Berisha në ‘foltore’ me shqiptarët në Itali: Po të mos ishte antimafia italiane, Tahiri do ishte më shumë se zv.kryeministër

Sali Berisha ka rikthyer ‘Foltoren’, por tashmë bashkëbisedon në mënyrë virtuale me shqiptarët për të dëgjuar problematikat e tyre. Këtë të diel, teksa fliste me emigrantët në Itali, shprehu vlerësimin e tij për antimafien italiane duke thënë se kanë kontribuar në betejën kundër mafies shqiptare.

Duke iu referuar arrestimit të ish ministrit Saimir Tahiri, tha se nëse nuk do të kishin bërë të mundur përfshirjen e tij me grupin Habilaj, do të ishte aktualisht zv.kryeministër madje, edhe më tepër se aq. 

“Italia jep një kontribut në luftën ndaj krimit të organizuar në të dy anët e Adriatikut. Antimafia italiane ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në betejën kundër mafias shqiptare. Po të mos ishte antimafia italiane, Saimir skafisti do të ishte mbi zv/kryeministër të paktën. Ne ju jemi mirënjohës sepse ata bëjnë një luftë kundër organizatave kriminale që dëmtojnë interesat e qytetarëve italianë dhe shqiptarë”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, u shpreh se rikthimi në pushtet i koalicionit të djathtë në Itali do të sillte rëndësi të madhe për rajonin dhe Europën. Gjithashtu u shpreh se ndihmat e Italisë si vend mik kanë pasur një rol mjaft të rëndësishëm në ecjen e Shqipërisë në rrugën e tregut dhe të demokracisë.

Nuk kurseu një koment edhe për krizën energjetike duke thënë se vendimi i qeverisë për të faturuar më shumë abonentët që shpenzojnë më shumë se 800 KËH në muaj ka synim vetëm të godasë shtresën e mesme.

Sa i përket ligjit për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, Berisha thotë se shqiptarët po largohen masivisht nga vendi sepse Rama nuk merret me ata që bëjnë kulla por me të moshuar që ndërtojnë kotece pulash. Për këtë i referohet rastit në Nartë të Vlorës, ku një 81-vjeçare është nën hetim për ndërtimin brenda rrethimit të shtëpisë të një ndërtese që mund të shërbejë si kotec për pulat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:33
Konfiskimi i ndërtimeve pa leje, Berisha: Qeveria legalizon kullat, por vë nën hetim të moshuarën për një kotec pulash


Sali Berisha ka kujtuar historinë e të moshuarës nga Vlora pasi përfundoi në gjyq për ndërtimin brenda rrethimit të shtëpisë të një ndërtese që mund të shërbejë si kotec për pulat. Teksa i referohet pallateve dhe ligjit për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, Berisha thotë se Rama merret me të moshuarën dhe nga ana tjetër legalizon kullat. Sipas ish kryeministrit, kjo është arsyeja përse qytetarët po largohen nga Shqipëria.

“U zotua se do të përdorë ligjin. Çfarë përdorimi bëri. Ndjek penalisht një zonjë 82-vjeçare në Nartë se ka ndërtuar një kotec pulash pa leje. Ndërkohë që kullat në mes të Tiranës thotë se do ti legalizojë në kundërshtim me çdo ligj.

Ky është i lidhur, këmbë e krye me krimin dhe drogën. Kjo përbën një vështirësi tjetër për shqiptarët. Pasiguria e madhe i detyron ata të largohen masivisht nga Shqipëria.

Varfëria në rritje. Shqipëria po polarizohet në mënyrë të rrufeshme. Vitin e kaluar INSTAT thotë se Shqipëria pati një rritje ekonomike 9.3 %. Çdo njeri që e dëgjon këtë shifër thotë se ky qenka vendi i punës. Po punësimi sa ishte, sipas INSTAT, punësimi u rrit gjithsej me 0.4 %. Ata që kanë njohuri elementare e kuptojnë se 9.3 % është mali i narko eurove. Nuk përkthehet në asgjë, mirëqënie prosperitet për qytetarin shqiptar”, tha Berisha.

Ora 18:31
Berisha: Rama ka rritur çmimin e energjisë për të goditur shtresën e mesme, i ka shpallur luftë të hapur

 

Ish kryeministri Sali Berisha tha në ‘foltoren’ virtuale me shqiptarët në Itali se rroga më e ulët në rajon është në Shqipëri. Ndërsa për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për familjet që shpenzojnë më shumë se 800 KWH në muaj, Berisha thotë se Rama e bën për t’i shpallur luftë shtresës së mesme.

“Sot kemi rrogën mesatare më të ulët në rajon, 20-30% më të ulët se Kosova. Ju ngritët shqetësimin për çmimet. Bordet komuniste tha Rama janë të dobishme. Po, janë të dobishme sepse cakton çmimin që do. Dhe me çmimet e rritura cakton të ardhurat e tij. Rama caktoi gjithsej 50 mln për shqiptarët. Tani ka bërë një rritje të jashtëzakonshme të energjisë. Përse? Do të godasë shtresën e mesme, i ka shpallur luftë të hapur shtresës së mesme. Një shoqëri pa shtresën e mesme, kurrë nuk mund të zhvillohet”, tha Berisha.

Ora 17:46
Berisha kujton takimin me Berlusconin në vitin 2005: Foli fjalë të ngrohta për emigrantët shqiptarë! Më tha që nuk ka asnjë problem prej tyre

 

Në bashkëbisedimin me shqiptarët në Itali, Sali Berisha ka kujtuar takimin me Silvio Berlusconin në vitin 2015 duke i thënë se i bëri përshtypje pozitive kur folën fjalë të ngrohta për emigrantët.  

“Në vitin 2005, pasi formuan qeverinë unë bëra një vizitë në Itali dhe aty takova mikun tonë të shquar, Silvio Berluconin dhe drejtues të tjerë të qendrës së djathtë. Ajo që më bëri përshtypjen më pozitive ishin fjalët shumë të ngrohta dhe të vërteta që Berlusconi, Fini dhe Casini folën për emigrantët shqiptarë.

Ne na thanë ata, me shqiptarët këtu nuk kemi asnjë problem, por vetëm zhvillime pozitive. Kjo shënonte një arritje të madhe të shqiptarëve në Itali. Kanë kaluar 17 vite, dhe këto rekorde vetëm se janë përmirësuar gjithnjë e më shumë. Janë përmirësuar me shpejtësi të madhe”, tha Berisha.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Ministri Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pika kufitare, për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve 

Ministri Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pika kufitare, për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve