Berisha kërkon pazar për fëmijët e Kushtetutën me PD si ‘kolateral’?!

Berisha kërkon pazar për fëmijët e Kushtetutën me PD si ‘kolateral’?!

Sali Berisha

Sali Berisha po përdor të gjitha mënyrat e mjetet për të qënë faktor relevant politik në Shqipëri, sidomos përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë. Të cilët me kohë e vakt i kanë hequr ‘vizën’.

Dhe në këtë ndërmarrje të vështirë, ku ish kryeministri demokrat nuk ka asgjë për të humbur, po punon në shumë plane dhe ka hapur disa ‘fronte’ njëherësh. Sipas parimit ‘të dalë ku të dalë’ dhe të ‘kapë kë të kapë’ ndonjë prej atyre politikanëve demokratë apo njerëzve që dëshirojnë akoma të jenë ‘viktima’ të diskursit të tij politik anti-perëndimor.

Që në krye të herës nuk iu nda grupit parlamentar të PD, të cilin e shkatërroi fund e krye dhe tashmë pjesa më e madhe e deputetëve të kësaj partie, të dalë nga zgjedhjet e vitit 2021, janë vërtetë të bashkuar rreth Berishës. Ndërkohë që po rreth tij, po zhvillon tryeza të përjavshme për çështje të ndryshme, më saktë se si të vendosë Lulzim Bashën në cepin e ‘ringut politik’, pavarësisht se ky grup s’ka emër. Pra mund të quhen thjeshtë deputetë të pavarur, nëse vijojnë në këtë linjë politike.

E tregoi qartë gara për zgjedhjet e pjesëshme në bashkinë Kukës, ku nga njëra anën grupi i deputetëve me në krye Gazment Bardhin, që shkuan tek Berisha, bashkë me ata që kishte Doktori që në krye të herës, deklarohej në emër të PD se mbështet kandidatin Emri Vata, nga ana tjetër kandidati i “Foltores” po Emri Vata ka dalë me siglën e Partisë së Lirisë të Ilir Metës jo me siglën e PD, që Bardhi thotë se e përfaqëson.

Pra “Foltorja” ka qënë dhe është një lëvizje, ku me gjithë vajtjen e deputetëve tek Berisha, me gjithë Gaz Bardhin brenda, sërish lëvizje mbetet. Foltorja nuk është parti, dhe për pasojë dhe ata që i bashkohën, pavarësisht numrave, vijon të mos jetë parti, deri në një moment të fundmë kur të vendosin për të themeluar një parti të re, apo për të qënë në një grupim ‘federativ’ me Partinë e Lirisë, të udhëhequr nga Ilir Meta.

Dhe, duke shfrytëzuar ambicien e pafund të Gazment Badhit për të bërë protagonizmin politik nëpër studiot televizive, si dhe ‘dashurinë e fshehur” dhe asnjëherë të shprehur po të Bardhit për të drejtuar PD-në zyrtare, e kishte një vit e gjysmë në dorë pas dorëheqjes së Bashës për të luftuar dhe marrë postin e drejtuesit të PD zyrtare dhe jo të priste Bashën, që të deklaronte me idhnim atë që kishte në ‘zemër’, pra drejtimin demokratëve, Berisha po tenton jo pa sukses të krijojë kaos brenda të gjitha pjesëve të PD, thjeshtë dhe vetëm për të ‘ekzekutuar’ një ndërhyrje të fundme të tij, dhe për të marrë ‘kurorën’ se vetëm ai është shpëtimtar i situatës në parti.

Situata është me të vërtetë qesharake, pasi në PD kemi dy sekretarë të Përgjithshëm, Enkelejd Alibeajn e zgjedhur nga Kuvendi i Bashës dhe Gazment Bardhin që nuk e njeh këtë Kuvend. Ky i fundit, tek “Foltorja” e Berishës, duke qënë se posti i sekretarit të Përgjithshëm është i zënë nga Flamur Noka, e quan veten kryetar të grupit parlamentar të PD, të bashkuar. Këtë dëshirë të Bardhit e ‘ledhaton’ dhe Berisha, që me dhëmbë të shtrënguar pasi gëlltit akuzat e Bardhit për “babin e Zenit” dhe akuzat e tjera të rënda, pranon me gjysmë zëri se ‘e kemi kryetar grupi Gazmentin’. Duke i dhënë vërtet ‘gaz’ dhe Gaz Bardhit kundër Bashës dhe PD zyrtare.

Situata është aq qesharake, sa dhe një ditë më parë ishin prezentë dy kryetarë grupi të PD në konferencën e kryetarëve, duke e zhytur në dilema dhe vetë Kuvendin e Shqipërisë, i cili ka rënë në hall me këtë soj njerëzish, aq sa dhe “kërpërata’ në këto kushte do të dukej lule para këtij humori të rëndë dhe të trishtueshëm që po bëhet me PD dhe demokratët.

U desh largimi vullnetar i kryetares së grupit të PD Flutura Açka, aq deputetë sa kanë mbetur tek PD zyrtare por me kuorumin e nevojshëm për të qënë grup parlamentar, që të shmangej konfrontimi me Bardhin në Konferencën e Kryetarëve të cilit i është mbushur mendja top se e bën kreun e grupit, që të shmangej situata qesharake në sallë e të mos bëheshin më tej gazi i botës.

Për hir të së vërtetës, emërtesa e grupit parlamentar shkon andej nga janë strukturat dhe vula e partisë, pra PD, dhe për pasojë Bardhi me gjithë deputetët që shkuan te Berisha praktikisht janë deputetë të pavarur. Kjo është një praktikë që ndiqet nga të gjitha partitë politike në botë. Askund deputetët që ndjekin një linjë tjetër politike, nuk marrin partinë me vete. Ata largohen nëpër grupe të tjera ose bëjnë parti më vete. Nuk identifikohet partia me grupin parlamentar por është e anasjellta, grupi indentifikohet me partinë.

Megjithatë një situatë e tillë, kuptohet pasi në lojë është Sali Basha i shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania dhe i konsideruar si i tillë nga gjithë vendet anëtare të BE por dhe vendet e rajonit duke mos i dhënë as dorën dhe përmendur emrin jo më t’i japin mbështetje për të ardhur në pushtet, shtuar këtu dhe ngërçin se kush është kryetar i grupit të PD pasi 28 deputetë kanë firmosur e dërguar shkresën në Kuvend se ‘duam Bardhin kryetar”, ka bërë që të vijë një reagim i fortë nga ana e amabasadës së SHBA në Tiranë.

“S’është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri. Gjithashtu, nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë në lidhje me individë të shpallur (non-grata) në Shqipëri dhe nxisim të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla”, reagon mes të tjerave SHBA, përmes ambasadës së saj në Tiranë.

Fiks për Bardhin. Duke i dërguar sinjal dhe Bardhit e deputetëve të tjera që kanë shkuar tek Berisha, se të gjithë aktorët politikë duhet të shqyrtojnë me kujdes angazhimet me ‘non gratat’. Paralajmërimi është i qartë për Bardhin dhe deputetët e tjerë të PD që shkuan tek Berisha, që të distancohen sa nuk është vonë. Ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që ky është një sinjal dhe për kreun e PL, Meta, nën siglën e të cilit po garon për të tretën herë Foltorja e Berishës, me kandidatët e vet.

Dhe Berisha këtu kërkon të bëjë të fortin përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë, njëherësh dhe viktimën, pasi kërkon të tregojë se ka mbështetje të fortë brenda PD, aq sa dhe kundërshtarë të ‘paepur’ si Gazment Bardhi si dhe deputetë të tjerë të PD shkojnë tek “Foltorja”. Por bën dhe viktimën, si për të thënë se ‘çfarë keni me mua, mua më duan demokratët shqiptarë dhe një pjesë e shqiptarëve dhe nuk kam çfarë u bëj’.

Nga ana tjetër, duke bërë rolin e viktimës si në rastin e akuzave të rënda ndaj fëmijëve të tij për korrupsion dhe abuzim me pushtetin sa kohë kishin babain kryeministër, apo dhe në mënyrë indirekte një farë ‘ndjese’ për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, dhe kërkuar rishikimin e saj, kryesisht në ndryshimin e nenit që forconte kryeministrin e vendit, Berisha për hir të së vërtetës po kërkon të negociojë për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet në favor të tij. Pra kërkon pazar, pasi kështu e koncepton negociimin Berisha.

Në fillim deklaroi se nëse fëmijët e tij kanë abuzuar gjatë kohës që ai ka qënë kryeministër i vendit për 8 vite me radhë, është gati të marrë përsipër përgjegjësinë e tyre. Bëhet fjalë për fëmijë, që e kanë bërë gjysh me kohë dhe vakt, dhe supermbesa kishte kohë që kishte shpallur ‘mëvetësinë’ si çdo i ri që kalon moshën 18 vjeç.

Pra fëmijët e Berishës nuk kanë qënë të mitur në kohën kur ai qeveriste, dhe ndodhën ato që ndodhën, që nga shpërthimi i Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë dhe ku nën akuzë është Shkelzen Berisha. Apo ‘taksa e suksesit’ prej 3 përqind që kërkonte vajza e tij Argita Berisha Malltezi ndaj biznesmenëve vendas dhe të huaj për të ndërhyrë te babai kryeministër e lehtësuar punën, apo afera e Porto Romanos, afera CEZ-DIA, e deri te privatizimi i ish klubit sportiv “Partizani” nga dhëndëri i tij Jamarbër Malltezi, i cili vijon të ketë martesë të lumtur me vajzën e Berishës, Argita. Ia urojmë dhe që të ketë jetë shumë të lumtur, por të dalë para drejtësisë ama.

Jo se nuk e di Berisha se ligji ngarkon me përgjegjësi fëmijët e tij, pasi kanë qënë në moshë madhore në kohën kur ishte në krye të qeverisë shqiptare. Berisha e di si dreqi këtë punë, por nga njëra anë kërkon të ushtrojë presion ndaj drejtësisë së re si për të thënë se ‘mos u merrni me kalamajtë e mi por merruni me mua për të gjitha akuzat, pasi kam qënë unë kryeministër’. Me sa duket pranon pra se ka shkelje, abuzime dhe krim.

Nga ana tjetër kërkon që të çlirohet ‘laku’ i përgjegjësive nga fëmijët e tij, dhe në rastin më të mirë të mbyllen si çështje dhe në rastin më të keq të ngarkohen në kurrizin e tij, duke e ditur ‘ujë’ këtë punë se me këta prokurorë dhe gjyqtarë specialë, jo vetëm që nuk do të hetohet dhe dënohet, por as do të thirret ndonjëherë për të dëshmuar. Madje as do t’i zihet në gojë emri.

Dhe meqë është 80 vjeç, deri sa të dalë ndonjë prokuror e gjyqtar me këllqe, Berisha e mendon se i Plotfuqishmi do ta ketë marrë pranë vetes, dhe si i tillë pas tij, të bëjnë çfarë të duan. Fundja, akuzat mendon se do të jenë në ngarkim të tij, nëse realizohet qëllimi i Berishës, ndërsa ai është në “kuvendim” me Zotin, fëmijët shpëtojnë njëherë e mirë nga burgu. Shpëton dhe dhëndëri me ta. Eshtë një ‘llogari’ e bërë ‘hollë’ nga Berisha, si të gjitha llogaritë e bëra për vete e familjen e tij dhe në kurriz të demokratëve dhe gjithë shqiptarëve.

Pra po kërkon pazar në ‘metrat’ e fundit të jetës Berisha me drejtësinë e re që të kalojnë akuzat e fëmijëve në ngarkim të tij. I merr me vete në ‘amëshim’ të gjitha, dhe shpëton fëmijët. Duke përdorur si ‘kolateral’ PD-në, deri në rrënimin e plotë të saj. Gjithnjë duke treguar dhe ‘forcën’ përballë drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, me argumentin se ka 43 deputetë rreth vetes. Ka dhe Gaz Bardhin, me një fjalë, ka mbështetje tek populli demokrat.

Ndërsa për ndryshimet në Kushtetutë, për të rregulluar atë që u bë më 2008, Berisha kërkon me sa duket pazar me partnerët ndërkombëtarë e me Edi Ramën. E vuan tmerrësisht shumë Berisha faktin se nuk e merr askush për bazë, nuk i merret parasysh asnjë kërkesë që mban firmën e tij, qoftë dhe si deputet i thjeshtë në mes të deputetëve të tjerë, se si kryetar i “Foltores” jo e jo.

