Berisha letër amb.OSBE Raunig:
I njëanshëm, palë me shpifësit

Berisha letër amb.OSBE Raunig:<br />I njëanshëm, palë me shpifësit
TIRANE- Ish kryeministri Sali Berisha kritikon kreun e Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Florian Raunig, lidhur me raportin e institucionit që ai përfaqëson, i publikuar në media pak ditë më parë. Me tone të ashpra dhe kritika direkte, lideri historik i demokratëve, akuzon ambasadorin për njëanshmëri, pasi sipas tij, ka përfshirë në raport akuzat politike, të cilat gjykatat i kanë rrëzuar si shpifje.

Ish-kreu i qeverisë shkon edhe më tej kur, njësoj si 7 vjet më parë kur e cilësonte të përditshmen amerikane, New York Times letër higjienike, për të njëjtat akuza në adresë të tij dhe familjarëve, raportin e OSBE e quan kolektor të ujërave të zeza.

Sipas tij, raporti është i bazuar krejtësisht në shpifjet e kundërshtarëve politikë, çka e bën atë të pabesueshëm për publikun. “Ky raport paraqet një lloj kolektori të ujërave të zeza, që kanë qarkulluar si akuza, kundërakuza, shpifje, trillime, madje, siç shpreheni ju vetë, edhe thashetheme që nuk njohin kufij etike, morale dhe kohore dhe që, në tërësi, janë bërë me gojë dhe me shkrim nga kundërshtarët e mi, në mediat e tyre, në kuadrin e një lufte politike”, shkruan Berisha në letrën drejtuar ambasadorit Raunig.

Ai shton më tej se për të gjitha akuzat e bëra ndaj tij ka vendime Gjykatash që i rrëzojnë ato, por në raport këto nuk thuhen, duke e bërë edhe vetë OSBE-në palë me shpifësit. “Unë mendoj zoti ambasador se, kur një zyrtar, cilido qoftë ai, rendit në një raport vetëm akuza, thashetheme e shpifje ndaj një personi, është në detyrimin e tij civil, që në emër të paanësisë së tij dhe zyrës që ai drejton, dinjitetit njerëzor të personit apo personave që përgojon, të pasqyrojë në raport, kur ekzistojnë, edhe përgjigjet, sqarimet përgënjeshtrimet, hetimet apo vendimet e gjykatave të vendit apo të huaja të palës së akuzuar, të botuara edhe ato në media. Injorimi total i tyre, siç bëni ju në raport, pavarësisht se kanë parë dhe ato dritën e diellit, më duhet të them se më së paku provon njëanshmërinë e ekstreme tuaj dhe indirekt ju bën ju palë me shpifësit. Kurse raportin e shndërron thjesht në një kolektor shpifjesh, falsifikimesh, thashethemesh, dokument dezinformimi”, thekson Berisha.

Sa i takon ndjesës publike të shprehur nga ambasadori i OSBE, Berisha shton se keqardhja e tij është për ambasadorin Raunig. “Në periudhën që ju keni qenë në Shqipëri si ambasador i Austrisë, ne kemi patur së bashku një bashkëpunim shumë të mirë, nuk e mohoj se për këtë shkak raporti i juaj i njëanshëm më bën të ndiej keqardhje për ju. Por keqardhja ime më e thellë është për OSBE, institucionin që ju përfaqësoni”, thuhet më tej në letrën e Berishës.

Në raportin e OSBE-së, për të cilin institucioni është distancuar, thuhet se familja Berisha ka lidhje me biznesmenin serb Fazlliç, përfshirjen e djalit të ish kryeministrit në ngjarjen e Gërdecit dhe trafikun e armëve, apo dhe roli i vajzës, Argita Berisha, si ndërmjetëse mes qeverisë dhe investitorëve.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni