Analisti Albatros Rexhaj tha të enjten se etiketimi i Shqipërisë si “narkoshtet” nga Sali Berisha është një autogol politik dhe kombëtar, që dëmton imazhin e vendit jashtë kufijve dhe dobëson vetë opozitën.
“Është një autogol kombëtar, sepse do të duhej të ishte një parim që ‘çfarëdo që të kemi me njëri tjetrin, ajo nuk duhet t’i faturohet Shqipërisë’ dhe t'i krijojë një imazh të keq. Berisha del në Parlamentin Europian dhe flet për narko shtet duke ndërtuar një kauzë shumë të keqe për Shqipërinë. Sali Berisha po krijon një hije të keqe te ndërkombëtarët" tha ai në një interviste me emisionin Sot Live në Shqipëri në Report TV.
Rexhaj theksoi se fjalët e Sali Berishës ushqejnë narrativa të rrezikshme që përdoren prej vitesh nga qarqe serbe dhe ruse kundër shqiptarëve. Ai nënvizoi se kjo retorikë nuk ndikon vetëm Shqipërinë, por ka pasoja edhe për Kosovën, duke ndikuar në mënyrën se si ndërtohet vendimmarrja perëndimore për rajonin. Sipas Rexhajt, propaganda kundër shqiptarëve në Ballkan mbështetet pikërisht mbi idenë se shqiptarët lidhen me krimin dhe trafikun, dhe deklarata të tilla si ato të Berishës vetëm sa e forcojnë këtë perceptim.
"Duhet të ketë një minimum konsiderate dhe etike, aq më tepër tani që me ndryshimet gjeopolitike që po ndodhin shqiptarët janë më të brishtë se kurrë. Situata e konfliktit politik dhe deklaratat e narko shtetit në Shqipëri ndikon shumë edhe në Kosovë. E gjithë propaganda serbe dhe ruse përpiqet të infiltrojë vendimmarrjen perëndimore bazohet në parimin që shqiptarët janë kriminelë e narko trafikantë. Kjo është retorika që përdoret nga qarqet ruse dhe serbe. Ata shkruajnë pa fund letra duke ndërtuar një narrativë që shqiptarët janë Nëna e të keqijave në Ballkan. E tani del një lider shqiptar që thotë Shqipëria është narkoshtet, Venezuelë e Bjellorusi. Kjo s'ka kuptim. Një i huaj thotë ku janë faktet? Këta njerëz as nuk e kuptojnë sa larg shkonë dhe pasojat e atyre që thonë. Kur i drejtohesh audiencave të brendshme fol ç'të duash por jo tek audiencat e jashtme. Shqiptarët shpesh e kanë pësuar në histori, sepse ka pasur rrjeshtim të forcave të egra që kanë vepruar kundër nesh. Edhe brezat e tanishëm duhet ta paguajnë këtë faturë? Jo!” tha Rexhaj.
Rexhaj mendon se opozita po injorohet edhe nga ndërkombëtarët dhe kjo do të duhej të perceptohej nga PD si një alarm për tu zgjuar e për të dalë nga rruga ku janë futur.
"Opozita duhet të ndryshojë qasje dhe kauzë dhe t'i përshtatet kohës" përfundoi ai.
Lajmi kryesor:
‘Betejë e panevojshme’, analisti Rexhaj për Report TV: Kërkesa e gjyqtarëve për rritje page, ndërhyrje në kompetencat e Qeverisë dhe Kuvendit








