Në studion e emisionit ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv u diskutua për ‘zgjedhjet’ e 23 majit për kryetarin e PD-së, ku në garë është vetëm Sali Berisha.

Juristja Alesia Balliu (e cila pretendoi të kandidonte për kryetare të PD, por nuk u lejua) është shprehur se në 23 maj në PD nuk do të ketë zgjedhje, por një farsë që sipas saj do i serviret publikut.

Më tej Balliu lëshoi akuza të rënda ndaj Berishës, për të cilin tha se shpif dhe linçon për çdokënd që guxon që ta konkurrojë me ide. Balliu tha gjithashtu se pronari real i PD dhe iniciatori i sulmeve ndaj kundërshtarëve, është Shkëlzen Berisha.

Duke folur për rastin e saj, ajo tha se me porosi të Shkëlzenit është sulmuar nga Syri Tv dhe deputeti Gjin Gjoni, të cilin e cilësoi si ish-të korruptuarin e drejtësisë.

“Nuk është garë. Kjo është për t’i servirur publikut farsën e radhës, sepse zgjedhje në PD nuk ka. Berisha ka ngelur te zakoni i vjetër për të linçuar dhe shpifur ndaj çdokujt që ka një mendim ndryshe nga ai. Rasti konkret jam unë. Pasi shpalla kandidaturën dhe guxova të sfidoja Sali Berishën në idetë e mia politike që janë të kundërta nga të tijat, Berisha nisi një sulm personal ndaj figurës sime, duke shpifur dhe duke mohuar kontributin tim në PD, kontribut që është i pamohueshëm.

Shpifja tjetër e pacipë që dirigjoi ish-të korruptuarin e sistemit gjyqësor Gjin Gjonin, që të më linçonte nëpër media duke thënë që Alesia Balliu punon në administratë shtetërore. Kur Alesia Balliu ka 6 vite që punon si avokate dhe është në privat dhe nuk ka punuar asnjë ditë të vetme në shtet. Ditën tjetër e nisi Berisha duke i dhënë zë edhe më shumë sikur unë punoja në shtet. Kjo nuk qëndron fare. Shpifja është metoda e vetme që ai përdor kundër kundërshtarit politik në ide.

Mbaroi me Gjin Gjonin, më goditi me anë të sekretarit të përgjithshëm, një njeri që nuk ka as moral politik për të qenë sekretar. Nga ana tjetër, më ka sulmuar edhe televizioni Syri Tv, me urdhër të të vetmit pronar që sot PD ka, që nuk është Sali Berisha, por Shkëlzen Berisha. Shkëlzeni është pronari në hije i PD. Ai emëron deputetët dhe ai bën pazaret. Këta janë pasuruar në kurriz të shqiptarëve. Nëse ne do të ishim të gjithë në garë, Berisha nuk kishte mundësi ta merrte 60% të votave. Unë Flamur Nokën e njoh si bobin e Berishës”, tha mes të tjerash Balliu.

Ndërkohë për avokatin Edmond Petraj, PD dhe Sali Berisha kishin një shans real për të lejuar garën brenda partisë. Kjo sipas tij do lejonte që PD të ishte një parti vërtetë demokratike. Pas eliminimit nga gara të të gjithë pretendentëve për kandidatë, për Petrajn, PD e ka mbyllur misionin e saj.

Ai foli edhe për nenin 46 të Statutit të PD-së (neni Basha), që sipas avokatit, nëse do të respektohej, do e skualifikonte Sali Berishën nga gara për kryetar të PD-së.

“PD ka zgjedhje. Në njërin krah ka Saliun, në tjetrin ka Berishën. Ky ishte momenti për të lejuar PD-në që të ishte Parti Demokratike. Berisha kishte shansin më të mirë që ta risillte PD-në të paktën siç ishte në kohën e Bashës. Atëherë ka pasur më shumë kandidatë. Ka qenë Shehaj, ka qenë Kadilli dhe personazhe të tjerë dinjitozë. PD më duket e përfunduar në mision në këtë moment. Në Statutin e PD, pjesa e nenit 46 (neni Basha) e skualifikon Sali Berishën nga gara”, tha mes të tjerash Petraj.

Ndërkohë avokati Besart Logu duke folur për lëvizjen e Ervin Salianjit, deklaroi se ajo duhet të zhvillohej brenda strukturave të PD-së dhe jo jashtë. Për avokatin Logu, lëvizja e Salianjit nuk është serioze dhe përfaqësuese, teksa e cilësoi të drejtë ndalimin e tij për të kandiduar.

“Salianji ka gjetur rrugën e gabuar, sepse beteja bëhet brenda strukturave. Ai vendosi të dalë përballë. Nëse lëvizja e Salianjit do ishte aq serioze dhe përfaqësuese, në mungesë të kësaj padrejtësia që po i bëhet Salianjit, do të dilte një profil i lartë brenda PD-së. Do kishte dalë një profil ta merrte këtë risk përsipër dhe të mundte Berishën në zgjedhje”, tha mes të tjerash avokati Besart Logu.