Berisha i shtron drekë Reeker-it:
Na dërgoni vëzhgues zgjedhorë

Berisha i shtron drekë Reeker-it: <br />Na dërgoni vëzhgues zgjedhorë
TIRANE - Qeveria shqiptare i ka rikërkuar sërish Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të dërgojnë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve në zgjedhjet e 23 Qershorit. Kërkesa është bërë sot personalisht nga Kryeministri Berisha gjatë drekës që shefi i qeverisë shtroi për zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit Philip Reeker, i cili ndodhet në Tiranë në një vizitë dy ditore në kuadër të retorikës nacionaliste që ka shqetësuar së tepërmi SHBA-të.

“Qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur për të zbatuar çdo masë në kuadër të shtetit ligjor që zgjedhjet e 23 qershorit të plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme” bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.

Kryeministri Berisha i ka prezantuar Reeker masat e marra nga KQZ për rritjen e shpejtësisë dhe transparencës në votim, ku vetëm sot administrata zgjedhore zbuloi se 139 njësi të qeverisjes vendore nuk kanë dorëzuar materialin zgjedhor brenda afatit kohor, por tha se sanksionimi ndaj tyre do të ishte në një tjetër moment.

“Realizimi me sukses i reformës zgjedhore ka bërë të mundur që sot Shqipëria të ketë një kuadër ligjor, zgjedhor, në të cilin janë reflektuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it”, tha shefi i mazhorancës.

Megjithatë Berisha, duke dalë jashtë “memos” së Shteteve të Bashkuara të Amerikës pikërisht për retorikën nacionaliste, shprehu mirënjohje ndaj presidentin amerikan Barack Obama dhe sekretarit të shtetit John Kerry “për mbështetjen për paqen e stabilitetin e rajonit, perspektivën euroatlantike të tij dhe në veçanti për mbështetjen e paçmuar ndaj Republikës së Kosovës”, bën të ditur zyra e shtypit e Kryeministrit, e cila zbardhi takimin mes Berishës e diplomatit amerikan.

Më tej në njoftim thuhet se “Reeker i ripohoi Kryeministrit Berisha se SHBA do të vijojnë të mbështesin fuqishëm Shqipërinë e rajonin, përfshi edhe përpjekjet për integrim në BE. Në këtë kontekst, z. Reeker përshëndeti edhe marrëveshjen fundit trepalëshe midis Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë si një shenjë tjetër e klimës së bashkëpunimit për interesat e përbashkët të këtyre vendeve”.

REEKER ME PANARITIN: ME RENDESI PAQJA DHE DIALOGU NE RAJON

Ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Panariti, priti në një takim Zv.ndihmës Sekretarin e Shtetit, z. Philip Reeker.

Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan nivelin e shkëlqyer strategjik të marrëdhenieve ndërmjet dy vendeve si në aspektin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh dhe vlerësuan edhe një herë dimensionin e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve në përballimin e sfidave të sigurisë globale edhe në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Burimet zyrtare bënë të ditur se “bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e intensifikimit të shkëmbimeve politike dhe u ndalën veçanërisht në rritjen e pranisë së biznesit amerikan në Shqipëri dhe në rajon.

Në takim u disktua dhe për zhvillimet në rajon ku u theksua edhe një herë rëndësia e ekzistencës së frymës së dialogut dhe bashkëpunimit në shërbim të paqes, stabilitetit dhe perspektivës Europiane të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Knaus: Franca dhe Gjermania po përgatiten të bllokojnë pranimin e Kosovës në KiE

Knaus: Franca dhe Gjermania po përgatiten të bllokojnë pranimin e Kosovës në KiE