TIRANË-   Në 31-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, ish-kryeministri Sali Berisha ka provokuar nga Qyteti Studenti me simbolin serb. Në banerin e vendosur për aktivitetin e Berishës, duket qartë simboli serb me tre gishta, që përdorej nga ata gjatë gjenocidit në Ballkan, ku vrisnin dhe shfarosnin shqiptarët e Kosovës dhe qytetarët në Bosnje-Hercegovinë.

Në fjalën e tij, Sali Berisha kujtoi lëvizjen e madhe studentore të asaj kohe që u konkretizua me rrëzimin e diktatorit. Nga Qyteti Studenti Berisha tha se heronjtë e asaj kohe arritën të rrëzonin bustin e diktatorit Hoxha e ta tërhiqnin atë zvarrë në rrugët e Tiranës, duke i bërë gjyqin popullor, pas 45 vitesh vuajtje.

"Enver Hoxha si asnjë diktator tjetër vendosi mbi shqiptarët një diktaturë të trefishtë, diktatura e luftës së klasave, ideologjike, ranë për tu bërë të pavdekshëm, u burgosën u torturuan u internuan burra, gra, të rinj, fëmijë më shumë se në të gjitha vendet ish-komuniste. Në asnjë diktaturë tjetër njerëzit nuk njohën një shtypje të egër që njohën shqiptarët. Kjo ishte vetëm diktatura ideologjike, më mizore më e tmerrshme ishte diktatura e urisë. Këto bën që në vitin '90, me revulucion u vendos pluralizmi, kishin masivisht në qenien e tyre një qenie të dytë, satanike që i kishte poshtëruar ata sa asgjë tjetër.

Rrëzimi i kultit ishte kushti i të gjitha kushteve që opozita të ishte një opozitë e vërtetë, Ishte kushti i të gjitha kushteve që shqiptarët të ndiheshin njerëz të lirë dhe të fitonin dinjitetin e munguar. PD që ishte në shtrirje e formim e sipër kishte rezervë të saj ata që e kishin themeluar, studentë dhe lëvizjen studentore. Ata ishin batalioni i sulmit, beteja duhej vazhduar në këto kushte nisi Lëvizja studentore e shkurtit 1991, ku nuk e priste regjimi në Universitetin Bujqësor. Studentët e këtij universiteti nisën grevën kundër regjimit, konkretizuan një seri kërkesash ultimative...", tha Berisha.

Berisha tha se Edi Rama po përpiqet që të rikthejë diktaturën në vendin tonë, ndaj sipas tij është e rëndësishme që të vijojnë revolucionin që kanë nisur me koalicionin 'Shtëpia e Lirisë'.

"Të vazhdojmë ketë betejë, të vazhdojmë këtë revolucion, me armiqtë e lirisë së shqiptarëve, me trashëgimtarët e barbarive ndaj tyre, të cilët përpiqen çdo muaj e çdo vit të rehabilitojnë diktaturën. Nuk është e rastit që sot kreun e qeverisë e ka i biri i një xhelati që do firmoste në gusht të '98 varjen në litar të Avzi Nelës, por edhe të tjerëve me akuza të fabrikuara dhe falso. Sot ministrinë  e brendshme  drejton ministri i familjes, gjak i diktatorit, i Çuçve", tha Berisha.