SHKODËR- “Lulzim Bashën e pret vrima e miut nga revolucioni jonë”, ka qenë ky “kërcënimi” dhe fjalët e Sali Berishës gjatë takimit të paralajmëruar mëngjesin e kësaj të diele në Shkodër me mbështetësit e tij.

Ish-Kryeministri Berisha e nisi takimin me 1 minutë heshtje për legjendën e futbollit shkodran, Ramazan Rragami, i cili u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare një ditë më parë.

Ai e kishte premtuar se “revolucioni” nuk do të ndalet dhe protestat paqësore siç i quan do të vijojnë në të gjithë Shqipërinë, një gjë që e theksoi edhe gjatë takimit të sotëm në Shkodër.

Ish-Kryeministri gjatë fjalës së tij i është drejtuar ndërkombëtarëve të cilët nuk mund të mos “ndëshkonin” protestën e dhunshme të 8 janarit, duke e ritheksuar se ato janë paqësore dhe nuk do të ndalen.  Ai madje u mundua ta justifikonte dhunën, duke thënë se e vetmja gjë që dëshironin ata ishte të nxirrni banditët nga shtëpia e demokratëve.

Emrat e njohur demokratë të Shkodrës që janë parë në Pallatin e Sportit krah Berishës kanë qenë Voltana Ademi, Bardh Spahia, Lorenc Luka, Arvid Bushati etj, ndërkohë që nga Tirana kanë mbërritur Edmond Spaho, Belind Këlliçi dhe të tjerë mbështetës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:57
Berisha-ndërkombëtarëve: Është protestë paqësore, por e pandalshme! Më 8 janar donim vetëm të nxirrnin banditët nga shtëpia jonë, kush nuk do e bënte?

Berisha duke ju drejtuar ndërkombëtarëve tha se kjo është një protestë paqësore, por do të jetë e pandalshme. Duke folur për sulmin e 8 janarit, Berisha tha se demokratët berishianë donin vetëm të nxirrnin banditët siç i quajti nga shtëpia e tyre.

“Thirrja për partnerët ndërkombëtar, ky është revolucion paqësor por i pandalshëm. Demokratët më 8 janar nuk kërkonin gjë tjetër, por arë që do të bënte një polici e çdo shteti të lirë, të nxirrnin banditët nga shtëpia e tij . Kush është ai që e sheh shtëpinë e tij plot me bandit dhe nuk “lufton” t’i nxjerri? 8 janari është vetëm fillimi, ju jap fjalën. Ata që mbështesin Bashën për të marrë peng pluralizmin do të dështojnë”, tha ai.

Ora 12:45
Berisha në Shkodër: Bashën e pret vrima e miut nga ky revolucion! Kush e do për kryetar opozite tallet me lirinë

Duke folur për demokratët që e mbështesin në qytetin e Shkodrës, Berisha tha se Bashën e pret vrima e miut nga revolucioni që kanë nisur dhe se kushdo që e do për kryetar opozite nuk do lirinë.

"Hiqni dorë prej Lulzim bravës, është turpi i dheut dhe turpi i historisë. Ndahuni nga Lulzim Basha sepse atë e pret vrima e miut nga ky revolucion. Askush nuk ka të drejtë të luajë me pluralizmin politik, ata që mbështesin Bashën për kryetar opozitë ata tallen! Shqiptarët që mbështesin Bashën tallen me lirinë, me vlerat e pluralizmit.", ka thënë ai.

Ora 12:24
Berisha e nis fjalën me demokratët e Shkodrës me 1 minutë heshtje për Ramazan Rragami

 

Fjalën e tij para mbështetësve shkodranë, ish-Kryeministri Berisha e nisi me 1 minutë heshtje për legjendën e futbollit shkodran, Ramazan Rragami, i cili u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare një ditë më parë.

Berisha e vlerësoi Rragamin si një prej figurave më të shquara të Shkodrës.