Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas skualifikimit nga kandidimi për kreun e PD-së të Mereme Selës dhe Vladimir Mulaj (Sali Berisha do të jetë i vetmi kandidat në zgjedhjet e 23 majit për kreun e PD-së).

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji shkruan se Berisha dhe njerëzit në PD që i shërbejnë interesave të tij, po e çojnë këtë forcë politike drejt shuarjes. Teksa thekson se PD nuk duhet të jetë parti e një individi, Salianji shkruan më tej se Berisha është i konsumuar, i izoluar, i hetuar dhe i paaftë për të bashkuar opozitën.

Për Salianjin, Berisha po shkon drejt degradimit të plotë dhe vendimi për të hyrë i vetëm në garën për kreun e PD-së, sipas ish-deputetit tregon humbjen e 'kështjellës' së fundit që kryedemokrati kishte arritur të fshihte: 'burrërinë'.

Në përfundim Salianji paralajmëron Berishën se i ka bërë llogaritë gabim me të, teksa u kërkon demokratëve që të mos heshtin përballë kësaj situate.

Reagimi i Salianjit:

Standardi mizerabël se si Berisha po trajton Partinë Demokratike shpreh  mungesën e thellë të përgjegjësisë  historike për sakrificat e demokratëve që prej 13 vitesh dergjen në opozitë.

Shpërfaqja e këtij shtetari deri në degradim total me ndasi, me idiotësi, me miq dhe armiq imagjinar…. me rrena dhe gënjeshtra  të poshtra që i kanë lënë demokratët  13 vite rrugëve, shprehin humbjen e e “kështjellës” së fundit që ai kishte arritur të fshinte: burrërinë.

Ai dhe rrethi që i kacavirret abuzon me besnikërinë dhe vlerat e demokratëve, duke i vendosur përballë një presioni moral: të heshtin “për respekt të moshës”, të heshtin përballë “ndereve që i janë bërë”, të heshtin para shuarjes së PD për shkak të lidhjes me të.

Kush mban përgjegjësi për humbjen më të thellë që nga 1997, me 11 Maj 2025?  Kush i bëri listat? Kush hartoi programin banal sikur të ishte viti 1995? Kush e drejtoi fushatën?

Dhe pyetja më e rëndësishme: si do të fitojë Partia Demokratike?

Edhe demokratët më të fandaksur e dinë që me Sali Berishën dhe këtë lidership, nuk do fitohet kurrë.

Çdo ditë që ai qëndron në krye të Partia Demokratike e Shqipërisë është një humbje për opozitën dhe për Shqipërinë.

Koha punon vetëm për ndryshimin. Sali Berisha nuk mund ta përfaqësojë kurrë atë.

Ai është i konsumuar, i izoluar, i hetuar, i paaftë për të bashkuar opozitën.

Nuk mund të flasim për ndryshim në Shqipëri, duke refuzuar ndryshimin në PD. Ne nuk mund të kërkojmë votën e shqiptarëve kështu.

Partia Demokratike nuk mund të jetë kurrë e fortë pa garë, pa përfaqësim, pa përgjegjësi.

Çdo  përpjekje për t’i shmangur këto  e dobëson Partinë Demokratike dhe e largon nga qytetarët.

Partia Demokratike nuk mund të jetë parti individi, nuk e meriton të jetë! Ajo duhet të rikthehet në një parti masash dhe pushteti. Ajo është pronë e demokratëve dhe shpresa e mijëra shqiptarëve që presin rotacionin prej vitesh!

PD nuk e meriton të shuhet për shkak të liderit të saj.

Llogaritë i kanë bërë gabim, veçanërisht me mua dhe shumicën e demokratëve.

Koha thërret demokratët të mos heshtin.


Lajmi kryesor:

Zgjedhje formale për kreun e PD/ Berisha i vetëm në 'garë', skualifikohen nga kandidimi Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj