TIRANE – Kryeministri shqiptar Sali Berisha e cilësoi sot të pakonceptueshme atë që ai e quajti bllokim nga ana e opozitës të reformave të kërkuara nga Europa. “Që maxhoranca të propozojë ligje dhe opozita të mos i miratojë, nuk është praktikë që mund ta pranojë Brukseli dhe vendet anëtare”, deklaroi Kryeministri gjatë mbledhjes së sotme të Komitetit Ndërministror të Integrimit.

“Nuk ka zgjë më bizare, më të pakonceptueshme sesa të mos votohen në Parlament reformat që kërkohen nga Komisioni Europian në një proçes që synon t’i bëjë qytetarët shqiptarë më të lirë, më të begatë, më të sigurtë – tha Berisha, duke shtuar se - mos miratimi i ketyre reformave, siç është bërë e qartë, la Shqipërinë 2 vjet pa status.”

Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri theksoi së maxhoranca që ai drejton do të bëjë gjithçka për të bashkëpunuar me opozitën e majtë përsa i përket proçesit integrues. “Ne mbetemi shumë të vendosur të bëjmë gjithcka çka është në dorë të qeverisë për të avancuar këtë proçes, për një bashkëpunim të suksesshëm me opozitën”.

(im/shqiptarja.com)