gjithë atyre që u flijuan, që Shqipëria sot, të jetë e lirë dhe e pavarur 100 vjeçare, ndaj, të gjithë atyre që me lumenj djerse bënë gjithçka që ky vend të arrijë sot aty ku ka arritur. Në një prej treguesve kryesorë, absolut me themelor, të çdo shteti, që është banesa, vendi ynë lë sot pas, 4 deri 5 vende të zhvilluara anëtare të OECD dhe BE. Le të vazhdojmë ne që të bëjmë gjithçka që kjo garë në të gjitha fushat të ecë me shpejtësinë më të madhe të mundshme.

Edhe njëherë Gëzuar! Ju uroj Gëzuar vitin e Ri, ju gazetarëve me shumë suksese, mirënjohje për punën e shkëlqyer që bëni për informacionet dhe lajmet, me të cilat ju mbushni hapësirën informative të vendit.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza