Një deklaratë e Sali Berishës e pasqyruar në median britanike Daily Mail mbi emigrimin e shqiptarëve në Britani ka sjellë replika në distancë mes tij dhe kryeministrit Edi Rama. Ish-kryeministri iu përgjigj sot kreut të qeverisë, pasi ky i fundit e quajti shërbëtor i së keqes që lëshon deklarata kundër Shqipërisë.

Për Berishën, shkaktari kryesor i emigrimit të shqiptarëve është Edi Rama dhe korrupsioni i qeverisë së tij që i nxit të rinjtë shqiptarë të ikim me gomone drejt Britanisë. Sipas Berishës Edi Rama po përdoret nga këshilltarët e tij britanikë për politikë të brendshme në Mbretërinë e Bashkuar. 

“Edi Rama është angazhuar në betejë politike në Britani, i këshilluar nga këshilltarë që duan ta shndërrojnë çështjen e brendshme për pikë politike, Edi Rama kalon nga një konferencë në tjetrën, duke përdorur gjuhën ordinere, që tregon se nuk ka minimumin e edukatës njerëzore", tha Berisha.

Madje Berisha arriti deri aty sa akuzoi Shqipërinë për eksport të krimit në një vend tjetër. Përgjigja i erdhi nga kreu i qeverisë, i cili e cilësoi Berishën si llum që s’ka dinjitet me të huajt dhe që luftën politike e eksportojnë në mediat e huaja.

“Edi Rama duhet ta dijë mirë se eksporti i krimit është një nga aktet më të rënda që një vend mund të bëjë ndaj fqinjëve të tij dhe vendeve të tjera. Dhe se lufta kundër krimit të organizuar është një nga detyrimet absolute më madhore të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Berisha.

Debatet për emigrimin e shqiptarëve vijnë pasi sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman e cilësoi si ‘pushtim’ nga shqiptarët që përshkrojnë me varka kanalin e Lamanshit. Ajo shtoi se për këtë probklematikë shumë të madhe duhet të gjendej një zgjidhje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:18
Berisha tha se Shqipëria po eksporton krim në Britani, Rama: Llum, si mund të votohet ky që sulmon Shqipërinë në gjuhë të huaj

Pas deklaratave të Berishës së Shqipëria ka eksportuar kriminalitetit në Britaninë e Madhe ka reaguar Kryeministri Rama.

 “Çfarë shqiptari je kur ia beson votën dhe përfaqësimin tënd dikujt që sulmon Shqipërinë në gjuhë të huaj? Politikanët që s’kanë asnjë dinjitet me të huajt dhe që luftën politike e eksportojnë në mediat e huaja, janë një llum ku jo besimi po as vështrimi nuk duhet hedhur”, ka shkruar Rama në Twitter.

Ora 12:25
Berisha i përgjigjet i Ramës: Ti je autori kryesor i largimit të shqiptarëve në Britani, këshilltarët po e përdorin për politikë të brendshme

 

Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama mbi debatin për emigrimin e shqiptarëve në Britaninë e Madhe. Pasi deklaratat e Berishës u pasqyruan në median britanike Daily Mail, Rama tha se është Berisha shërbëtor i së keqes që lëshon deklarata kundër Shqipërisë. 

Berisha tha se shkaktar i largimit të shqiptarëve në Britani është Edi Rama. Sipas tij, Edi Rama po përdoret nga këshilltarët e tij britanikë për politikë të brendshme në Mbretërinë e Bashkuar. 

“Unë sot gjithashtu dua të denoncoj qëndrimet e Edi Ramës ndaj problemeve të mëdha, ndaj dramës shqiptare në kanalin e La Manshit. Autor kryesor i kësaj drame njerëzore është Edi Rama. Janë lidhjet e tij të tmerrshme me korrupsionin, janë vjedhjet e tij në afera qindra milionëshe, janë rrëmbimi i votës, që i bën këta qytetarë të pashpresë në vendin e tyre, janë lidhjet e forta me krimin dhe drogën të Edi Ramës. Edi Rama është angazhuar në betejë politike në Britani, i këshilluar nga këshilltarë që duan ta shndërrojnë çështjen e brendshme për pikë politike, Edi Rama kalon nga një konferencë në tjetrën, duke përdorur gjuhën ordinere, që tregon se nuk ka minimumin e edukatës njerëzore. Gjuhë që bazohet në urrejtje. Për interesat e tij është i gatshëm që të përdorë çdo fjalë dhe të mbajë çdo qëndrim", tha Berisha.

Ora 12:23
Berisha: Mbështes kërkesat e pedagogëve, marrin gjysmën e pagës që kanë kolegët e tyre në Prishtinë

 

Në një deklaratë për mediat Sali Berisha ka komentuar vendimin e pedagogëve për t’u rikthyer në auditorë, por që nëse nuk do t’u plotësohen kushtet do të bojkotojnë provimet e shkurtit. Berisha tha se ata kanë të drejtë me kërkesat e tyre, pasi marën gjysmën epagës që marrin pedagogët në Prishtinë.

“Përshëndes Sindikatën e Universiteteve të vendit, për betejën e tyre, vendosmërinë, mbrojtjen që kjo sindikatë u bëri dhe u bën interesave jetike të pedagogëve, punonjësve dhe studentëve të universiteteve tona, por edhe interesave jetike të shoqërisë shqiptare dhe kombit shqiptar. Kjo sindikatë, në interesin më të mirë të kësaj beteje, ka vendosur të ndërpresë thirrjet për bojkot, por të vazhdojë luftën dhe betejën.

E garantoj se në çdo hap të saj, ajo dhe cilado organizatë apo individ që mbron një kauzë të drejtë, do ketë mbështetjen totale të PD-së. Me këtë rast, theksoj se nuk mund të pajtohem kurrë që një pedagog në universitetin e Tiranës të marr gjysmën e rrogës që merr një pedagog në universitetin e Prishtinës, dhe kjo vetëm për faktin se qeveria e Kosovës nuk vjedh fondet siç vjedh Edi Rama”, tha Berisha.