Në mënyrë tepër të dëshpëruar Berisha kërkon të jetë në një tryezë negociatash, qoftë dhe për ndryshimet në Kushtetutë për të zhbërë atë që ai kurrë nuk e mendonte dhe as do të pranonte, nenet e dakordësuara prej tij, dhe kryesisht për një kryeministër që s’kishte burrë nëne ta lëvizte nga posti, dhe sikur të mos kishte shumicën qeverisëse parlamentare prej 71 deputetësh. Pra Berisha i rikthehet për hir të interesit personal të tij dhe familjes dhe ‘marshit indietro’, që deri më tani as e ka njohur dhe as nuk e njeh.

Berisha mendon se duke u ulur në tryezë për Kushtetutën, pasi mendon se imponohet me fuqinë e 43 deputetëve që ka rreth vetes, ka dhe Bardhin siç e theksuam, do të rikthehet sërish në një faktor relevant politik përballë ndërkombëtarëve dhe kundërshtarit të tij politik. Megjithëse e di se mazhoranca socialiste e kryesuar nga Edi Rama e partnerët ndërkombëtarë, nuk do të pranojnë në asnjë cep të tryezës së bisedimeve as Berishën dhe as mbështetësit e tij. As për Kushtetutën.

Dhe sikur Rama të deklarohet sot për këto ndryshime, në asnjë rast nuk ulet në negociata me Berishën apo mbështetësit e tij. Berisha është ‘non grata” për SHBA-të dhe Britaninë, i tillë konsiderohet e trajtohet dhe nga Rama e mazhoranca socialiste. Eshtë e vdekur kjo, nuk ulet njeri me Berishën, nuk i përgjigjet njeri për asgjë.

E kanë treguar që në momentin kur është shpallur “non grata”, të gjithë ata që e ndjekin pas Berishën, kanë humbur pozicionet që kanë pasur, në komisionet e përhershme të Kuvendit apo në delegacionet pjesëmarrëse në strukturat ndërkombëtare. Merret për bazë vetëm pjesa zyrtare e PD, ata deputetë që kanë mbetur. Ndaj dhe Bardhi, i cili nuk kalonte ditë pa takuar ndonjë përfaqësues të aleatëve tanë të mëdhenj, nga mungesa e ketyre takimeve fillon e gënjen dhe shpik ‘takime me amerikanë’. Madje u atribuon dhe disa qëndrime të tij aleatëve.

Por Berisha vijon të ‘godasë’ në këtë pikë me shpresën se dikur do të lodhen me të, dhe do ta pranojnë, pavarësisht qëndrimit të prerë të SHBA dhe Britanisë ndaj ‘non gratave’ dhe pasuesve të tyre, se nuk do të jenë asnjëherë të mbështetur prej tyre. Në asnjë aksion politik.

Por Berisha nuk ka asgjë për të humbur, pavarësisht se i di të gjitha këto kufizime. E provoi me komsionin e reformës zgjedhore, për të zëvendësuar me firmën e Bardhit, si bashkryetar i këtij komisioni, Oerd Bylykbashin e “Foltores” me Enkelejd Alibeajn e zgjedhur si sekretar i Përgjithshëm i PD zyrtare. Do ta provojë dhe me Kushtetutën dhe çfarë t’i dalë para Berisha. Nuk humb asgjë.

Ata që humbin janë demokratët e mbështetësit e tyre, të cilët do qëndrojnë gjatë, po shumë gjatë në opozitë. Jo dhe një mandat, por ndoshta dhe shumë mandate të tjerë. Pasi Berisha, të cilin e ndjekin verbërisht pjesa më e madhe e demokratëve, thjeshtë dhe vetëm kërkon pazare për hallet e tij personale dhe familjen e tij, s’mendon për ta. Ky është fundi!

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

Drafti/ Minimumi jetik të nisë nga 200 € në muaj! Vokshi: Mbi 1 milonë në varfër në Shqipëri! PS: Keni shifra të vjetra

Drafti/ Minimumi jetik të nisë nga 200 € në muaj! Vokshi: Mbi 1 milonë në varfër në Shqipëri! PS: Keni shifra të vjetra