Kreu i PD Sali Berisha është thirrur nga SPAK që të ditën e nesërme që të japë llogari për 4 vrasjet në bulevard në 21 janar. Lidhur me këtë avokati, Alban Duraj i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, tha se nëse Berisha nuk do të paraqitet nesër do të merret me forcë.
Ai deklaroi se ka prova dhe pamje filmike që tregojnë se Sali Berisha ka qenë me armë në dorë dhe ka dhënë direktiva për vrasjet.
‘Për fletëthirrjen SPAK-u thotë se Berisha e ka marrë atë. Ai ka qenë i njoftuar dhe nëse nuk shkon nesër atëherë ligji parashikon që të merret forcërisht. Lidhur me çështjen e 21 janarit kjo vjen pas një vendimi të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që tha se hetimi nuk është kryer i plotë duke mos hetuar zyrtarët e lartë shtetëror.
Por në zyrën e kryeministrisë ka qenë Berisha që ka qëndruar dhe ka thënë unë do të punoj në zyrë dhe dihet që Berisha ka pasur një pushtet absolut. Pretendohet se ka prova nga familja Nika dhe pamje filmike që thuhet se Berisha ka qenë me armë në dorë dhe ka dhënë direktiva. Mund të ndodh që të tregohet edhe e vërteta, por është një çështje e vështirë, sepse kemi 15 vite nga ajo ngjarje dhe provat nuk janë të ngrohta si kanë qenë në momentin e parë që ka ndodhur kjo ngjarje’, tha ai.
Teksa sot bëhet një vit nga vrasja e Martin Canit nga bashkëmoshatari i tij, avokati Duraj e cilësoi atë si një ngjarje të rëndë.
‘Vrasje të tilla familjarët i përjetojnë sepse nuk është e lehtë që të iki fëmija, por ligji kështu është i përcaktuar me përgjysmimin e dënimit për të miturit. Por ajo ngjarje ka ardhur edhe për shkak të neglizhencës që kanë pasur prindërit dhe mësuesit. Ai ka qenë një i mitur dhe duhet një mundësi që të riintegrohet në shoqëri’, tha ai.
Duraj u ndal edhe tek çështja për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, ku prokurorët e Posaçëm kanë rënë në gjurmët e një transferte të dyshimtë prej 3 milionë eurosh në Austri.
Ai tha se ekstradimi i tij në Shqipëri do të jetë i vështirë, pasi Ahmetaj ka marrë azil politik në Zvicër.
‘Për Ahmetaj ka një urdhër arresti ndërkombëtar dhe s’ka pasur ndonjë ndalim nga autoritet zvicerane, ai ka thënë ka marrë azil në Zvicër, por kërkesa për ekstradim bëhet kur arrestohet personi që është në kërkim. Do të jetë e vështirë ekstradimi sepse ai ka marrë azil politikë në Zvicër’, tha ai.
Komente












