TIRANË – Kryeministri Berisha ka refuzuar nismën e socialistëve për heqjen e moratoriumit për skafet në Shqipëri. Në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, Berisha tha se refuzimi bëhet në emër të luftës kundër krimit si edhe të detyrës ndaj fqinjit, Italisë për të mos favorizuar trafiqet kriminale.
“Vënia në lëvizje e industrisë së skafeve do të ishte rikthim i fuqishëm i flukseve të trafiqeve kriminale drejt bregut tjetër të Adriatikut. Do të ishte damkosje tjetër e pamerituar për Vlorën, të cilën po diskutohet ta shpallin gjirin më të bukur të Mesdheut. Por, ne s’do ta bëjmë skafo – qytet. Kohërat e skafo republikës kanë marrë fund”, tha kryeministri.
Ai ka deklaruar se p/ligji për heqjen e moratoriumit do të arkivohet si ligj i papranueshëm.
“Unë nuk dua t’i lidh skafet me turizmin. Por, ju them se në periudhën e ndalimit të skafeve, turizmi u rrit me 10 - 12 herë. Do ishte rikthim në varrin gjigand na varrin që u bë Otrantoja për vite të tëra. Me qindra burra e gra u mbytën. Duhet ta fshijmë nga memorja ne këtë problemin e skafizmit’, deklaroi Berisha.

PLEHRAT DHE SEZONI TURISTIK
Në prag të fillimit të sezonit të ri turistik, kryeministri Berisha lajmëroi aksionin e pastrimit në të gjithë vendin më 20 prill. Ai i kërkoi deputetëve që të punojnë në zonat e tyre për eliminimin e plehrave në emër të nismës “Për një Shqipëri të pastër”.
“Asgjë nuk nxin më shumë sesa prania e plehrave të shpërndara në mënyrë të shëmtuar. Ndaj dhe do të këkoja shumë nga ju, në bashkëpunim me qeveritë vendore, të marrim çdo masë që më 20 prill ta bëjmë vendin më të pastër se kurrë në historinë e vendit. Atë ditë të pastrojmë në çdo qoshe të saj”, tha Berisha.
Më tej ai iu referua mediave ndërkombëtare, të cilat sipas tij gjithnjë e më shumë po shkruajnë për turizmin shqiptar e në vecanti për Alpet, të cilat po etikohen si Himalajet e Europës.

(aq/shqiptarja.com)