Pas dështimit të protestës më 22 dhjetor, Sali Berisha e ka shtyrë për në muajin janar tubimin e radhës për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës. Duket se me afrimin e festave të fundvitit edhe demokratët kanë vendosur të marrin ca pushime dhe t’i kthehen në janar “misionit” të tyre.
Në një takim me demokratët në Maznë të Durrësit, kreu i PD Sali Berisha tha se betejën deri në fitoren e Partisë Demokratike do ta nisin në muajin janar. Sipas tij, kryeministri Edi Rama largohet vetëm me qëndresë në sheshe.
“E patë se çfarë jehone botërore pati qëndresa në parlament e deputetëve dhe protesta e datës 22. E jashtëzakonshme! Ishte betejë e fituar nga ne në rrafshin e së drejtës. Tani duhet të betohemi, ditën e caktuar të zëmë sheshin dhe t’i rikthehemi sheshit çdo natë gjersa të përzëmë atë. Të mos mendojmë se rruga është dhuna, jo.
Rruga është qëndresa jonë, sheshet. Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën si mi. Nuk mund të qëndrojë aty. Pra, hyjmë në vitin 2026 me një mision, si misionarë, si fatmëdhenj që kemi mundësi të përmbysim një diktaturë të dytë në Shqipëri.
Dhe unë jam i bindur se populli opozitar, populli i Manzës, i Durrësit e i gjithë Shqipërisë, do të jetë në lartësinë e këtij misioni. Lartësinë e shpëtimit të Shqipërisë, të shpëtimit të opozitës, të shpëtimit të kombit shqiptar, që po rrokulliset në mënyrën më të keqe. Edhe një herë, gëzuar festat dhe lartësinë e misionit tonë. Janari, nisim betejën tonë gjer në fitore”, tha Berisha.
Berisha i referohet protestave kombëtare si ajo e organizuar më 22 dhjetor, ndërsa do të vijojë si rregullisht tubimin e çdo të hënë tek kryeministria.
Komente











